Mbani tensionin e gjakut nën kontroll me këto kura natyrale

254 0

Nëse vuani ose jeni diagnostikuar me tension të lartë, është e natyrshme të ndiheni të shqetësuar për medikamentet që duhet të merrni për uljen e tij.
Stili i jetesës luan padyshim një rol të rëndësishëm në trajtimin e tensionit të gjakut. Studimet e AgroWeb.org tregojnë se nëse mbani tensionin e gjakut nën kontroll nëpërmjet një stili të shëndetshëm jetese, ju do të arrini të vononi ose pakësoni nevojën për mjekime farmaceutike.

Më poshtë do të gjeni 5 ndryshimet thelbësore në stilin tuaj të jetesës që, sipas AgroWeb.org do të ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut dhe mbajtjen e tij nën kontroll.

1. Hiqni disa kilogramë dhe bëni kujdes me peshën
Tensioni i gjakut rritet me shtimin e peshës. Nëse jeni mbipeshë, do të përballeni me vështirësi në frymëmarrje teksa jeni në gjumë dhe një gjë e tillë, e rrit më tej tensionin e gjakut. Rënia në peshë është një nga ndryshimet më të rëndësishme të stilit të jetesës për mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut. Vetëm humbja e 4-5 kilogramëve ka një ndikim të ndjeshëm në uljen e tensionit të gjakut.

Në përgjithësi:
• Meshkujt janë të rrezikuar nëse perimetri i belit është më i madh se 102 centimetra.
• Femrat janë më të rrezikuara nëse perimetri i belit është më i madh se 90 centimetra.

Sidoqoftë, këto shifra janë në varësi të grupeve të ndryshme të njerëzve. Ju duhet të pyesni mjekun për perimetrin e duhur dhe të shëndetshëm të belit për trupin tuaj.

2. Aktiviteti fizik
Aktiviteti i rregullt fizik, të paktën 30 minuta në ditë për disa ditë në javë, mund të ulë tensionin e gjakut me 4 deri në 9 mm Hg (njësia matëse e tensionit). Është shumë e rëndësishme që të tregoni qëndrueshmëri në stërvitjen tuaj fizike, sepse nëse ndaloni, tensioni i gjakut do të rritet sërish. Ushtrimet më të mira fizike për uljen e tensionit të gjakut janë ecja, vrapi i ngadaltë, çiklizmi, noti dhe kërcimi.

3. Ushqehuni shëndetshëm
Të ushqyerit me drithëra të plota, fruta, perime, produkte të bulmetit me pak yndyrë, ndihmon në uljen e kolesterolit dhe të tensionit të gjakut deri në 14 mm Hg. Shqyrtoni mundësinë e shtimit të dozës së kaliumit. Mësoni këtu për ushqimet e pasura me kalium.

4. Hiqni dorë nga Kripa
Nëse pakësoni sasinë e kripës në ushqimin tuaj tensioni i gjakut do të ulet me 2 deri në 8 mm Hg. Ndikimi i kripës në tensionin e gjakut është i ndryshëm në çdo njeri, por në përgjithësi këshillohet që mos të tejkaloni 2,300 miligramë (mg) në ditë. Një nivel më i ulët i kripës, 1500 mg në ditë ose më pak, është i përshtatshëm për njerëz që kanë ndjeshmëri të lartë ndaj kripës, duke përfshirë:

• Njerëzit mbi moshën 50 vjeç
• Njerëzit e diagnostikuar me tension të lartë të gjakut, diabet, ose sëmundje kronike të veshkave.

Nëse dëshironi të ulni nivelin e kripës në ushqimin tuaj, merrni në konsideratë këshillat e mëposhtme:

• Lexoni etiketat e ushqimit. Nëse është e mundur zgjidhni alternativa ushqimesh dhe pijesh me nivel të ulët kripe në krahasim me ato që blini zakonisht.
• Hani më pak ushqime të përpunuara.
• Shtoni barishtet ose erëzat në vend të kripës, për t’i dhënë shije ushqimeve tuaja.
• Hidhini hapat gradualisht. Nëse nuk ndiheni gati të hiqni dorë menjëherë, ndërmerrni hapat e duhur në mënyrë graduale. Do të mësoheni shumë shpejt edhe me mungesën e saj. 

5. Kufizoni sasinë e alkoolit
Alkooli mund të jetë i mirë por edhe i keq për shëndetin tuaj. Në sasi të vogla mund të ulë tensionin e gjakut me 2 deri në 4 mm Hg. Por nëse pini më shumë alkool, ky efekt nuk ka më vlerë. Në përgjithësi, nuk rekomandohet më shumë se një gotë alkool në ditë për femrat dhe për meshkujt mbi moshën 65 vjeç, apo më shumë se 2 gota alkool në ditë për meshkujt më të rinj. Një pije e lejuar alkolike nënkupton 355 mililitra birrë, 147 mililitra verë dhe 44 mililitra liker.  Pirja e tepruar e alkolit mund të rrisë tensionin e gjakut me disa pikë, madje mund të ulë ndikimin e medikamenteve kundër tensionit të lartë të gjakut./AgroWeb.org