Çaji i Malit Shqiptar – Mundësia e Artë për Eksport

825 0

Për shqiptarët ka qenë miku më i mirë i ditëve apo netëve kur temperaturat ulen.

Mëngjeset e hershme për shumë nisnin me një filxhan çaj e bukë të thekur.

Netët e vona mbylleshin me ngrohtësinë, shijen e fortë dhe aromën unike të tij.

Konsumimi i këtij çaji është bërë pjesë e një riti të përditshëm, siç është konsumimi i çajit në vendet me traditë, dhe mbi të gjitha është një kurë e padiskutueshme e përdorur nga të gjithë.

Ndoshta tashmë e keni gjetur për kë bëhet fjalë, por për ata që mund të kenë dyshime po e zbulojmë. Sideritis është termi që përdoret në botanikë, për Çajin e Malit.

Por njëkohësisht sot një pije unike e shumë e shëndetshme.

Është thesar i paçmuar nga i cili mund të përfitohet, jo vetëm duke e konsumuar, por edhe duke e eksportuar pasi kërkesa e tregjeve të huaja po njeh vetëm rritje.

Çaji i malit shqiptar – mundësi e artë për eksport

“Është unik dhe nuk gjendet askund tjetër përveç se në Shqipëri”, kështu e cilëson çajin e malit shqiptar, Peter Furth, Drejtor Ekzekutiv i FFF Associates Inc.

Zoti Furth është konsulent ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi tregtinë ndërkombëtare dhe marketingun.

Ai është i specializuar dhe me eksperiencë të gjerë veçanërisht në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Në një kontakt ekskluziv për AgroWeb.org, Z.Furth shpjegon se varieteti i çajit të malit që rritet në Shqipëri është një kulturë unike.

Ai e ka studiur dhe eksploruar për ta prezantuar atë në një publik më të gjerë të konsumuesve të çajit në mbarë botën.

Ai shprehet se tregjet janë të etura për produkte të reja, produkte unike që mund t’i ofrohen konsumatorit.

“Do ta shihja çajin e malit si një mundësi të artë, shprehet ai. Vlen të provohet nëse kjo kulturë e egër do të mund të kultivohet me sukses në sasi të mëdha.

Nëse kompanitë e mëdha do të interesoheshin në këtë produkt të ri që do të ofronin, kjo do të thoshte një treg tejet të madh.

Por sasitë e çajit të malit të mbledhur në gjendje të egër nuk mund të plotësojnë dot kërkesat në rritje të tregut të brendshëm. Kërkesës për prodhim origjinal shqiptar me kilometër ‘zero’ i shtohen edhe nevojat e sasive për eksport drejt tregjeve ndërkombëtare.

Kilometri Zero

Gjithmonë e më tepër, konsumatorët vendas po drejtohen drejt prodhimit vendas.

Ndaj po zë vend gjithmonë e më tepër logjika e kilometrit ‘zero’. Kjo do të thotë preferencë ndaj produktit që nuk transportohet nga larg, por ofrohet brenda distancave lokale.

Tashmë ka nisur të realizohet me sukses edhe kultivimi i çajit të malit shqiptar.

Parcelat eksperimentale me çajin e malit të kultivuar kanë rezultuar të suksesshme. Shpejt një produkt me prodhim më të garantuar do të jetë i pranishëm në treg.

Për të siguruar ruajtjen e cilësisë së çajit të malit shqiptar dhe unifikimin e vlerave të tij me bimën natyralisht të egër, USAID nëpërmjet projektit të implementuar nga AAC Lushnja ka publikuar një manual të praktikave më të mira në kultivimin e çajit të malit shqiptar.

Edhe ekspertiza e ofruar, do të shërbejë si shtysë për të nxitur kultivimin dhe prodhimin e një kulture të re bime medicinale.

Kjo bimë përveç tregut të garantuar vendas, përballet me kuriozitet dhe pritshmëri të lartë nga tregjet e huaja gjithmonë në kërkim të mirësive të rradhës nga tokat shqiptare.

Z. Furth inkurajon punën kërkuese në fushën e bimëve mjekësore.

Kërkimet do të krijonin mundësi të reja për këtë sektor me potencial të lartë në Shqipëri.

Punë në këtë drejtim po bëhet dhe ajo punë që po bëhet është e mirë, thotë ai.

Por nuk është e mjaftueshme pasi Shqipëria është e bekuar me një thesar të çmuar bimësh mjekësore.

Eksplorimi i tyre për qëllime tregtare, është një proçes i gjatë dhe do të kërkojë kohë.

Ai inkurajon projektet dhe qeverinë shqiptare të bashkëpunojnë për të punuar më shumë në fushën e kërkimit./AgroWeb.org