Dhjetëra Ton Kripë e Rrezikshme Në Shqipëri – Tërheqje Urgjente nga Dyqanet

554 0

Një nga produktet e përdorura përditë në shtëpitë tona, restorantet dhe çdo biznes tjetër ushqimi, kripa, rezulton të jetë nën normën e lejuar të jodit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kontrolluar dy subjekte të importit të kripës në vend ku pas kontrollit ka rezultuar se kripa ka qenë me nivelin e jodit nën normën e lejuar.

Në këto kushte, AKU ka kërkuar tërheqjen në mënyrë urgjente të të gjithë sasisë së kripës së importuar nga subjekti “Euroalb” dhe subjekti tjetër “N&N” të cilët tregtonin kripën me markën “Sale Marino” dhe “SoSalt”.

AKU ka urdhëruar asgjësimin e menjëhershëm të rreth 45 ton kripe në total, një sasi e jashtëzakonshme e cila vë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

Reagimi i AKU

Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit nëpërmjet parandalimit të çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon monitorimin/kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi nga operatorët e biznesit ushqimor (OBU) të cilët kanë si aktivitet importimin, përpunimin dhe ambalazhimin e produktit kripë, nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë në zinxhirin ushqimor “kripë për konsum njerëzor dhe industrinë ushqimore”.

Së fundi nga kontrolli i ushtruar në dy subjekte kryesore tregtuese të kripës në vend, u konstatua gjëndje e produkti kripë me nivel jodi nën normën e lejuar dhe si rrjedhojë u mor masa administrative “Bllokim” për sasinë 31 ton dhe masa administrative “Gjobë” në vlerën totale prej 2,6 milionë lekë.

Masat dhe Gjobat

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Eurolab” u konstatuan 4 shkelje ligjore dhe u morën masat e mëposhtme:

Për importim në kundërshtim me Ligjin e Ushqimit, ku mungonte certifikata origjinale e lëshuar nga vendi i origjinës, u mor masa administrative “gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë,

Për mungesë të një sistemi funksional gjurmueshmërie, u mor masa administrative “gjobë” me vlerë 100,000 lekë,

Për etiketim produkti të parregullt, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 100,000 lekë,

Për veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit Ushqimor, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 300,000 lekë.

Përpos masave të mësipërme, u vendos masa “Bllokim” për sasinë prej 16.2 ton kripë.

Subjektit i’u kërkua të tërheqë nga tregu të gjithë sasinë e kripës e cila nuk përmbushte kriteret ligjore për nivelin e jodit me detyrën për asgjesimin e saj.

Si dhe u vendos ndërprerja e menjëhershme e veprimtarisë së tregtimit të kripës.

Nga kontrolli i kryer në një tjetër subjekt (N&N) për përmbushjen e kërkesave ligjore për tregtimin e kripës u konstatuan disa problematika dhe u morën masat si më poshtë:

Për import në kundërshtim me ligjin, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë,

Për veprime në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë së produktit, u vendos masa administrative “gjobë” me vlerë 100,000 lekë,

Operatori i Biznesit Ushqimor u urdhërua të tërheqë nga tregu produktin kripë të shpërndarë për shitje në sasinë prej 15 ton kripë.” thuhet ne njoftimin e AKU./AgroWeb.org