Drithërima Magjike e Alpeve Shqiptare

831 0

Pejsazhet e thyera, bardhësia marramendëse e borës, shtigjet që përshkohen në këmbë, mbi kalë, biçikleta malore, ndalesa në shtëpinë e fshatarëve në luginat përreth, shijimi i recetave të vjetra, festivalet tradicionale të zonës, me muzikë dhe valle, me të drejtë i kanë shndërruar Alpet tona veriore, në një nga zbulimet më të fundit për eksploruesit e huaj dhe shqiptarë.

Aty nuk ka luks, as hotele me pesë yje, as rrugë të hajrit, por është thjesht dhe vetëm natyra e egër, që e kombinuar me mikpritjen e banorëve të zonës dhe ushqimit të shkëqyer bio e bën këtë vend një përrallë. Me majat e maleve që duket sikur arrijnë qiellin me majat e tyre të mprehta dhe bukuritë mahnitëse që pasqyrohen në ujërat kthjella të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, si dhe në liqenet akullnajore si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës, që ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline që ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.

Majat e maleve të tilla si Radohima, Maja e Hekurave, Maja e Arapit, maja e Shkëlzenit, etj që shërbejnë si pika triangulacioni, të ofrojnë një panoramë të ndryshme e cila tundon shpirtin aventuresk të çdo vizitori për t’i eskploruar bukuritë natyrore përreth tyre. Ky thesar natyror ofron mundësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e turizmit për këtë zonë, e cila është ende e virgjër si përsa i përket natyrës ashtu dhe investimeve.

Bjeshkët e Nëmuna shquhen për bukurinë e rrallë mes majash të larta, ujëvarash dhe bimësish unike. Natyra fantastike dhe peisazhet e këtyre parqeve që janë pjesë e vargut malor Dinarit, shtrihen në tre shtete, Mali i Zi, Shqipëri dhe Kosovë, ofrojnë një potencial të madh për të gjithë ata që duan të eksplorojnë këtë zonë të paprekur dhe të pazbuluara.

Vetëm kohët e fundit janë identifikuar disa shtigje të reja dhe rrugë për këmbësorët, të cilat janë të shënuara në mënyrë të pjesshme. Ndërkohë që një hartë e re që mbulon rajonin e Thethit dhe Kelmendit (Tamara, Vermosh) jep informacion në lidhje me 18 rrugë për ecje apo shtigje (tetë në Theth, tetë në Kelmend dhe dy ndër-rajonale).

Një udhëzues i ri për ecjet malore jep gjithashtu informacion të detajuar, duke përfshirë madje edhe të dhëna me GPS, për turistët e magjepsur nga bukuria dhe misticizmi që mbartin këto bjeshkë që për dekada të tëra kanë qenë mbyllur nga kufij të pakapërcyeshëm e që sot përshkohen pa kurrfarë problemi nga Kosova në Maqedoni e Shqipëri. Këto toka që dikur ishin zona konflikti po kthehen në një park paqeje. Sepse në Bjeshkë vetëm paqe gjen, veçanërisht kur ato janë ato të Nemuna.