Shqipëria është një vend i pasur. Është aktor kryesor në tregjet ndërkombëtare në një sektor të veçantë biznesi.
Mund të mendoni se po ekzagjerojme. Por jo. Do ta kuptoni këtë përgjatë rradhëve të këtij artikulli të AgroWeb.org.
Do të zbuloni më shumë mbi thesaret natyrore të Shqipërisë, bimë të egra mjekësore dhe aromatike që gjenden në sasi të mëdha në fusha dhe male, e që krijojnë mundësi punësimi për rreth 100,000 familje që jetojnë në zonat rurale të vendit.
Me rreth 500 hektarë sipërfaqe të kultivuar me bimë mjekësore dhe aromatike, Shqipëria është lider në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore.
E nëse natyra i ka falur Shqipërisë bimët e egra, kultivimi i bimëve mjekësore në vendin tonë ka nisur pak vjet më parë.
Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë Euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, gjatë një viti Shqipëria eksporton përafërsisht 13,000 tonë bimë mjekësore me vlerë 25,000,000 Euro. Eksporti i bimëve mjekësore për 2013 përbënte 19% të eksporteve totale të vendit.
Tradicionalisht Shqipëria eksporton bimë mjekësore të egra, të papërpunuara, të cilat eksportohen për t’u trajtuar dhe paketuar jashtë vendit.
Këto bimë të përpunuara përdoren në industrinë ushqimore për çajra bimorë, në përgatitjet ushqimore të ndryshme, në formën e erzave për gatim, si ekstrakte për vajra esenciale, apo në industrinë e pijeve, produkteve të shëndetësisë, kozmetikës si dhe parfumeve.
Sherebela – Mbretëresha e Bimëve Mjekësore
Krenaria e Shqipërisë janë sherebela, së bashku me rigonin, timusin dhe trumzën të cilat eksportohen jashtë vendit në sasi të mëdha.
Sherebela është mbretëresha e bimëve mjekësore shqiptare. Shqipëria është një ndër eksportuesit kryesorë të kësaj bime në Shtetet e Bashkuara ta Amerikës.
Sipas të dhënave, Shqipëria mbulon 70 % të nevojave të tregut Amerikan për sherebelë.
Bimët mjekësore shqiptare furnizojnë gjithashtu tregjet franceze, gjermane dhe italiane.
Sipas Z. Xhevit Hysenaj, Përfaqësues i Shoqatës së Prodhuesve të Esencave dhe Kultivuesëve të Bimëve Mjekësore, rreth 15 % e sherebelës shqiptare rieksportohet nga Gjermania, Turqia dhe shtete të tjera.
Bimët mjekësore në Shqipëri rriten kryesisht në Malësi të Madhe, Shkodër, Skrapar, Elbasan, Korçë, Berat, Përmet dhe Durrës.
Pjesa veriore e vendit është e njohur për prodhimin e sherebelës me cilësi të lartë, ndërkohë që pjesa qendrore dhe jugore e vendit është e specializuar në prodhimin e rigonit dhe timusit.
Probleme? Sigurisht që ka
Shpopullimi i zonave rurale, veçanërisht atyre malore, si pasojë e lëvizjes së popullsisë drejt qyteteve ka bërë që rajone me potenciale të mëdha shfrytëzimi mbeten ende të paprekura.
Ndërkohë si pasojë e nevojës së së konsoliduesve për të ruajtur në norma konstantë sasisë e produkteve, rajone të tjera janë shfrytëzuar mbi kapacitete.
Mungesa e praktikave të duhura gjatë mbjelljes dhe pas mbjelljes shumë shpesh dëmton produktet dhe ndikon në uljen e cilësisë së tyre.
Shpesh herë kapacitetet e pamjaftueshme në ambjentet e tharjes ndikojnë në uljen e cilësë dhe standardeve.
Rritja e kërkesës për bimë mjekësore dhe aromatike është një sfidë për industrinë e prodhimit të këtyre bimëve, të cilave u duhet të menaxojnë sasinë e kërkuar kundrejt cilësisë./AgroWeb.org