Kultura e të bërit pazar duke përdorur çdo çantë tjetër përveç plastikes ka zënë rrënjë edhe në Shqipëri.

Problemi i vetëm qëndron paketimi i ushqimeve, sidomos frutave perimeve, barishteve dhe zarzavateve në shtëpi dhe në mungesë të qeseve plastike që vinin falas nga dyqanet apo supermarketi.

Cilat janë mënyrat më të mira për të paketuar ushqimet, mbrojtur ato dhe prodhuar sa më pak mbetje ushqimore?

Kur frutat dhe perimet mbështillen apo futen në qese plastike, ato mund të qëndrojnë të freskëta për javë të tëra. Por dëmi që i shkaktojmë mjedisit duke përdorur qese plastike është shumë i madh.

Nëse keni hequr dorë nga plastika, atëherë në këtë artikull do të mësoni shumë për alternativa më të mira dhe më të sigurta për ruajtjen e ushqimeve tuaja në frigorifer dhe zgjatjen e freskisë së tyre për plot dy javë.

Barishtet

Barishtet kanë tendencën të vyshken shpejt. AgroWeb.org ju rekomandon që barishtet të mos i ruani në tufa por t’i ndani fletë më fletë, t’i lani mirë dhe t’i thani me kujdes.

Më pas mbështillini në një napë ose peshqir kuzhine dhe vendosini në frigorifer, në një zonë me hapësirë të bollshme.

Barishten kale mund ta ruani shumë mirë duke e futur në një vazo ose gotë me ujë si një buqetë lulesh.

Zhardhokët

Perime të tilla duhen ruajtur në vende të freskëta, të thata dhe të errëta me një qarkullim të mirë ajri. Ato mund të ruhen në qese letre së bashku ose veçmas në një zonë të errët të kuzhinës.

Patatet janë një prej tyre, të cilat duhet të qëndrojnë larg diellit.

Perimet

Perimet si specat, kastravecat dhe kungujt kanë tendencën të myken nëse qëndrojnë në një vend të lagësht. Ato duhen larë vetëm përpara se të konsumohen.

Këto perime kanë nevojë për hapësirë ndaj mund t’i ruani pa mbështjellë në një vend të hapur ku do të qëndrojnë të freskëta për një javë.

Brokoli dhe kërpudhat

Perime si brokoli apo lulelakra duhen ruajtur në një enë të mbështjellë me një napë ose peshqir të njomë dhe të futen në frigorifer.

Kërpudhat nga ana tjetër duhen futur në një qese letre në frigorifer. Nëse kërpudhat thahen, atëherë përpara përdorimit mund t’i mbani pak në ujë.

Karrotat dhe panxhari

Panxhari dhe karrotat kanë tendencën të vyshken përpara se të myken. AgroWeb.org ju rekomandon të prisni pjesën e sipërme të karrotës dhe panxharit dhe më pas t’i fusni në një enë të hapur të mbështjellë me një napë të njomë që të qëndrojnë të hidratuara./AgroWeb.org