Bujqësia – Sektori që Punëson Mbi Gjysmën e Shqiptarëve

339 0

Sektori bujqësor në Shqipëri ka përqindjen më të lartë të të punësuarve. Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave, INSTAT tregojnë se në vitin 2016, 50,7 % e të punësuarve janë punonjës të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit.

Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencial më të madh në Shqipëri. Bujqësia është burimi kryesor i punësimit dhe të ardhurave veçanërisht në zonat rurale të vendit, përfaqëson rreth 20% të PBB-së dhe përbën rreth gjysmën e punësimit total.

Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2016, numri i personave në forcën e punës është 1.365 000 persona. Femrat përbëjnë 43,4 % të forcës së punës dhe meshkujt 56,6 %. Të punësuar janë 1.157 000 persona, ku femrat përbëjnë 43,8 % të të punësuarve dhe meshkujt 56,2 %.

Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 208 000 persona, ndër të cilët 41 % janë femra dhe 59 % janë meshkuj. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 66,2 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,8 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 55,9 %. Shkalla e punësimit për femrat është 49,7 % dhe për meshkujt 61,9 %.

Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 12,2 pikë përqindje. Sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 40,2 % dhe 40,4 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2016, rezulton se 41,2 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,9 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 23,9 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes

Shkalla zyrtare e papunësisë, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 15,2 %. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 1,5 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me vitin 2015, shkalla zyrtare e papunësisë ka rënë me 1,9 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 28,9 %, (29,7 % për meshkujt dhe 27,8 % për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 4,3 pikë përqindje. Në vitin 2016, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 30,0 % të të rinjve gjithsej.

Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 39,2 % klasifikohen si të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë ose të dekurajuar (13,1 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (10,0 %), ose për arsye të tjera (27,7 %).

Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2016, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Elbasan (64,5 %), Fier (61,5 %) dhe Berat (61,5 %). Ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë Tirana (50,3 %) dhe Kukësi (50,3 %).

Për të njëjtën popullsi, qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë Qarku i Vlorës me 25,1 % dhe ai i Tiranës me 19,8 % ndërkohë që shkalla më e ulët vërehet në qarkun e Dibrës me 8,6 %. Në vitin 2016, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej ( 5,4 %). Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (68,5 %). Një peshë të konsiderueshme zë edhe industria ( 26,1 %)./AgroWeb.org