Copëza të Rrezikshme Plastike Në Kosin e Frutave Nga Italia

1.7k 0

Ministria e Shëndetësisë në Itali ka komunikuar tërheqjen nga tregu italian dhe evropian të disa llojeve kosi frutash.

Zyrtarisht institucioni më i lartë italian i mbrojtjes së shëndetit lajmëron konsumatorët italianë dhe europianë se kosi i frutave me markën “Kullotat italiane” duhet të tërhiqet menjëherë nga tregu për shkak të pranisë së copëzave të forta plastike të përziera brenda kosit.

Produktet në fjalë kanë të bëjnë me paketimin 120 gramësh me çokollatë, me banane dhe me luleshtrydhe nga marka “Pascoli italiani” dhe data e alarmit është 24 Janar 2018.

Paketimet e rrezikshme të këtyre llojeve të kosit të  frutave, sipas burimeve AgroWeb.org janë prodhuar nga Latte Montagna Alto Adige Soc. Agr. COOP në Bolzano dhe të paketuara për Eurospin Italia.

Çfarë duhet bërë?

Rrjetet e shitjes së këtyre produkteve rekomandojnë që ju në asnjë mënyrë të mos konsumoni këto lloje kosi frutash.

Ato udhëzojnë që t’i ktheni këto paketime të koseve të frutave në pikat e shitjes për rimbursim ose zëvendësim.

Ministria e Shëndetësisë Italiane gjithashtu lajmëron të gjitha institucionet e mbrojtjes së konsumatorëve dhe agjensite e kontrollit të ushqimit evropiane për problematikën e mësipërme të kësaj sasie të prodhuar.

Për shkak të pranisë të fragmenteve të forta plastike që gjenden në brendësi, AgroWeb.org njofton se kjo sasi dyshohet shumë e rrezikshme për shëndetin pasi mund të shkaktojë mbytjen e konsumatorëve, sidomos më të vegjëlve.

Kosi i frutave që lajmërohet problematik nga Ministria e Shëndetësisë në Itali.

Kosi i frutave që i nënshtrohet tërheqjes së menjëhershme nga tregjet tregon datën e skadencës deri në 1 Mars 2018.

A përbën problem ky kos frutash për konsumatorët shqiptarë?

Gjithmonë e më tepër, tregjet shqiptare janë të hapura ndaj mallrave në dukje cilësore që vijnë nga vendet fqinje.

AgroWeb.org ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga institucionet shqiptare mbi praninë apo mospraninë në Shqipëri të llojit të kosit të frutave të akuzuar nga Ministria e Shëndetësisë së Italisë.

Klikoni këtu për të parë njoftimin origjinal nga Ministria e Shëndetësisë Italiane.

Por autoritetet sllovene të kontrollit ushqimor kanë njoftuar që kjo sasi e këtij kosi frutash problematik është gjendur në tregjet e Sllovenisë.

Shtypni këtu për njoftimin origjinal nga Ministria e Bujqësisë së Sllovenisë.

Vendet e tjera ballkanike po mbledhin me ngut informacion nëse ky lloj kosi frutash gjendet në vendet e tyre.

Konsumatorët shqiptarë këshillohen të shikojnë mirë foton e paketimit të kosit problematik të frutave dhe të shmangin blerjen e tij nëse e ndeshin në pikat e blerjes.

Përveç markës së treguar në foto dhe në tekstin më lart, tipet e tjera të kosit të frutave të tregtuara në Shqipëri nuk paraqesin asnjë problem apo problematikë të tillë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.