Dollari forcohet ndaj lekut, fitimet e eksportit bujqësor rriten

229 0

Sot, kursi zyrtar i këmbimit të Dollarit amerikan përkundrejt Lekut është 129,29. Prej pothuajse 9 muajsh pozita e Dollarit amerikan është forcuar ndjeshëm. Duke filluar nga muaji gusht i vitit 2014, vlera e Lekut është zvogëluar me rreth 18% krahasuar me të. Çdo të thotë kjo për tregtinë? Shumë thjesht. Më shumë shpenzime për mallrat që blihen duke i paguar në Dollarë. E ndërsa për ata që do të shesin mallra në tregje që operojnë me këtë monedhë, më shumë përfitime.

Duket se këto janë kohë të arta për eksportuesit e mëdhenj në sektorin bujqësor që tregtojnë produktet bujqësore shqiptare në tregjet e huaja. Të dhëna të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se nga viti 2013 në vitin 2014 eksportet e produkteve bujqësore janë rritur me rreth 12%. Kryesojnë eksportet në kategoritë e fruta-perimeve, kafesë, cajit, erëzave dhe bimëve medicinale. Tregjet kryesore,veçanërisht në tregtimin e bimëve medicinale janë tregjet gjermane, franceze, italiane dhe amerikane. Shqipëria është një ndër eksportuesit kryesorë të sherebelës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Ministrit të Bujqësisë, Z. Edmond Panariti, Shqipëria mbulon 70 % të nevojave të tregut amerikan për sherebelë. Për këta eksportues produktesh bujqësore, rritja e vlerës së Dollarit ndaj Lekut, përkthehet në fitime më të larta.

Por përveç rritjes së fitimeve, si ndikon ndryshimi i vlerës së monedhave në veprimtarinë e eksportuesve që tregtojnë produktet në tregje që blejnë me dollarë? 

Z. Eglent Kika, Përgjegjës i Zyrës së Ekonomisë së Jashtme në Bankën e Shqipërisë, në një interviste ekskluzive për agroweb shprehet se teorikisht, dobësimi i monedhës shqiptare duhet të rrisë konkurrueshmërinë e mallrave të eksportuara, kryesisht në tregje ku tregtia kryhet në Dollarë amerikanë. “Ndërsa produktet shqiptare bëhen më të lira në këto tregje, kërkesa për to duhet të rritet meqënëse konsumatorët e huaj tashmë mund të blejnë një sasi më të madhe produktesh. Të paktën këto janë pritshmëritë në reagimin e konsumatorëve në teori ndërsa në praktikë disa përcaktues të tjerë mund të ndikojnë impaktin në eksporte të nënçmimit të lekut shqiptar ndaj dollarit amerikan,” thotë Z. Kika.

Çfarë ndodh në realitet?

Tregtarët shqiptarë që eksportojnë produkte bujqësore në tregje që operojnë më Dollarë amerikanë përfitojnë një vlerë më të lartë parash, prej një sasie të ofruar të pandryshuar. Sipas Z. Kika analizat tregojnë se në vendet ku tregtia kryhet në Dollarë amerikanë, eksporti i mallrave bujqësore shqiptare ka përjetuar një rritje të përshpejtuar që prej muajit gusht të vitit 2014. Megjithatë ai thotë se vlerësimet e elasticitetit me të dhëna të disagreguara, dëshmojnë se ndryshimi i çmimit të Lekut shqiptar kundrejt Dollarit amerikan nuk ka ndikim në sasinë e produkteve bujqësore të eksportura, por vetëm në komponentin çmim. Ai vijon duke shtuar se meqënëse Shqipëria nuk ndikon në formimin e çmimit në këto tregje, çmimet e mallrave të produkteve bujqësore në pikën e eksportit janë më të larta në terma të monedhës vendase por jo në terma të Dollarit amerikan. Si të tilla këto çmime nuk kanë efekt mbi vëllimin e ofruar të produkteve.

Rritja e dollarit, më shumë shpenzime për ata që blejnë, më shumë përfitime për ata që eksportojnë

“Për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të prodhimeve bujqësore dhe të mungesës së sasisë së madhe të stoqeve e të inventarëve, vëllimi i ofruar nuk i përgjigjet ndryshimit të çmimit në terma të monedhës vendase. Në të njëjtën kohë, kërkesa e huaj për produkte bujqësore të prodhuara në Shqipëri nuk pritet të ndryshojë për shkak të zhvendosjes së preferencave në tregjet e huaja prej nënçmimit të monedhës shqiptare. Ashtu siç përmendet dhe më sipër, çmimi për këto produkte në pikën e eksportit, megjithë luhatjeve të monedhës vendase, nuk ndryshon në terma të monedhës së huaj,” thotë Z. Kika.

Përsa i përket eksportit të mallrave shqiptare bujqësore, Z. Kika shprehet se ka disa karakteristika të caktuara të cilat ndikojnë reagimin ndaj nënçmimit të monedhës vendase. Së pari, elasticiteti i kërkesës së huaj ndaj ndryshimit të çmimit të mallrave të importuara prej Shqipërisë në vende ku tregtia kryhet kryesisht në Dollarë amerikanë. Këto tregje për eskportuesit e produkteve bujqësore shqiptare janë në SHBA, Rusi e Turqi. Së dyti, konsumatorët në këto tregje të huaja mund të zhvendosin blerjet e tyre nga produkte të ngjashme të prodhuara në vende të treta në produkte të prodhuara në Shqipëri, meqënëse ato bëhen më pak të kushtueshme, thotë ai. Së fundmi, vlerë me rëndësi sasia totale që mund të eksportohet. Kështu, nëse disponohen mund të përdoren stoqe dhe inventarë për produktet e eksportueshme ose mund të rritet kapaciteti prodhues me qëllim intensifikimin e shkëmbimeve tregtare në kushtet kur produktet e eksportuara bëhen relativisht më të lira dhe kërkesa e huaj rritet, thotë Z. Kika.