Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në katër vitet e fundit, numri i qytetarëve të identifikuar në fazën paradiabetike ka arritur në 73,000.

Paradiabeti është faza e parë e diabetit dhe sipas mjekëve, ajo është një shenjë paralajmëruese e kësaj sëmundjeje të rëndë.

Paradiabeti ndodh kur niveli i glukozës në gjak ose niveli i sheqerit në gjak është më i lartë se normalja, por nuk është aq i lartë sa të konsiderohet diabet.

Javën e shkuar, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nënvizoi se “kapja e hershme e sëmundjes do të thotë që të kesh mundësi ta parandalosh sëmundjen nëpërmjet stilit të jetës, dietës të shëndetshme dhe pa patur nevojë për t’u trajtuar me medikamente”.

Shenjat e Paradiabetit

Diabeti zhvillohet shumë gradualisht, kështu që kur jeni në fazën e paradiabetit, mund të mos keni fare simptoma mjekësore.

Megjithatë, mund të vëreni se:

  • Ndjeni uri më tepër se zakonisht
  • Jeni duke humbur peshë, pavarësisht se hani më shumë
  • Jeni më të etur se zakonisht
  • Ju duhet të shkoni më shpesh në banjë
  • Ndiheni më të lodhur se zakonisht

Të gjitha këto janë shenja tipike të lidhura me diabetin, prandaj nëse jeni në fazat e hershme të diabetit, mund t’i vini re ato.

Por lajmi i mirë është që paradiabeti është i kthyeshëm nëse merren masat e duhura.

Mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, kolesteroli i dëmshëm, tensioni i lartë janë çka duhet të përmirësoni.

Bishtajoret Më Të Mirat Kundër Paradiabetit 

Njerëzit që konsumojnë më shumë bishtajore përballen me një rrezik më minimal për shfaqjen e paradiabetit, ose nivelit në rritje të glukozës në gjak.

Bishtajoret përfshijnë fasulet, bizelet, thjerrëzat e shumë të tjera, të cilat rekomandohen si ushqime shumë të shëndetshme për organizmin.

Të dhënat e studimeve tregojnë se njerëzit që konsumojnë tre ose më shumë racione fasulesh në javë përballen me një rrezik 25% më të ulët të shfaqjes së paradiabetit.

Njerëzit që konsumojnë vetëm një racion ose më pak në javë, janë shumë herë më të rrezikuar.

Të dhënat e British Journal of Nutrition tregojnë se konsumi i bishtajoreve ndihmon në rënien në peshë, lufton obezitetin dhe ul tensionin e gjakut.

Sipas revistës, ulja e masës dhjamore në organizëm është mënyra më e mirë për të trajtuar paradiabetin dhe parandaluar transformimin e tij në diabet./AgroWeb.org