Bioteknologjia – Zgjidhja Natyrale e së Ardhmes

1.3k 0

Pa teknologjitë e reja në bujqësi njerëzimi do të zhdukej, madje i uritur. Mund të duket e fortë si deklaratë por është po aq e vërtetë. Madje ne shqiptarëve, të mësuar me produkte “nga bahçja e fshatarit”, teknologjia na duket shpesh si prishje e ekuilibrit natyror. Por faktikisht vetë bujqësia apo kultivimi në thelb është thuajse e kundërta e natyrales. Natyrale është gjithçka që rritet në mënyrë të egër pa ndikimin e njeriut. Pra, asgjë që ne konsumojmë sot nuk mund të quhet “natyrale”, pavarësisht etiketave apo “fshatarit të besuar”. Kultivimin dhe modifikimin e produkteve bujqësore e kemi bërë që prej mijëra vjetësh. Njerëzimi nuk ka lindur me të gjitha varietetet e mollëve, misrit, kungujve apo kastravecave që kemi sot.

Inxhinieria gjenetike apo bioteknologjia ka ngjallur debate të shumta, veçanërisht kur bëhet fjalë për produktet që konsumojmë çdo ditë. Kundërshtimi në thelb qëndron në faktin se produktet e modifikuara gjenetikisht mund të jenë të dëmshme për organizmin. Por ajo që të gjithë ata që kundërshtojnë produktet bioteknologjike nuk dinë është se modifikimi gjenetik i bërë me baza shkencore nuk është provuar të jetë i dëmshëm për njerëzimin. Në vorbullën e një anti-reklame të madhe mbi produktet bioteknologjike, e cila gjen mbështetje natyrshëm te një masë e gjerë njerëzish, gjithkujt do t’i dukej e tepërt të flisnim për të mirat e tyre. Po nëse i largohemi legjendave urbane dhe mençurisht i besojmë shkencës do të kuptonim se thelbi është evolucioni.

Po, është folur edhe mbi monopole të industrisë së produkteve bioteknologjike, por kjo është çështje ekonomike, jo shkencore. Shkenca, duke dalë jashtë makro apo mikro ekonomisë ka rezultatet e veta përtej bestytnive.

Është koha të ndajmë argumentat politike nga shkenca dhe të shohim përfitimet nga inovaconi në bujqësi, për një ushqim më ekonomik, me më pak pesticide dhe më shumë prodhim.

FAO – Bioteknologjia premton përfitime të mëdha

Zhvillimi dhe përhapja e teknologjisë së re është një faktor i rëndësishëm që përcakton të ardhmen e bujqësisë. Studimet (link1)e Organizatës Botërore të Bujqësisë, FAO, bazohen në tri çështje veçanërisht thelbësore, bioteknologjinë, teknologjitë në mbështetje të bujqësisë së qëndrueshme dhe mbi drejtimin që duhet të marrin kërkimet e ardhshme.
Sipas FAO-s, Bioteknologjia premton përfitime të mëdha si për prodhuesit ashtu edhe për konsumatorët e produkteve bujqësore, por aplikimi shoqërohet me skepticizëm potencial. Dyshimet dhe përfitimet ndryshojnë nga njëri produkt në tjetrin dhe mbi të gjitha perceptohen në mënyrë të ngryshme në vende të ndryshme. Për të përthithur të gjithë potencialin e bioteknologjisë, duhet të zhvillohen politikat e duhura për të evidentuar dyshimet dhe aty ku është e nevojshme të evitohen.

Bioteknologjia premton përfitime të mëdha si për prodhuesit ashtu edhe për konsumatorët e produkteve bujqësore

SHBA prodhuesi kryesor, Spanja e para në Evropë

Shtetet e Bashkuara vijojnë të jenë prodhuesi kryesor i të mbjellave bioteknologjike me 70.1 milion hektarë (40% e totalit). Kanadaja gjatë vitit 2013 numëronte 10.8 milion hektarë të mbjella bioteknologjike.

Pesë vende të BE-së, mbollën një sipërfaqe rekord prej 148,013 hektarë misër bioteknologjik gjatë vitit 2013, mbi 18 mijë hektarë ose 15% më shumë se në vitin 2012. Spanja kryeson në vendet e Bashkimit Evropian me një record prej 136,962 hektarë misër bioteknologjik. Portugalia, Rumania, Çekia dhe Sllovakia janë gjithashtu vende me mbjellje të konsideruaeshme të farërave bioteknologjike bazuar në një raport të ISAAA.

 Produktet bioteknologjike, ndër më të testuarat në histori

Sipas një analizë të mirëfilltë e bazuar në më shumë se 2000 studime nuk u gjet asnjë provë se të mbjellat bioteknologjike kanë efekte negative tek njerëzit apo në blegtori. Po ashtu një studim i kohëve të fundit bazuar në statistika shëndetësore të 29 viteve mbi produktivitetin blegtoral statistikave – duke kërkuar në të dhënat përkatëse para dhe pas futjes së ushqimit të modifikuar bioteknologjik në mbi një miliard kafshë arriti në përfundimin se ky ushqim është po aq i sigurt sa ushqimi i prodhuar në mënyrë tradicionale.

Bazuar në evidenca të përzgjedhura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Shoqëria Amerikane e Mjekësisë dhe nga Shoqata Mbretërore Britanike ndër të tjera, u arrit në përfundimin (link6) se ushqimet që përmbajnë përbërës të modifikuar bioteknologjik janë po aq të sigurt sa ushqimet që përmbajnë përbërës të modifikuar sipas teknikave tradicionale të kultivimit.

Bioteknologjia mund të përdoret për t’i bërë produktet më të ushqyeshme

Ekspertët janë duke përdorur bioteknologjinë për të prodhuar ushqime të reja që ofrojnë përfitime reale për njerëzit ashtu edhe për bagëtinë. Për shembull:
Prodhimi i një domateje me nivele më të larta të një përbërësi të quajtur anthocyanins, është provuar të jetë mbrojtës kundër një game të gjerë të sëmundjeve të njeriut.
Projekti Orizi i Artë planifikon të fusë në treg një tip të veçantë orizi të pasuruar me Vitaminë A, për të ndihmuar në parandalimin e rreth 500.000 rasteve të verbërisë tek fëmijët dhe 2 milionë vdekjeve që çdo vit shkaktohen nga mungesa e vitaminës A në vendet e pazhvilluara.

Për fat të keq, shumë nga këto projekte të vlefshme me potencial për të shpëtuar jetë nuk janë në gjendje të hyjnë në treg për shkak të mungesës së informimit të duhur të publikut mbi produktet e përftuara përmes bioteknologjisë.

Bioteknologjia mund të zvogëlojë përdorimin e pesticideve

Ndryshe nga çmund të mendohet, produktet bioteknologjike në fakt u japin mundësi fermerëve të përdorin më pak pesticidet (madje më pak toksike). Kjo është për shkak se produktet mund të modifikohen për të lejuar një përdorim specifik të pesticideve, duke siguruar rezistencë më të lartë të brendshme ndaj dëmtuesve dhe duke bërë që këto bimë të jenë më efikase në raport me barërat e këqija. Në fakt, një studim gjerman i publikuar në PLoS One arriti në përfundimin se "Mesatarisht, adaptimi i bioteknologjisë ka reduktuar përdorimin e pesticideve kimike me 37%, ka rritur prodhimin me 22% dhe fitimet e fermerëve me 68%."

Adaptimi i bioteknologjisë ka reduktuar përdorimin e pesticideve kimike me 37%, ka rritur prodhimin me 22% dhe fitimet e fermerëve me 68%

Ne mes të debateve – një çmim Nobel

Në mes të debateve pro dhe kundër ka edhe diçka që shkon përtej; një cmim Nobel për bioteknologjinë. Në vitin 1970, Norman Borlaug, i cili shpëtoi një miliardë njerëz nga uria, mori çmimin Nobel për impaktin që teknologjia e tij e grurit pati në zbutjen e urisë. Borlaug ishte një prej mbrojtësve më prestigjioz i biotoknologjisë dhe modifikimit të të mbjellave pasi ai e dinte shumë mirë rëndësinë e madhe dhe të jashtëzakonshme të saj në të ushqyerit e një bote në rritje. Në 2005 Norman Borlaug dha në këshillë vizionare për të mbjellat bioteknologjike, këshillë që ende në ditë e sotme është mjaft e vlefshme:

"Gjatë dekadës së fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të suksesit të bioteknologjisë bimore. Kjo teknologji po ndihmon fermerët në të gjithë botën të kenë prodhim të lartë duke reduktuar përdorimin e pesticideve dhe erozionin e tokës. Përfitimet dhe siguria e bioteknologjisë është provuar gjatë dekadës së kaluar në vendet ku banon më shumë se gjysma e popullsisë së botës. Ajo që ne kemi nevojë është kurajo nga krerët e atyre vendeve, ku fermerët ende nuk kanë zgjidhje të avancuara, por përdorin metodat e vjetra dhe më pak efektive. Revolucioni i Gjelbër dhe tani bioteknologjia bimore po ndihmojnë në përmbushjen e kërkesave për prodhimin e ushqimit, duke ruajtur mjedisin tonë për brezat e ardhshëm. "

Shqipëria – informacion i munguar publik

Në Shqipëri, informacioni mbi bioteknologjinë është shpesh i pamjaftueshëm, gjë që ka shkaktuar jo rrallë herë dyzim apo edhe keqkuptim mbi këtë fushë dhe shqetësime mbi sigurinë e produkteve. Është tashmë e provuar se bioteknologjia, nëse aplikohet sipas kushteve të mirëpërcaktuara, është jo vetëm e sigurt, por edhe e dobishme.

E rëndësishme është që komunikimi dhe informimi i publikut mbi bioteknologjinë duhet të jetë prioritet. Pasi tashmë është e qartë. Nuk mund të ushqejmë njerëzimin e të nesërmes me teknologjinë e së djeshmes.