Drejt rinisjes së eksporteve me Rusinë

198 0

Trau i doganës ruse, drejt rihapjes për produktet shqiptare. Pas embargos së vendosur në 8 dhjetor nga pala ruse me pretendimin se Shqipëria është përdorur si vend i rremë origjine për importimin e mallrave të Bashkimit Europian, duket se çështja është sqaruar.

Agjencia Federale Ruse e Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare, Rosselkhoznadzor në faqen e saj zyrtare njofton për takimin mes Zëvendës Drejtorit të Rosselkhoznadzor, Alexei Saurin dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri, Vojo Brega.

Sipas njoftimit zyrtar, takimi u zhvillua me inisiativë të palës shqiptare dhe kishte si qëllim diskutimin mbi masat që duhet të merren për të ndërtuar një besim reciprok dhe për parandalimin e dëmtimit të eksportit të produkteve shqiptare në Federatën Ruse.

“Në të ardhmen Shqipëria do të zgjerojë gamën e produkteve të eksportit, të cilat do të përfshijnë edhe produktet e mishit dhe bulmetit”

Vojo Bregu ka shpjeguar rëndësinë e eksportit të produkteve shqiptare në Rusi për ekonominë shqiptare. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë ka ndërmarrë masa emergjente për të rinisur eksportet e ndërprera për shkak të çështjeve që lidhen me falsifikimin e çertifikatave fitosanitare. Në mënyrë të veçantë masa të menjëhershme janë marrë për prodhimin e çertifikatave me nivel më të lartë sigurie. Çertifikatat e përdorura deri më tani nuk do të jenë më të vlefshme pas datës 31 dhjetor 2014.

Agjencisë Federale Ruse të Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare i është dorëzuar një listë me insitucionet e autorizuara për lëshimin e çertifikatave për produktet që parashikohet të shkojnë në tregjet ruse. Kësaj agjencie i janë dorëzuar gjithashtu mostra të firmave të inspektorëve dhe pullat. Ndër të tjera pala shqiptare dorëzoi edhe materiale reference mbi tokën dhe prodhimin shqiptar. Pala shqiptare u sugjeroi autoriteteve ruse përdorimin e një sistemi lajmërues paraprak mbi ngarkesat karantinoze të importuara. Sipas rasteve konkrete, do të krijohen grupe pune për zgjidhjen e problematikave të ndryshme. Vetëm produktet vendase do të eksportohen nga Shqipëria në Rusi.

Vojo Bregu theksoi se në të ardhmen Shqipëria do të zgjerojë gamën e produkteve të eksportit, të cilat do të përfshijnë edhe produktet e mishit dhe bulmetit. Gjatë këtij takimi Z. Bregu ka ftuar delegacionin rus në një vizitë punë në Shqipëri.

Një rol të rëndësishëm në eksportin e sigurt të produkteve bujqësore nga Shqipëria në Rusi do të luajë një dokument dypalësh që do të rregullojë këto furnizime. Specialistë rusë do të nisin përgatitjet e këtij dokumenti, pasi të kenë studiuar materialet e dërguara nga pala shqiptare.

Ngjarja

3 dhjetor 2014. Agjencia ruse e lajmeve ITAR-TASS njofton se Rusia ndalon importin e perimeve nga Shqipëria me pretendimin se ato vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që Rusia që prej gushtit ka bllokuar importin nga këto vende duke vendosur embargo bujqësore. ITAR-TASS njofton se Agjencia Federale Ruse e Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare ka vendosur të ndalojë importimin e perimeve nga Shqipëria nga data 8 dhjetor.

Kreu i Agjencisë Ruse,të Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare Sergej Dankvert deklaron se vendimi u mor pas këshillimit dhe bashkëpunimit me palën shqiptare. Sipas tij, përmes nje hetimi u zbulua një rast, ku një kompani shqiptare lëshonte certifikata fitosanitare false, të cilat i printonte në një shtypshkronjë në Çeki. Zoti Dankvert tha se këto produkte të vendeve të BE-së kalonin pa u kuptuar në doganën Bjelloruse për t’u eksportuar në Rusi si produkte shqiptare për t’i shpëtuar embargos, duke shtuar se Shqipëria nuk arriti të ofrojë informacion mbi prodhimin e saj, të frutave dhe perimeve, për t’i krahasuar ato me sasinë e shtuar të furnizimeve për Rusinë.

4 dhjetor 2014. Ministri Edmond Panariti mban një konferencë për shtyp. Pyetet edhe për embargon ruse. A e cilëson këtë vendim, të padrejtë duke shtuar se ishte vetë Qeveria shqiptare, që pasi konstatoi se sasia e produkteve bujqësore shqiptare në Tregun rus, ishte pothuajse 4-fish në raport me vëllimet doganore dhe nuk përputhej as me kapacitetet shqiptare të prodhimit bujqësor, kontaktoi Trupën diplomatike ruse në Shqipëri në mënyrë që të merreshin masa për monitorimin e situatës. Pas këtyre monitorimeve u zbulua se falsifikimi i çertifikatave fitosanitare kryhej në një shtet tjetër dhe jo në Shqipëri. Ministri Panariti njoftoi se një grup specialistësh nga Shqipëria do të niseshin drejt Rusisë për sqarimin e situatës.