Brokoli, Perimja e Zgjuar Shqiptare

884 0

Konsumatorëve shqiptarë u është dashur pak kohë të prezantohen, njihen dhe dashurohen me brokolin. Jo se brokoli ka faj, apo se është një perime e vështirë për t’u pëlqyer. Në këtë rast dhe në shumë të tjera , shqiptarët janë skeptikë për të shijuar perimet e gjelbëra dhe për t’i pranuar ato në dietën e përditshme si një gatim kryesor më shumë se sa një garniturë.

“Nuk më pëlqen brokoli. Nuk më ka pëlqyer që kur isha i vogël. Nëna ime më detyronte ta haja dhe sot jam President i Shteteve të Bashkuara.” Këto janë fjalët e ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush, lidhja e të cilit me popullin shqiptar ka qenë veçanërisht e fortë dhe që AgroWeb.org i sjell për të treguar se jo të gjithë e adhurojnë këtë perime.

Shqiptarët e zbuluan brokolin pas viteve 90, të paktën nga pikëpamja bujqësore. Legjendat urbane thonë se Arbëreshët ishin ndër më të apasionuarit kultivues të brokolit në gadishullin Apenin. Ky komunitet u vendos në Kalabri dhe në zona të tjera të Italisë pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria Osmane.

Pavarësisht skepticizmit, shqiptarët janë të zgjuar. Jo vetëm ata që e prodhojnë këtë perime, por edhe ata që kanë nisur ta konsumojnë me fanatizëm. Fermerët shqiptarë u mahnitën nga vlerat e kësaj perime të mrekullueshme dhe vendosën ta rrisin atë në nivele të ndjeshme.

Kjo ishte pikënisja e një marrëdhënie dashurie me shqiptarëve dhe brokolit. Sipas vëzhgimeve të AgroWeb.org, me kalimin e viteve, brokoli i rritur në Shqipëri plotëson jo vetëm kërkesat e tregut vendas, por eksportohet drejt edhe tregjeve ndërkombëtare.

Në fushat e Myzeqesë, kultivimi i brokolit është transformuar në një biznes të mirë dhe fitimprurës. Myzeqeja është kthyer në krenarinë dhe shembullin e të gjithë historikut shqiptar të mbjelljes dhe rritjes së perimeve.

Brokoli është një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë. Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun, të lirë në çmim por shumë të pasur në vlera dhe shije. Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit.

Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamin. AgroWeb.org ju tregon se tek brokoli gjeni edhe luteinë, zeaksanthinë, beta karoten dhe shumë antioksidantë të tjerë të fuqishëm.

Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat. Proçesi i detoksifikimit mbështetet nga substancaa si glukorafanina, glukonasturtina dhe glukobrasicina, të cilat aktivizojnë, neutralizojnë dhe eliminojnë ndotësit e dëmshëm të organizmit. 

Për më tepër, brokoli përmban isothiocinates që mbajnë nën kontroll proçesin e detoksifikimit në nivel gjenetik. Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteporozës.

Kjo perime e gjelbër bën mrekullira për zemrën. Vlerat anti-inflamatore të brokolit e bëjnë atë të rëndësishëm për mbrojtjen e enëve të gjakut nga problemet që shkaktohen nga sëmundjet kronike që kanë lidhje me sheqerin e gjakut.

Brokoli duhet gatuar sa më pak, në mënyrë që të maksimizoni potencialin e tij ushqyes. Mjafton ta gatuani për një kohë shumë të shkurtër me avull. Prezantimi i fëmijëve me brokolin nuk është një mision aq i pamundur, nëse dini se si tua shërbeni. Duke qenë se proçesi i gatimit shkatërron disa prej ushqyesve që gjenden tek kjo perime, përpiquni ta shkurtoni sa më shumë kohën e gatimit./AgroWeb.org