Bujqësia-365 ditët e ardhshme

309 0
Bujqësi e rajonalizuar, plotësim standardesh, siguria ushqimore, ujitja dhe kullimi, rritja e vlerave të cilësisë së markës shqiptare. Këto do të jenë prioritetet për bujqësinë në vitin e ardhshëm, të cilat Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i parashtroi gjatë një seancë parlamentare.
 

“Fondet për mbështetjen direkte për fermerët janë rritur nga 6.8 milion Euro në vitin 2013, në 12.8 milion Euro në vitin 2014.”

Për ministrin Panariti, rritja e eksporteve me 28 përqind ka ardhur si pasojë edhe e strategjive efikase. Të mos harrojmë, theksoi ai, se edhe situata në tregjet ndërkombëtare nuk ka qenë e favorshme për shkak edhe të embargos ruse. Megjithatë prodhimet tona kanë gjetur hapësirë edhe pse ne duam ta rrisim më tej mundësinë e eksporteve veçanërisht në vendet e BE-së. Aktualisht Shqipëria eksporton në 18 vende. Sfida jonë është plotësimi i standardeve.

Fondet për fermerët, 8632 përfitues të 12.8 milion eurove

Në mbështetje të fermerëve, në 2014-ën, fondet për mbështetjen direkte janë rritur nga 6.8 milion Euro një vit më parë, në 12.8 milion Euro. Shifrat i bëri publike Ministri Panariti në shpjegimin e tij për shpërndarjen e fondeve mbështetëse kombëtare si dhe për fondet evropiane për bujqësinë. Numri i përgjithshëm i përfituesve është 8632 subjekte të ndara në dy grupe; 94 përqind janë fermerë dhe 6 përqind janë agro-përpunues. Duke iu përgjigjur interesit të zotit Bitri, deputetit të qarkut Fier për fondet në këtë qark, Panariti tha se vetëm në Fier kanë përfituar 2300 fermerë në masën 1.6 miliardë lekë.

Përqasja e re ndaj bujqësisë? Rajonalizimi

Para pak javësh Qeveria shqiptare prezantoi hartën bujqësore për të përdorur më me efikasitet fondet e shtetit por edhe të donatorëve. Kjo hartë do të shërbejë si udhërrëfyes për kulturat që paraqesin përparësi në zona të caktuara. Për të konkretizuar këtë politikë, Ministri Panariti dha dy shembuj; Në Shkodër do t’i jepet përparësi bimëve medicinale, vreshtarisë, gështenjave ndërsa në Korçë do të kenë prioritet mollët, qepët, fasulet pllaqi e patatet.

Duket se gjithçka do të fokusohet te rajonalizimi. Shërbimet mbështetëse të bujqësisë, si laboratorët apo Drejtoritë Bujqësore në rrethe, do të specializohen për t’iu përgjigjur prioriteteve të secilës zonë. Ministria e bujqësisë ka përuruar së fundmi 8 laboratorë rajonalë që do të specializohen për kulturat përkatëse të çdo rajoni. Kjo, tha Panariti, do të rrisë edhe standardet.

Projektet për 2015-tën

Cilat do të jenë prioritet e Ministrisë së Bujqësisë për 2015-tën? Cilat janë projektet më të rëndësishme? Çfarë do të bëhet për rritjen e eksportit të produkteve të markës shqiptare? Si do të rriten standardet? Përgjigjen e këtyre pyetjeve Ministri Panariti e nisi nga projekti që e cilësoi si më të rëndësishmin; investimet në vaditje dhe kullim, përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit me Bankën Botërore me një fond prej prej 40 milion dollarësh.

Siguria ushqimore, kompetencat operatorëve privatë

Gjatë 2015-tës do të fuqizohen laboratorët për garancinë e sigurisë ushqimore ndërsa do të vazhdojë përqasja për të rritur vlerat e vulës së cilësisë së markës shqiptare në mënyrë që identiteti ynë të paraqitet me dinjitet në tregjet evropiane dhe botërore.

Për Ministrin Panariti reformat më mëdha, do të bëhen në ato fusha që rrjedhin nga detyrimet e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në BE. Një nga këto është reforma në fushën e sigurisë ushqimore të veterinarisë. Për këtë Ministria ka një strategji; t’u delegojë operatorëve privatë kompetencat e sigurisë ushqimore për të ardhur në nivelet e standartizimit që kërkuar BE-ja.

Raportin më të fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë sugjerohet një ligj për bujqësinë organike ashtu si edhe krijimi i një inspektoriati të mbikqyrjes së tregut. Sipas këtij Raporti problematikat kryesore në fushën e sigurisë ushqimore janë zhvillimi i kapaciteteve të vlerësimit të riskut, krijimi i një strukture inspektimi sistematike dhe hartimi i një strategjie gjithëpërfshirëse që do të qartësojë kuadrin ligjor, institucional dhe administrativ.