Domatja, tregu i munguar i lë duarbosh fermerët

1k 0

Në çdo transaksion tregëtar mes shitësit dhe blerësit, çmimi i mallit apo I shërbimit, përcaktohet nga kërkesa dhe oferta në treg. Ajo çfarë po përjeton momentalisht tregu shqiptar është një ofertë tejet e lartë në prodhimin e domatave dhe një kërkesë tejet e ulët e tregut, kryesisht me destinacion eksportin duke i lënë fermerët duarbosh me stoqet e domateve të lëna në mëshirë të fatit nëpër fusha e serra.

Ose në rastin më të mirë duke i shitur me një çmim tejet të ulët, vetëm e vetëm që ta heqin stokun, siç është dhe rasti i fermerit Petrit Lika nga Mbrostari i Fierit. “Kam dhënë 400 kuintal domate për turshi e salcë me një çmim qesharak prej 10 lekë kg”, thotë Lika. Vitin e kaluar, Petriti ashtu si dhe shumë fermerët të tjerë arritën ti shisni domatet gati 5 fish më shtrenjtë me një çmim prej 55 lekë kilogrami, ndërkohë që sot çmimi ka prekur fundin duke u cilësuar nga fermerët më shumë se një biznes, një barrë e rëndë që i ka rrënuar financiarisht.

“Prodhimi i tepërt i domateve në mungesë të tregjeve këtë vit e ka rrënuar biznesin. Në mesin e muajit korrik arritëm pikun me domate fushe e serre të madhësive të ndryshme. Të gjithë kishim domate me bollëk të papërballueshëm për një treg kaq të vogël”, thotë për Agroweb, Dritan Kolleshi, fermer nga Dushku i Lushnjës.

Sipas të dhënave më të fundit të bëra publike nga Ministria e Bujqësisë në zonën e Fierit vetëm në gjashtë muajt e fundit janë prodhuar 12700 ton domate, krahasuar me 10.900 ton të prodhuar një vit më parë në një periudhë 12 mujore. Ndërkohë që në zonën e Beratit, prodhimi i domateve ka arritur në 25.000 ton, krahasuar me 21.000 ton të një viti më parë. Pa llogaritur dhe faktin që vijon akoma të prodhohet domate.

 Çmimet me pakicë gjithashtu kanë pësuar ulje, ku një kg domate mund të blihet mesatarisht me një çmim prej 22 lekësh.

 

“Ndikimi i krizës së një viti më parë u reflektua këtë vit me një prodhim të lartë. Të gjithë fermerët i përveshën mëngët dhe iu futën punës duke prodhuar domate dhe sot jemi në gjendjen që jemi, me domatet që kalben në fusha e serra”, komenton Dritan Kolleshi.

Çmimet me pakicë gjithashtu kanë pësuar ulje, ku një kg domate mund të blihet mesatarisht me një çmim prej 22 lekësh. Zakonisht ekonomistët kur vlerësojnë kërjesë-ofertën në treg kryejnë një ekuacion ku vendosin bashkë sasitë që furnizuesit janë të gatshmëm të prodhojnë për çmimin përkatës, në atë që quhet kurba e ofertës. Sa më i lartë të jetë çmimi aq më shumë ka të ngjarë që të prodhojnë furnizuesit. Ndërkohë që në anën tjetër blerësit kanë tendencë për të blerë një produkt me çmim sa më të ulët.

Por duket se nuk është ky rasti për tregun shqiptar, ku oferta e lartë dhe kërkesa e ulët I ka nxjerrë fermerët me këpucë të kuqe. “Humbjet kanë qenë shumë të mëdha dhe nuk dimë se çfarë të bëjm&eeuml; për ta zgjidhur këtë problem. Kam një fushë plot me damate, që nuk i blen askush dhe me një çmim shumë të ulët”, shpreh shqetësimin e tij Shkëlqim Dushku, një fermer nga Jogodina, Elbasan.

Embargo ruse ndaj produkteve shqiptare duket se ka ndikuar gjithashtu në mbingopjen e tregut, siç dhe pohojnë fermerët për Agroweb. Petrit Lika, thotë se që nga ngjarjet e fundit në Kumanovë, eksportet shqiptare të fruta perimeve kanë rënë në mënyrë të ndjeshme. “Situata politike në Maqedoni, por dhe në Rusia ka ndikuar shumë tek eksportet. Para disa javësh u bllokuar 12 kamionë me zarzavate, ku përfshiheshin dhe domatet në kufin me Maqedoninë”, thotë Petrit Lika duke vënë theksin tek humbjet që kanë pësuar fermerët për shkak të situatës politike në rajon. Ndërkohë që në vitin 2013, sipas statistikave të bëra publike nga USAID, Shqipëria kishte një prodhim të lartë duke arritur të eksportojë 25,245 ton domate serre duke iu afruar niveleve të para vitit 1990 me 35,500 ton domate serre të eksportuara.
Sipas Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, situata aktuale politike në rajon nuk ka pasur asnjë ndikim tek eksportet shqiptare. “Përkundrazi eskportet shqiptare të frutave dhe perimeve shqiptare janë dyfishuar”, tha ministri Panariti i pyetur nga media në një konferencë të pak ditëve më parë, nëse embargo ruse ka pasur ndikim tek eksportet, duke hedhur kështu poshtë pretendimet e fermerëve që ky fakt ka ndikuar thellësisht në eksport, në mënyrë të veçantë në atë të domates.
Por fakt është që këtë vit vendi ynë ka pasur një prodhim të lartë të domates me kërkesë të ulët në treg, e reflektuar në çmime të ulëta duke i lënë fermerët që nga Lushnja në Fier, Berat e Elbasan me shijen e thartë të një damate të pashitur.