Dimri bujqësor në Shqipëri, rreziqet dhe masat

294 0

Dimri i ashpër ka prekur të gjithë vendin. Temperatura nën 0 gradë celcius, ftohtë, borë dhe ngricë. Këto fjalë kanë mbizotëruar në bisedat e gjithkujt gjatë këtyre ditëve të fundit. E teksa i ftohti ka sjellë kufizime në fusha të ndryshme të veprimtarisë së përgjithshme, a janë ndjerë pasojat e tij në prodhimtarinë bujqësore?

Sipas ekspertëve, disa kultura janë indiferente ndaj të ftohtit e disa të tjera kërkojnë përkujdes të veçantë për t’u mbrojtur. Megjithatë masat parandaluese duhen marrë në çdo rast! Drurët frutorë në rajone të ndryshme në vend nuk rrezikohen nga temperaturat e ulëta, ndërkohë që masat parandaluese sigurojnë prodhimtarinë e kulturave në serra. Por prodhimtaria e kulturave si misri dhe jonxha mund të jetë më shumë e rrezikuar.

I ftohti jo dëme në pemë frutore, masa parandaluese në serra

Pemët frutore nuk rrezikojnë prodhimtarinë e tyre nga temperaturat e ulëta. Sipas Z. Niko Rroshani, ekspert bujqësor në rajonin e Korçës, ku kulturat kryesore janë pemët frutore, temperaturat e ulëta nuk kanë ndikuar në uljen e prodhimtarisë. Profesor Rroshani shprehet për AgroWeb.org se pemët frutore dhe veçanërisht molla, që aktualisht ndodhen në periudhën e qetësisë dimërore, nuk rrezikojnë prej temperaturave të ulëta. Ndërkohë për pemët frutore të mbjella në fund të vjeshtës, ulja ekstreme e temperaturave mund të dëmtojë sythat.

Sipas Profesor Rroshanit, në mënyrë që të mënjahohet sa më shumë të jetë i mundshëm rreziku i dëmtimit të pemëve frutore duhet që të tregohet kujdes me procesin e ujitjes, duke mos e tepruar me të si dhe të aplikohet një sistem i kombinuar plehërimi në mënyrë që sythat të zhvillohen shpejt dhe në dimër të jenë në një gjëndje të maturuar e të qendrueshme.

Ndërkohë që prodhimtaria e serrave rrezikon dhe kërkon përkujdes të veçantë. Z. Dhimitraq Qorri, specialist bujqësie në Lushnje tha për AgroWeb.org se temperaturat e ulëta mund të ndikojnë negativisht në proçesin e rritjes të mbjelljeve të reja në sera, duke penguar zhvillimin e shpejtë të tyre.

Megjithatë Z. Qorri u shpreh se efektet negative të temperaturave të ulëta mbi këto kultura mund të parandalohen. Ai tha se serrat në zonën e Lushnjes janë në procesin e mbjelljes së kulturave të domateve dhe të specit.

Masat parandaluese që merren për të siguruar prodhimin janë mbulimi i serrave me dy qese plastmasi që nuk lejon uljen e temperaturës nën 0 si dhe mulcerimi i tokës nëpërmjet vendosjes së një shtrese plastmasi të zi në pjesën e poshtme, në mënyrë që të përthithen më shumë rreze dielli.

Sipas Z. Qorri pemët frutore të pjeshkës e kajsisë si dhe ulliri nuk rrezikohen nga temperaturat e ulëta. Këto temperatura mund të jenë më të ashpra me prodhimtarinë e misrit dhe jonxhës, të cilat mund të rrezikohen nga temperaturat e ulëta./AgroWeb.org