Diaspora kërkon Produkte Made in Albania – Zbuloni Cilat Janë

867 0

Në Bronx të New York City, dyqanet e vogla me shije unike e mbushin tërë rrugën me nostalgji.

Kjo u ndodh me mijëra shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara

E në fakt kush mund t’u vërë faj, pasi tradita e produkteve shqiptare të ngelet në qiellzë, edhe në formë nostalgjike.

Në Shtetet e Bashkuara jetojnë më shumë se 200.000 shqiptarë, ku gati gjysma e tyre janë emigrantë nga Shqipëria.

Por pavarësisht këtij numri relativisht të lartë, tregëtia zyrtare e produkteve shqiptare në Amerikë pothuajse nuk ekziston.

Kështu thuhet dhe në një studim të fundit të publikuar nga Qendra e Zhvillimit Ndërkombëtar në Universitetin Harvard mbi sfidat e zhvillimit të tregtisë nostalgjike tek shqiptarët që jetojnë në Amerikë.

Pikërisht këtij studimi i referohet AgroWeb.org.

“Ne kemi marrë në studim rreth 200 shqiptaro-amerikanë dhe disa dyqane që ofrojnë produkte të importuara nga Ballkani në tre zonat metropolitane të SHBA.

Ato të cilat kanë dhe popullatën më të madhe me shqiptarë, për të studiuar zakonet e tyre të blerjes.

Nga studimi doli se gatishmëria për t’i blerë produket nuk përputhet me furnizimin e mjaftueshëm.

Dyqanet, të cilat i ofrojnë këto produkte janë të pakta dhe shpesh të vështira për t’i gjetur dhe ofrojnë pak produkte.” Kështu thotë për AgroWeb.org Manuel Orozco, i cili është drejtuesi i studimit.

Sipas të dhënave të gjeneruara nga studimit, komuniteti i shqiptarëve në Amerikë, që përbëhet kryesisht nga gjenerata e parë, por dhe nga gjenerata më e vjetër e shqiptarëve kanë shfaqur interes për shumë nga produktet shqiptare.

Pothuajse dy të tretat e shqiptarëve kanë thënë se konsumojnë produkte të importuara nga Shqipëria.

Por edhe pse 62.7% e shqiptarëve kanë thënë se blejnë produkte të importuara nga Shqipëria, ka disa fakte interesante.

Përshembull, 87% e shqiptarëve nga Kosova pohojnë se blejnë produkte shqiptare.  80% e atyre që jetojnë në New York i kërkojnë ato.

Eshtë gjithashtu interesant fakti që produktet më popullore të shqiptarëve të Amerikës janë mishi, djathi i ndjekur nga alkoli, kryesisht rakia. Këto ndiqen nga kafeja tradicionale që konsumohet në Shqipëri.

Por nëse bashkangjitet dhe byreku e suxhuku, atëherë mishi, djathi, buka e traditës dhe alkooli janë produket me predominancë më të lartë që konsumohen nga ky komunitet.

Por fakt është gjithashtu që jo të gjitha produktet e përmendura janë me origjinë shqiptare.

Po të krahasosh të dhënat zyrtare të importeve të ushqimeve të SHBA nga Shqipëria ka një mospërputhje me atë që diaspora raporton.

Byrek Dukagjini në Bronxdale, New York City

Sfida për furnizimin me produkte

Kur krahasohet me kërkesën, oferta e produkteve nostalgjike nga Shqipëria për komunitetin e diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë e vogël. Importet nuk arrijnë të plotësojnë kërkesën.

Në fakt, pothuajse gjysma e shqiptarëve në SHBA tregojnë për vështirësi në gjetjen e produketve të tyre të preferuara.

Furnizuesit nga ana tjetër janë të paktë në numër, shumë të shpërndarë dhe të kufizuar edhe në sigurimin e produkteve.

Pak produkte

Sipas studimit të Harvard, arsyeja se pse shqiptarët e Amerikës nuk konsumojnë produkte të vendit të origjinës, është se nuk kanë se ku t’i gjejnë.

Çka tregon dhe gamën e gjerë të problemeve që kanë lidhje me furnizimin.

“Nëse unë do të gjeja produkte shqiptare, do t’i blija”, janë përgjigjur shumë nga të anketuarit.

Mundësitë për të zgjeruar tregtinë

Tregtia nostalgjike është një terren i paprekur për produktet shqiptare.

Afro 72% e bizneseve janë shprehur se do të ishin të gatshëm të shtonin produktet shqiptare në të ardhmen. Por duke vënë theksin tek mundësitë për të zgjeruar tregtinë mes Shqipërisë dhe SHBA-së./Agroweb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.