BE mbyll kufijtë për lajthitë turke me aflatoksinë

246 0

Turqia është vendi i parë në botë për prodhimin dhe eksportin e lajthive. Ky vend mbulon afërsisht 70 përqind të prodhimit global dhe 82 përqind të eksportit botëror të lajthisë.

Megjithatë, ky muaj tetor ka qenë plot lajme të këqija për eksportuesit e lajthive turke. Disa vende të rëndësishme të Bashkimit Evropian kanë bllokuar importin e lajthive Turke pas rezultateve të analizave që treguan se këto arrorë kishin përmbajtje të lartë aflatoksine.

Kjo substancë toksike prodhohet nga një kërpudhë myku që zhvillohet tek ushqimet dhe që mund të shkaktojë dëme serioze në mëlçi deri edhe kancer.

Britania e Madhe, Franca, Hollanda dhe Gjermania kanë bllokuar dërgesat turke të lajthive të tetorit dhe kanë dhënë alarmin tek Qendra e Kontrollit e Komisionit Evropian. Javën e shkuar, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Hollandë dhe organizmat monitorues të Britanisë e Madhe dhe të Francës publikuan bllokimin doganor dhe hetimin me statusin ‘serioz’. Ky nivel paralajmërimi është më i larti për nga rëndësia e një shqetësimi evropian që ka të bëjë me ushqimin dhe përhapet në të gjithë zonën e Bashkimit Evropian.

Vendet e Bashkimit Evropianë kanë mbyllur kufinjtë për këtë produkt që vjen nga Turqia, ndërkohë që autoritetet kufitare kanë kthyer mbrapsht të gjitha dërgesat për në vendin e origjinës me konteinerë të vulosur sipas informacioneve zyrtare të cilave i referohet AgroWeb.

Ushqimet e helmuara me aflatoksinë

Aflatoksina gjendet tek një sërë ushqimesh, veçanërisht drithërat, farat, erëzat dhe arrorët. Frutat e thata, fiqtë, piperi i zi, fistikët, kikirikët dhe misri konsiderohen si ushqime me rrezikshmëri të lartë për sa i përket ndotjes me aflatoksinë. Megjithatë, qumështi, djathi dhe produkte të tjera të bulmetit janë gjithashtu të rrezikuara nga ndotja me aflatoksinë. Nivelet e larta të kontaminimit vihen re zakonisht në zona me klimë të ngrohtë.

Dëmet e aflatoksinës në organizmin e njeriut

Ekspozimi i lartë ndaj aflatoksinës mund të shkaktojë helmim akut, madje dhe vdekjeprurës, jo vetëm tek kafshët, zogjtë, peshqit por edhe tek njerëzit. Mëlçia është organi i parë që preket nga helmi, por nivele të lartë të aflatoksinës janë zbuluar edhe tek mushkëritë, veshkat, truri dhe zemra e njerëzve që kanë vdekur nga helmimi akut. Kanceri i mëlçisë është një nga sëmundjet më të ndeshura në vendet e botës, ku ndotja e ushqimeve me aflatoksinë mendohet të jetë e lartë, megjithatë kjo nuk është e provuar shkencërisht.

Helmimi toksik akut është i rrallë në vendet e zhvilluara, autoritetet e të cilave janë tepër të kujdesshme për monitorimin dhe kontrollin e ushqimeve që merr konsumatori.

Në vitin 2014, Turqia që prodhon 600,000 tonë lajthi në vit, fitoi 2.3 miliardë dollarë nga eksporti i këtij produkti. Çmimet e lajthisë janë rritur me 80 përqind nga 2.5 dollarë për kilogram në 4.5 dollarë për kilogram.  

Një e katërta e prodhimit të Turqisë blihet nga gjigandi evropian i çokollatave, Ferrero që është i famshëm për një prej produkteve më të preferuara të shqiptarëve, Nutella. Bashkimi Evropian gjithashtu merr pjesën më të madhe të lajthive të prodhuara në Turqi.

Shqipëria rezulton se importon 61 tonë lajthi në vit. Gjithashtu edhe Kosova rezulton importues i lajthive turke. Lajthia bën pjesë tek lista e importeve të produkteve agrare me kuotë nga Turqia sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Është shumë e rëndësishme që Autoriteti Shqiptar i Kontrollit Ushqimor të shpërndajë paralajmërimet e Komisionit Evropian edhe tek autoritetet kufitare të vendit, të cilët duhet të mbikqyrin dhe analizojnë sasinë e importeve të lajthive nga Turqia dhe të mbrojnë shëndetin e popullsisë së Shqipërisë./AgroWeb.org