COVID-19: Ndikimi Pozitiv i Izolimit Po Jep Shenjat e Para Në Mjedis

373 0

Ndotja atmosferike ka rënë më shumë se 45% krahasuar me vlerat e vitit 2019 në disa qytete europiane, ndërkohë që masat kufizuese prej koronavirusit i kanë detyruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

Sipas një kërkimi të Royal Netherlands Meteorological Institute (KNMI), në Paris, për shembull, niveli i dioksidit të azotit ka rënë 54%.

Shkencëtarët e Institutit holandez, duke përdorur instrumentin e Bashkimit Europian, Copernicus Tropomi, krahasuan përqendrimin e dioksidit të azotit nga data 13 mars deri më 13 prill 2020 dhe i krahasuan matjet me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Ata gjetën se ndotja e ajrit kishte rënë thuajse në të njëjtin nivel në Europë, ku në Madrid, Milano e Romë, është regjistruar një rënie rreth 45%.

Në lidhje me llogaritjet ka një marzh të konsiderueshëm gabimi prej 15%, që mund t’i atribuohet, në pjesën më të madhe, kushteve të ndryshme atmosferike dhe luhatjeve të mëdha të nivelit ditor të dioksidit të azotit. Kështu ata llogaritën një mesatare të përqendrimeve në një periudhë 15-ditore.

“Mesatarja e të dhënave gjatë periudhave të gjata na jep mundësi t’i shohim më qartë ndryshimet e përqendrimeve për shkak të aktivitetit të njerëzve. Për këtë arsye, hartat shfaqin përqendrimet në një periudhë njëmujore, me një marzh gabimi 15% që reflekton ndryshimet e motit, të cilat nuk janë marrë parasysh në mesataret mujore të përdorura” – thotë Henk Eskes, shkencëtar në KNMI.

Dioksidi i azotit është një agjent ndotës i ajrit që prodhohet nga aktiviteti industrial, si udhëtimet në rrugë dhe ato ajrore.

Ai mund të shkaktojë pasoja të mëdha në shëndetin e njerëzve. OBSH vlerëson se ndotja e ajrit është shkaktar për 7% të vdekjeve të parakohshme në nivel global në vitin 2016./Burimi:Monitor

Imazhe krahasuese nga të dhënat e Radarit të Fluturimit / 14 Prill 2019 me 14 Prill 2020.

Imazhe krahasuese nga të dhënat e Radarit të Fluturimit / 14 Prill 2019 me 14 Prill 2020.