Fuqia e 10 ushqimeve proteinike

341 0

Për shqiptarët vakti i mirë zakonisht ka vetëm një pjatë: Mish. Dhe me kaq i kemi thënë të gjitha, por me ritmet frenetike të jetës, rritjen e obezitetit dhe të përgjegjësisë se duhet të ushqehemi shëndetshëm ju duhet të konsideroni një rrugë tjetër, atë pa mish. Po është e mundur dhe shumë e shëndetshme madje. Për t’ju ardhur në ndihmë ne kemi përpiluar një listë me 10 produkte të pasura me proteinë me origjinë shtazore dhe bimore, të cilat do t’ju mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë, por mbi të gjitha do iu mbajnë në formë dhe të shëndetshëm.

Kos

Nëse doni që t’i shtoni më shumë proteinë dietës suaj, duhet të konsumoni më shumë kos. Mos tentoni t’i bini shkurt me kosin e frutave, por konsumoni 100% kos natural, pasi ai përmban më shumë proteina dhe më pak sheqer se kosi me fruta. Në varësi të firmës, për një racion kos, mund të merrni 12 deri në 20 gram proteina. Kosi është shumë i mirë edhe për forcimin e kockave.

Vezë e zier

Me siguri tani do të jeni duke menduar; po veza ka shumë kolesterol, si ta hamë? E vërtetë, por nëse konsumohet në mënyrë të moderuar është një ushqim perfekt për në mëngjes. Përveç proteinës, ajo veza e vogël që nuk jua mbush syrin ju jep një dozë të mirë me vitaminë D dhe vitaminë B-12 dhe vetëm 77 kalori për një kokërr. Dhe pjesa më e mirë është që mund ta merrni lehtësisht me vete kudo ku jeni, për një vakt të mirë.

Tërshërë

Thjesht hidhini ujë të ngrohtë, përzijeni dhe ja ku keni një pjatë të ngrohtë me proteina që shkon nga 150 në 200 kalori për racion. Për ditët kur e doni dhe një gjë tjetër ekstra, shtoni një banane ose disa bajame.

Quinoa

Quinoa është një produkt me shumë vlera ushqimore dhe zëvendësues shumë i mirë i drithërave tradicionale. Eshtë e pasur me proteinë dhe përmban fibra dhe minerale si fosfor, magnez, hekur dhe zink dhe ka nivele shumë të ulëta të kolesterolit. Eshtë ushqim i përkyer jo vetëm për vegjetarianët, por për këdo që po kërkon një proteinë të shëndetshme.

Fara kungulli

Farat e kungullit janë të shkëlqyera për t’ia shtuar sallatës apo supës, por edhe të vetme e kryejnë më së miri punën. Ndryshe nga quinoa, që është pak më e vështirë për t’u gjetur në Shqipëri, farat e kungullit i gjeni lehtësisht gjatë të gjithë vitit në dyqane. Gjithsesi periudha më e mirë është vjeshta, kur është dhe sezoni i kungujve. Mund t’i merrni farat dhe t’i piqni, veç bëni kujdes se si arrat edhe farat e kungullit kanë shumë kalori, kështu që kujdes me sasinë.

Fasule

Si fëmijë ndoshta i keni refuzuar, por si të rritur duhet të keni ndryshuar mendim për fasulet dhe nëse nuk e keni bërë akoma, ky është momenti. Fasulet së bashku me bizelet dhe bishtajore të tjera janë burimi më i mirë i proteinës me nivel të lartë fibrash dhe të ulët yndyrnash. Për më tepër ju le të ngopur për një kohë të gjatë, duke ju mbajtur në formë.

Qumështi Sojës

Të gjitha produktet e sojës, janë një burim i shkëlqyer proteine, por qumështi i sojës është shumë më praktik dhe ofron edhe më shumë variacion, duke e bërë produktin ideal për t’u konsumuar. Në disa marka të qumështit të sojës, ai vjen dhe i përforcuar me ekstra kalcium. Pë ata që pëlqejnë ëmbëlsirat, qumështi i sojës vjen me disa shije si vanilje dhe kafe.

Bajame

Bajamet, me të cilat s’kemi të ngopur, përveçse kanë nivel të mirë proteine mendohet se ulin dhe sëmundjet kardiovaskolare. Kleçka e vetme është të dini të ndaloni aty ku duhet me bajamet: vetëm 6 në ditë dhe do keni marrë dozën e duhur të proteinës së shëndetshme.

Qiqra të pjekur

Jo qiqra në hell, por në furrë. Një grusht me qiqra të pjekura kanë rreth 120 kalori dhe rreth 5 gram proteinë dhe fibra. Qiqrat hyjnë tek familja e bishtajoreve dhe njihen për nivelin proteinik dhe ushqyes. Ju mund t’i piqni shumë lehtë në një enë të vogël në furrë për rreth 40 minuta, të përziera me pak kripë dhe erëza sipas shijes suaj.

Gjizë

Nëse mendoni se i thamë të gjitha me kosin, e keni gabim. Gjiza ka 3 gram më shumë proteinë se kosi dhe është vetëm 110 kalori, plus 125 miligramë kalcium, kaq i domosdoshëm për kockat tona.

 

Publikuar fillimisht nga Health.com