Bujqësia Kosovare në BE: M™don .. S™m™don

579 0

“M’don .. S’m’don. Loves me .. Loves me not. Me quiere .. Non me quiere. M’ama … Non m’ama”. Me këtë slogan të goditur Ministria e Bujqësisë së Kosovës ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të EXPO 2016 në Antalia në Turqi, ku Kosova merr pjesë për herë të parë. Por jo vetëm. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Acocimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të gjithë sytë tani janë të drejtuar tek bujqësia, si sektori që mund të ndryshojë fatet e ekonomisë kosovare.

Por para se të hipi në podium bujqësisë kosovare i duhen të kapërcejë disa pengesa jo të vogla. Struktura e pafavorshme e fermave (madhësia mesatare e fermës është 1.5 ha), çështjet e përpunimin dhe tregtimin të produkteve bujqësore dhe pyjore, siguria ushqimore, zhvillimi rural, krijimi i mundësive të punësimit në zonat rurale, si dhe përmirësimi i standardeve të jetesës dhe kushteve të punës në zonat rurale, janë vetëm disa nga çështjet me të cilat përballet sektori.

Por ajo më akute, mbetet bilanci negativ tregëtar. Kosova është një nga importueset më të mëdha të produkteve ushqimore në Evropë për frymë, ndërkohë që eksportet janë të varfra. Në vitin 2014, eksportet u rritën me 10.5% duke kapur vlerën e 325 million Euro, ndërkohë që importet u rritën me 3.6% në 2.5 billion Euro, duke e thelluar akoma më shumë defiçitin tregëtar.

Për t’i zgjidhur këto probleme që mbajnë në stanjacion sektorin, qeveria e Kosovës ka rritur në mënyrë të ndjeshme investimet në bujqësi, përmes rritjes së buxhetit apo rritjen e granteve nga ana e organizatave të ndryshme ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë për të rritur sektorin, i cili është akoma i fragmetarizuar.

Në Kosovë, rreth 72% e fermerëve kanë deri 1.5 ha tokë dhe një total prej 91% deri në 3ha. Ndërkohë që vetëm 1.500 fermerë kanë mbi 10 hektarë.

Por, sipas Ministrit të Bujqësisë së Kosovës, Memli Krasniqi, duke iu referuar Programit për Bujqësinë në vitin 2016, madhësia e tokës së punuar është rritur duke çuar në një rritje të prodhimeve blegtorale.

Mbi 2500 produkte bujqësore nga Kosova tani janë të liruara nga tarifat doganore të BE-së

Sipas Krasniqit, në të ardhmen e afërt, kjo pritet të ketë një efekt direkt në rritjen e eksporteve të produkteve blegtorale në përputhje dhe me standardet evropiane, kjo falë dhe nënshkrimit të MSA.

“MSA ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) ka hyrë në fuqi tashmë dhe ndër efektet e saj të rëndësishme është fakti se mbi 2500 produkte bujqësore nga Kosova tani janë të liruara nga tarifat doganore të BE-së”, ka thënë ministri Krasniqi në një intervistë për Agroweb.

“Pa dyshim, ky është një hap tejet i rëndësishëm për prodhuesit dhe përpunuesit tanë, sepse tani ata kanë qasje në një treg prej rreth 500 milionë konsumatorësh. Kjo krijon më shumë mundësi për shitjen e prodhimeve të tyre, për zgjerim të kapaciteteve dhe shtim të linjave të prodhimit, por edhe për ngritje të standardeve të cilësisë së produkteve tona”, u shpreh Krasniqi.

Memli Krasniqi, Ministri i Bujqësisë së Kosovës

Por hapja drejt tregut evropian do të nënkuptojë dhe rritje të konkurencës për produktet e Kosovës. Numri i produkteve evropiane që do të tregëtohet pa taksë doganore do të rritet dhe Kosova mund t’i thotë lamtumirë ëndrrës për të patur defiçitin tregëtar nën kontroll, duke qenë se importet do të rriten.

Por për Memli Krasniqin “kjo duhet të shihet pozitivisht, si një mundësi që të punojmë edhe më shumë, të investojmë edhe më shumë në rritjen e vazhdueshme të prodhimit dhe të cilësisë, si dhe promovimit të produkteve tona”, thotë ai për Agroweb.

Marrëveshja e Tregëtisë nga ana tjetër do të heqë tarifat e tyre doganore për mallrat nga Kosova, duke lejuar që Kosova të mbajë tarifat e saj për shumë mallra nga vendet e BE për një numër vitesh.

Ndërkohë që sipërmarrësit e rinj që duan të investojnë në këtë sektor do të mund të përfitojnë nga fondet e BE-së përmes programeve të mikrofinancës. Edhe pse Kosova ka një numër të madh fermash të vogla, do të jetë e rëndësishme që ajo të jetë unike me produktet e saj tradicionale për të konkuruar në tregun e madh prej 500 milionë konsumatorësh.

Kosovë-Shqipëri, më shumë tregëti mes dy vendeve

“Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri është shtuar dukshëm në fushën e bujqësisë. Ajo çfarë ne si dy Qeveri jemi përpjekur të bëjmë ka qenë dhe mbetet krijimi i mundësive, i një ambienti me të favorshëm për bashkëpunim dhe tregti ndërmjet prodhuesve dhe përpunuesve nga të dy vendet”, thotë ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi.

Kosova, është partneri i dytë në eksportet e Shqipërisë me 9.1% të totalit të eksporteve. “Dhe angazhimi ynë i përbashkët tashmë ka dhënë rezultate konkrete. Është evidente se shkëmbimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është rritur gjatë vitit të kaluar. Ka një rritje të konsiderueshme të eksportit të prodhimeve bujqësore të Shqipërisë drejt Kosovës. Besojmë se do të ketë rritje të ndjeshme edhe të eksportit të Kosovës drejt Shqipërisë”.

Pavarësisht rritjes 50% të vëllimit të mallrave të eksportuara nga Shqipëria në Kosovë, pritet një rritje e eksportit të mallrave kosovare në Shqipëri, sidomos pas nënshkrimit të MSA-së, e cila do të rrisë investimet e huaja direkte dhe do të inkurajojë fermerët që të prodhojnë më shumë.

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur me 20 milionë euro më shumë gjatë vitit 2015, krahasuar me vitin 2014. Gjatë vitit 2015, eksportet e Kosovës në Shqipëri janë vlerësuar në një vlerë prej 60 milionë euro, ndërsa importet shqiptare janë vlerësuar në vlerë prej 200 milion euro.

Aktiviteti i ndërsjelltë ekonomik është rritur në drejtim të eksporteve dhe importeve dhe kryesisht të produkte bujqësore. Pavarësisht nga kjo, bizneset e të dyja vendeve kanë hasur ende barrierat burokratike në pikat e kalimit në kufi.

Në shtatorin e vitit të kaluar të dy ministrat e bujqësisë u takuan dhe ranë dakord që t’u jepet fund këtyre pengesave, duke qenë se kanë ndikim direkt tek të dy vendet.

Pas takimit, Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë doli me një deklaratë për shtyp, ku ministri Edmond Panariti zotohej që barrierat nga pala shqiptare do të hiqeshin. “Ne kemi rënë dakord që t’i japim fund të gjithë burokracive dhe barriereva të panevojshme, që ne kemi vënë re, siç ka qenë rasti i tregëtimit të miellit mes tregëtarëve shqiptarë e kosovarë”, deklaroi ministri Panariti, i cili nuk harroi të përshëndesë homologun Krasiniqi për statusin ekskluziv që i kanë dhënë eksporteve në Shqipërisë në Kosovë. Ashtu si dhe 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat i kanë hapur dyert për 2.500 produkte kosovare.