Bujqësia: Fruta perimet, motorri për rritje ekonomike

402 0

Në dekadat e fundit, Shqipëria ka pësuar shumë ndryshime thelbësore, të cilat kanë ndikuar në masë të madhe në ekonominë e vendit. Një prej tyre është dhe sektori i bujqësisë. Stabiliteti makroekonomik dhe fuqizimi i ekonomisë solli një qasje tjetër në sektor. Fermerët iu larguan kulturave me pak fitim si drithërat e i hodhën sytë tek ato më fitimprurëse si hortikultura dhe blegtoria.

Thonë që nevoja është nëna e shpikjes dhe fermerët shqiptarë duket se e kanë kuptuar se sado grurë e misër të mbilnin nuk do ia dilnin kurrë të mbijetonin. Ndërkohë që për frutat dhe perimet, kërkesa nga vendet e Bashkimit Evropian është gjithnjë e më në rritje, ndaj dhe bën sens, që ata të rrisin atë që i rrit.

Frutat i kanë dhënë frytet, por jo aq sa duhet. Që në fillim të viteve ’90 sfidat për politikëbërësit ende mbetet e njëjtë: si ta trasformojnë bujqësinë drejt një sektori efikas dhe konkurrues që do të zhdukë varfërinë.
Sipas Bankës Botërore, gati gjysma e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë. Të dhënat tregojnë se 46.2% e familjeve shqiptare janë të varfra dhe 6.1% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 2 dollarë në ditë.

Duke qenë se shumica e të varfërve jetojnë në zonat rurale, bujqësia ka të ngjarë të luajë një rol qendror në rritjen e të ardhurave mesatare. Sipas John McArthur një ekonomist në Institutin Brookings në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka publikuar së fundmi një studim në lidhje me bujqësinë ku përfshihet edhe Shqipëria, bujqësia është mjeti për t’i dhënë fund varfërisë.

Duke qenë se shtresat më të varfra janë pikërisht në zonat rurale, aty ku dhe bujqësia ka impaktin më të madh. Në Shqipëri, 48% e fuqisë punëtore është e angazhuar në bujqësi dhe gati 60% e popullsisë rurale i fiton të ardhurat e tyre nga bujqësia. Shifër, e cila është e lartë në krahasim me vendet e BE-së. Fokusi, sipas McArthur, pë Shqipërinë duhet të jetë drejt produkteve më të tregtueshme.

Të dhënat e publikuara nga Brookings, tregojnë se në vitin 2010 kulturat e kultivuara më shumë në Shqipëri janë 47% drithëra (18% misër dhe 24% grurë), vajra 14%, 7% bishtajore dhe 25% fruta dhe perime dhe 4% kultura të tjera. Të dhënat tregojnë gjithashtu se ne kemi pësuar një humbje prej 2% në tokës e kultivuar nga 316,802 që ishte në vitin 2000 në 310,232 në vitin 2010.

Të ardhurat nga bujqësia dhe pylltaria kanë një rol të rëndësishëm në jetën e banorëve në zonat rurale. Megjithatë, shifrat zyrtare tregojnë se ka rreth 130,000 ferma familjare (ose 36% e totalit) marrin të ardhura nga aktivitete jo bujqësore dhe afërsisht të njëjtin numër marrin nga dërgesat e emigrantëve.

Prodhimi i perimeve mbetet gjithsesi një burim i rëndësishëm i të ardhurave dhe ushqim (për vetë-konsum) për fermerët shqiptarë. Është vlerësuar se gati 245.000 ferma, dmth më shumë se 2/3 e totalit, janë të angazhuar në prodhimin e perimeve. Shumica e fermave (350,000 nga 353,000) prodhojnë në fushë, prej të cilave pothuajse 255,000 ferma apo më shumë se 2/3 e numrit të përgjithshëm janë të angazhuar në prodhimin e perimeve, nga të cilat vetëm 4955 fermerë janë të përfshirë në kulturat e mbrojtura.

Bujqësia supozohet të jetë një nga ato sektorët e "thjeshtë". Por të dhënat e paraqitura nga Brookings nënvizojnë se në fakt është tërësisht e kundërta. Nëse ne kemi hequr dorë nga prodhimi në masë i grurit dhe misrit dhe i kemi hedhur sytë nga pemtaria e fruta perimet, atëre kjo do të thotë diçka. Nëse hortikultura dhe blegtoria na heqin nga varfëria dhe zhvillojnë ekonominë, atëherë është koha që të vazhdojmë të rrisim atë që na rrit.