Drejt Evropës – E para çertifikatë GlobalGap në Shqipëri

403 0

AgroCon Albania, kompania e parë shqiptare që mund të tregtojë fruta dhe perime në vendet e Bashkimit Evropian. 

E kishin synimin krejt të qartë që në ditën e parë. Ishin dhjetëra kritere për t’u plotësuar. Gjashtë muaj për të finalizuar të gjitha procedurat e kërkuara. Përveshën të gjithë mëngët. Dhe mundi ua shpërbleu. Ia dolën.

Në fillim korriku 2016, AgroCon Albania, me gjithë krenarinë që mbartin të tilla raste njoftoi se kish arritur standardet e cilësisë GlobalGAP, një standard ndërkombëtar për praktikat më të mira për siguri afatgjatë për prodhimet bujqësore.

E para çertifikatë GlobalGAP në Shqipëri, fakt që e bën këtë një arritje impresionuese, jo vetëm për kompaninë, por për të gjithë agrobiznesin shqiptar.
Kompania nisi punën për serrën e parë në Krutje të Lushnjes, pikërisht 6 muaj më parë, teksa u konsiderua si serra më e madhe në Shqipëri. 10 hektarë serra të tipit Gotik, me parametra të lartë teknikë, me teknologjinë më të fundit, ku mbillen domate, kastraveca, speca, mashurka dhe erëza; 5 hektarë serra në formë tunelesh për kultivimin e luleshtrydheve dhe 13 hektarë tokë për shalqinj, pjepër, lakër, lulelakër, spinaq apo fasule.

Kastraveca dhe pjepër të një cilësie superiore janë dy produktet e para që morën certifikimin GlobalGAP, duke garantuar kështu cilësinë më të lartë të produktit, që përfshin kultivimin dhe procesin teknologjik, që nga cikli i rritjes së bimës deri në mbërritjen te konsumatori.

Serra fillimisht ka prodhuar 90 tonë kastraveca të freskët të cilësisë së lartë të tipit Triunfo F1 nga fidanë të markës së njohur Sakata.

‘I kemi rritur produktet tona me pleh organik, në mënyrë që të kemi cilësinë më të lartë dhe produktet tona të jenë sa më të shëndetshme. Kemi zgjedhur markën më të mirë të farave të kastravecit, që njihet për cilësinë e lartë dhe çmimin konkurues’, thotë për AgroWeb, Roland Kadiu, drejtori i shitjeve në AgroCon Albania.

Tashmë AgroCon është tërësisht gati të shesë në rrjetet cilësore të supermarketeve në Shqipëri dhe të eksportojë 90 ton kastraveca të freskët Triunfo F1 në tregun evropian, bashkë me rreth 90 ton pjepër të cilësisë së parë.

Një nga qëllimet e çertifikimit është të barazojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve bujqësore shqiptare me ato të vendeve të rajonit, me qëllim hapjen e tregjeve të reja për eksportet drejt vendeve evropiane, të cilat janë kërkuese ndaj origjinës dhe cilësisë së prodhimeve. Por shumë e rëndësishme do të jetë edhe arritja e një standardi të vërtetë sigurie edhe për konsumatorët, për të garantuar transparencën e prodhimeve përtej pretendimeve të prodhuesve.

Praktikat GlobalGAP bëjnë të mundur prodhimin e perimeve me përdorim të kontrolluar të pesticideve, brenda kufirit të lejuar nga BE-ja dhe standardi i caktuar, të cilat njëkohësisht ruajnë mjedisin.

Nga sipërfaqja e kultivuar në serra dhe fushë të hapur, kompania planifikon të marrë rreth 2,850 – 3,000 ton prodhim, të shtrirë në sezone të ndryshme gjatë vitit.

‘Bujqësia premton rritje’ thotë për AgroWeb Florian Lama, drejtor i përgjithshëeuml;m i AgroCon. ‘Është sektor me potencial shumë të madh dhe përmes këtij investimi, ne do të japim edhe prova për këtë’, thotë zoti Lama, duke shtuar se çertifikimi GlobalGAP është në instrument mjaft i fuqishëm për t’i dhënë hov eksportit në tregjet evropiane. Tashmë, ne kemi kërkesa nga Austria, Gjermania dhe Hollanda’ thotë ai me kënaqësi.

Çertifikimi GlobalGAP u dha përmes CERES, kompania gjermane çertifikuese. Gjithçka u bë e mundur falë projektit B-REDI, mbështetur nga USAID rajonal. Përmes projektit B-REDI për Asistencë në Përputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit, e implementuar nga SEGURA do të përfitojnë 15 fermerë dhe agropërpunues shqiptarë.

Serra AgroCon në Krutje të Lushnjës konsiderohet më e madhja në Shqipëri, Foto: AgroCon

Cilat janë standardet dhe rregulloret e GlobalGAP?

Praktikat e mira bujqësore (GAP), standardet dhe rregulloret janë udhëzime të hartuara vitet e fundit nga industria ushqimore, organizatat e prodhuesve, qeveritë dhe OJF-të, me qëllim për të kodifikuar praktikat bujqësore në nivel ferme për një gamë të gjerë produktesh.

Standardi GlobalGAP kërkon që prodhuesit të kenë një sistem të plotë të kontrollit dhe monitorimit. Produktet regjistrohen dhe mund të gjurmohen në çdo hallkë dhe etapë, mbi origjinën e fermës ku është prodhuar ky produkt. Ka rregulla shumë strikte për përdorimin e pesticideve dhe për mbetjet e kimikateve në produktet e prodhuara. Përveç kësaj, është e rëndësishme që fermeri të regjistrojë dhe të provojë të gjitha etapat e prodhimit, që nga të dhënat agroteknike të mbjelljeve të mëparsmhe të tokës. Ndaj, të dhënat e detajuara duhet të mbahen me kujdes nga fermerët dhe mjaft i rëndësishëm është roli i Librit të Fermerit.

Cilat janë përfitimet dhe sfidat kryesore?

Përfitimet e çertifikimit GlobalGAP janë të shumta, duke përfshirë cilësinë dhe sigurinë e produktit; lehtësimin e depërtimit në treg dhe reduktimin e rreziqeve lidhur me pesticidet apo forma të tjera të kontaminimit.

Për të marrë Çertifikimin GlobalGAP, prodhuesit i duhet të shënojë me përpikmëri të gjitha gjurmët e aktivitetit të fermës. Kjo kërkon edhe kapacitete administrative dhe financiare; rrjedhimisht është më e lehtë për agrobizneset e mesme dhe të mëdha për të përmbushur kërkesat.

Rrjetet e supermarketeve evropiane kanë kërkesë gjithnjë e në rritje që furnizuesit e tyre të jenë të çertifikuar me standardet e sigurisë ushqimore të tilla si GlobalGAP. Këto rrjete përbëjnë afro 60% të shitjeve të produkteve të freskëta me pakicë në shumë vende evropiane, aq më tepër që ky është një çertifikim i produkteve të kualitetit të lartë, për të cilat kanë më shumë kërkesë konsumatorët. Por edhe në tregun shqiptar ka një kërkesë të lartë për produkte të cilësisë së lartë, pa kimikate të dëmshme dhe pesticide.

Po më pas?

Kompania AgroCon ka aplikuar dhe synon të marrë çertifikimin GlobalGAP së shpejti edhe për dy produkte të tjera nga ferma e tyre. Domatet dhe lulelakrat do te jenë mbretëreshat e reja, që do të mbajnë kurorën e çertifikimit GlobalGAP me mbishkrimin ‘Made in Albania’./AgroWeb.org/