Biodiversiteti i Liqeneve, pasuria që na çon drejt BE-së

1.2k 0

Mund të duket periferike por rruga e Shqipërisë dhe e vendeve të rajonit për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian kalon edhe përmes strategjive për çështjet mjedisore, masave në kuadër të ndryshimeve klimatike apo ruajtjes së biodiversitetit. Për këto çështje, ashtu si edhe për çështjet politike apo ekonomike, bashkëpunimi rajonal është thelbësor. Pikërisht ruajtja e biodiversitetit, mblodhi në Tiranë përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia për të diskutuar mbi bashkëpunimin ndërsektorial dhe ndërkufitar në menaxhimin e ujërave dhe burimeve natyrore, siç janë flora dhe fauna e rrallë.

Një projekt i Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, po zbatohet nën kujdesin e GIZ me një fond prej 5 milion Euro, nga të cilat 3 milion janë lëvruar për 2 vitet e ardhshme të fazës së dytë për ruajtjen e biodiversitetit të liqeneve të Prespës, Ohrit dhe Shkodrës ndarë mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Këto lumenj përfaqësojnë një pjesë unike dhe mjaft të spikatur të Trashëgimisë Natyrore të Evropës dhe Gjermania përmes GIZ i mbështet këto vende në ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të këtyre burimeve të çmuara e njëkohësisht delikate.

Zëvëndës ambasadorja gjermane Anke Holstein, e pranishme në takimin rajonal, duke vlerësuar rëndësinë e këtij forumi të përbashkët, theksoi se Gjermania së bashku me Greqinë dhe Bankën Botërore që prej vitit 1998 ka mbështetur tre vendet e rajonit për ruajtjen e kësaj pasurie të përbashkët.

“Ky është pikërisht momenti” tha zonja Holstein duke iu referuar edhe çështjes shumë sensitive të përshtatshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Si vende nënshkruese të Konventës mbi biodiversitetin dhe si vende kandidate për anëtarësim në BE, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë detyrimin të marrin masa që përmirësojnë statusin ekologjik të liqeneve dhe të mbrojnë biodiversitetin, pasi siç tha edhe zonja Holstein, zbatimi i përbashkët i këtyre strategjive kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal.

Tre lumenjtë janë pjesë e basenit të Lumit Drin dhe kanë një shumllojshmëri të madhe dhe unike të florës dhe faunës. Për sa kohë diversiteti përfshin të gjithë organizmat në basen dhe burimet e mbrojejs janë të limituara, duhet të merren vendime të mençura si si të përdoren këto burime. Në fjalë të thjeshta është e rëndësishme të vendoset se çfarë përbën emergjencë.

Edhe pse janë të mbrojtur përmes ligjeve për mbrojtjen e natyrës, zhdukja e specieve të rralla vazhdon. Cilësia e ujrave nga njëra anë, është përkeqësuar për shkak të ndotjes nga mbetjet. Nga ana tjetër po shtohen gjithnjë e më shumë ndërtimet pranë zonave liqenore. Disa nga këto zona vujanë efektet e turizmit dhe të peshkimit tej normave të lejuara.

Vetë komunitetet ashtu si edhe organizatet e mbrojtjes së mjedisit dhe shoqatat e peshkimit shërbejnë si partnerë bashkëpunimi në vetë zonat liqenore. Ata kanë marrë konsulencën e duhur se si të zbatojnë masat për të mbrojtur diversitetin biologjik dhe të përmirësojnë cilësinë e mjedisit në zonat e liqeneve. Po punohet për harmonizimin e ligjeve rregullatore të peshkimit, të cilat promovojnë peshkimin e lejueshëm ndërkufitar.

Duhet patur parasysh se vendet partnere i paraqesin rezultatet e këtij bashkëpunimi rajonal në raportimet e tyre në Komisionin Evropian ku venë në dukje implementimin e detyrimeve për mbrojten e mjedisit, pjesë e dyrimeve për anëtarësm në BE. Për këtë arsye tre vendeve po u jepet një mbështetje e drejtpërdrejtë nga vendet anëtare të BE-së.

Të ftuar të veçantë në këtë forum ishin edhe përfaqësues të Komisionit për Basenin e Lumit Sava, të cilat sollën eksperiencën e tyre të suksesshme në menaxhimin e ujrave ndërkufitarë mes Kroacisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Sllovenisë.

Pasuritë e faunës liqenore

Liqeni i Shkodrës është një prej pasurive më të mëdha evropianepër sa i përket shumllojshmërisë së shpendëve, me 270 specie zogjsh, ndër të cilët të fundmit pelikanë në Evropë. Liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës janë liqenet më të mëdhej në Gadishullin Ballkanik, me shumlllojshmëri peshqish endemikë që përbëjnë pasuri kombëtare dhe ndërkombëtare. (link)

– Liqeni i Prespës ka 11 specie origjinale dhe 12 specie të rinj peshqish. Në këtë liqen 9 specie peshqish (82%) janë endemikë
– Liqeni i Ohrit ka 21 specie origjinale dhe 7 specie të rinj peshqish. Në këtë liqen 7 specie peshqish (33.3%) janë endemike.
– Në liqenin e Shkodrës ka 34 specie origjinale dhe 13 specie të rinj peshqish. Në këtë liqen 7 specie peshqish (20.6%) janë endemike

Moratoriumi një zgjidhje efikase për faunën e Shqipërisë

Në vetëm një vit nga vendosja e Moratoriumit të Gjuetisë, fauna e egër është rigjallëruar ndjeshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky fakt u bë i ditur para pak javësh gjatë analizës së Ministrisë së Mjedisit, organizuar në Parkun Kombëtar të Divjakës, mbi efektet e deritanishme të këtij Moratoriumi. Për ambasadorin Amerikan Donald Lu, i pranishëm në takim, ky Moratorium është një shembull mbresëlënës në mbrojtjen e ekosistemeve delikate të Shqipërisë.

Studimet tregojnë se në Shqipëri strehohen mesatarisht 180 mijë specie që vijnë për të dimëruar, shifër e lartë kjo për sipërfaqet ujore relativisht të vogla të vendit tonë. 5 ligatinat shqiptare, Karavastaja, Narta, Shkodra, Ohri dhe Prespa e Madhe bëjnë pjesë në ekosistemet e zonave të mbrojtura, me biodiversitet të pasur dhe plotësojnë kriteret për zonat me rëndësi ndërkombëtare.