Domatet e kuqe shqiptare më të mirat e sezonit

1.4k 0

Domatet shqiptare janë një ndër produktet më të mira të Prillit. Domatet e serave me ngrohje diellore të Divjakës dhe Kutallisë (Berat) janë të parat që kanë dalë në treg. Ndryshe nga pak javë më parë kur mbizotëronte domaja e importuar, kryesisht nga Greqia apo Turqia, ditë e fundit do të gjeni në treg domaten e vendit. Çmimi i tregut, referuar Tregut Agro Ushqimor Tiranë, është rreth 180-200 lekë kilogrami.

Specialistët sigurojnë se shija dhe vlerat e domates së vendit janë të një niveli shumë të lartë, falë edhe kushteve klimaterike relativisht të ngrohta në Shqipëri.

AgroWeb.org rekomandon të informoheni mbi origjinën e domateve, kur të bëni blerjet në treg, por edhe të kërkoni nga fermerët të shihni brendësinë e domates. Ekspertët këshillojnë konsumatorët të zgjedhin domate që kanë frut të plotë brenda e jo me zgavra, të jenë njëtrajtshëm të pjekura si brenda edhe jashtë.

Domatet shqiptare janë shumë të kërkuara në eksport. Ato shkojnë kudo, deri ne Rusi. Nëse do t’i referohemi sasisë së produkteve të eksportuara, perimet dhe frutat janë mbretëreshat e tokave tona. Shqipëria eksporton në vit 52 mijë ton perime, nga të cilat 34 mijë ton domate. Edhe vlera më e madhe i takon eksportit të domateve me rreth 1.49 miliard lekë krahasuar me 800 milion lekë gjatë vitit të kaluar.

Interes në rritje për perimet e freskëta Made in Albania po tregojnë tregjet lindore, si Bullgaria, Serbia, Bosnja, Kroacia dhe Hungaria. Por sipas Ministrisë së Bujqësisë, edhe Gjermania, Italia, Hollanda e Franca janë tepër të interesuara për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, por edhe perime të tjera, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka në ekonominë tonë.

Tregu i Bashkimit Evropian paguan shumë më mirë sesa tregjet rajonale për njësi prodhimi. Mjafton të përmendet një e dhënë; nëse ne shesim 1 kg domate në tregjet rajonale me 0.3 Euro, në tregun gjerman kemi arritur ta shesim me 1.29 Euro. Po kështu edhe në tregjet e tjera të Danimarkës, të Zvicrës, etj.

Sezonalitetet e domates

Të pyetur nga AgroWeb.org, specialistët thonë se është krejt normale të pasurit e domates gjatë gjithë vitit. Më poshtë ju paraqesim shkurtimisht kalendarin e mbjelljes dhe vjeljes.
Në Janar nis mbjellja e farave të domates në sera. Serat japin prodhim në periudhën Prill-Shtator. Në periudhën Prill-Qershor kemi domate nga Serat e Lushnjes, Fierit Beratit. Në Gusht-Shtator kemi kryesisht domatet e Korçës.
Në Mars nis mbjellja e domateve në fushë, që japin prodhim në periudhën Qershor-Gusht.
Gjatë muajit Korrik kemi një mbjellje të sezonit të dytë në sera. Këto domate japin prodhim në periudhën Tetor-Shkurt.
Specialistët sigurojnë se, nëse plehërimi dhe spërkatja bëhen sipas parametrave të duhur, shija dhe vlerat e domates janë të një niveli shumë të lartë, falë edhe kushteve klimaterike relativisht të ngrohta në Shqipëri.

Vlerat e domates

Domatet janë të njohura për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve. Vetë pigmenti karotenoid është sipas shkencëtarëve tepër i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Domatet janë një burim i jashtëzakonshëm i Vitaminës C dhe Vitaminës K. Ajo është bujare në përmbajtjen e potasit, magnezit, fibrave, vitaminës A, B6, folatit, Vitaminës E, fosforit, kromit, proteinave, zinkut dhe hekurit. Domatet të bëjnë mirë për zemrën, ulin kolesterolin dhe trigliceridet. Studime të shumta kanë treguar që domatja është e shkëlqyer në mbrojtjen e zemrës, jo vetëm prej vlerave antioksidante por edhe për faktin që rregullon yndyrnat në qarkullimin e gjakut./AgroWeb.org