Rizbulimi i Hireve të Shqipërisë

307 0

Këto ditë pata kënaqësinë të vizitoja Panairin e Turizmit në Vienë, një eveniment vjetor ndërkombëtar mbi pushimet, udhëtimet dhe argëtimin, që përbën edhe qasjen më të madhe të publikut Austriak në industrinë e turizmit. U befasova kur zbulova një stendë të dedikuar Shqipërisë të ngritur nga Agjensia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Në stendën e Shqipërisë nuk gjendeshin shumë vizitorë, me gjasa si pasojë e performancave orientale argëtuese të një kërcimtareje Marokene në stendën fqinje. Stenda e Tailandës nga ana tjetër, u ofronte mysafirëve masazhe, ndërkohë që Japonezët kishin organizuar një ceremoni tradicionale çaji dhe origami. Ndoshta në të ardhmen, artistë që performojnë polifoninë tradicionale labe apo dikush që luan çifteli do të tërhiqnin shumë vizitorë tek stenda e Shqipërisë.

Kjo më bëri të mendoj më shumë për gjendjen e turizmit sot në Shqipëri. Si ka mundësi që vendet fqinjë si Mali i Zi ose Kroacia janë më të zotë në këtë punë se Shqiptarët? Cilat janë problemet e kësaj industrie dhe çfarë mund të bëhet për t’i zgjidhur ato?

Problemi i parë që më vjen ndërmend është gjendja e rrugëve. Unë vij nga një vend ku shprehja “Rusia ka vetëm dy probleme: budallenjtë dhe rrugët (duraki i dorogi)” përdoret gjërësisht. Si rrjedhojë, ndoshta nuk mund të gjykoj gjendjen e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri. Për sa më takon mua, rrugët në Shqipëri janë të një cilësie të pranueshme. Problemi i vetëm që unë shoh tek rrugët, duke qenë se shpeshherë më zë makina, është që shumë prej rrugëve nuk janë të drejta, kjo falë paranojës së periudhës së komunizmit që solli ndërtimin e rrugëve me kthesa me qëllim për të parandaluar uljen e avionëve të armikut! Megjithatë, për shumë turistë, kjo është më e bukura e rrugëve: të udhëtosh në rrugët panoramike të Rivierës Shqiptare, pasi rrugët nuk përbëjnë pengesë për turistët që duan të vizitojnë një vend.

Problemi i dytë janë mbeturinat. Sa prej jush e njohin atë rrugën e bukur malore që të çon në Himarë, por sidomos atë vendin ku të gjithë ngrejnë xhamin e makinës për shkak të malit të plehrave që shkaktojnë një aromë të padurueshme? Problemi i plehrave nuk është thjesht çështje menaxhimi, mungese mjetesh përpunuese apo investimesh siç mund të mendojnë disa. Është koha që njerëzit të rrisin përkushtimin e tyre ndaj bukurisë natyrore të mëmëdheut dhe ta bëjnë atë më tërheqës për vizitorët.

Në këtë shkrim do të përdor Zvicrën si shembull duke qenë se shumë e quajnë Shqipërinë si “Zvicra e Ballkanit”. Zvicra arriti të zgjidhë përfundimisht problemin e plehrave në dy dekada. Në vitet 1980, Zvicra konsiderohej si një vend shumë i ndotur. Ndaj Zviceranët menduan të ndryshonin gjëndjen e tyre duke patur në mendje moton “Të gjithë jemi Zvicër”. Ata u bashkuan dhe e pastruan vendin e tyre, madje e bënë atë aq mirë sa jo vetëm mund të pish ujë rubineti në shtëpi, por lehtësisht mund të pish ujë edhe nga çdo liqen i atij vendi. Kategorizimi i plehrave (ose përballja me gjoba të larta) nuk ishte zgjidhja e tyre e vetme për problemin. Ata ngritën një strukturë monitorimi të plehrave nëpër rrugë dhe kudo. Bëhej fjalë për ekipe njerëzish që ndëshkonin ata që thyenin ligjin. Këtu keni një shembull konkret se si hidhet një bustinë çaji e përdorur në Zvicër. Bustina hidhet tek koshat e letrës, çaji tek grumbulli i plehrave, kapësja metalike tek kontenieri për plehrat metalike dhe spangoja tek vendi i caktuar. Si rrjedhojë, Zvicra e vogël, e rregullt dhe e pastër tërheq sot miliona turistë çdo vit.

Problemi i fundit që has turizmi Shqiptar është i një natyre më simbolike: mungesa e një pasqyre të mirë turistike. Shqipëria ka nevojë të gjejë veçoritë dhe veçantitë që u vijnë njerëzve ndër mend sa herë përmendet Shqipëria. Sigurisht që është Berati me një mijë dritaret e tij, Butrinti me mozaikët e jashtëzakonshëm apo qyteti muze i Gjiroastrës, por çfarë është ajo që e bën Shqipërinë unike? Cila është ajo rrugë që përmendet në moton e re turistike “Shqipëria, ndiq rrugën tënde”? Siç e përmenda më lart, janë veçoritë ato që e bëjnë një vend tërheqës, qoftë një origami Japonez apo një kërcimtare orientale Marokene. Ndodh që turistët e huaj mbyllin sytë ndaj mangësive infrastrukturore, nëse në fund të rrugëtimit të tyre zbulojnë diçka aq të veçantë sa që e justifikon gjithë udhëtimin. Kjo magjepsje duhet të fillojë që në momentin që shkel në tokën Shqiptare.

Gjatë verës, Gjeorgjianët kishin një qasje mjaft të zgjuar për të tërhequr sa më shumë turistë. Ata u jepnin turistëve që zbrisnin në tre aeroportet kryesore, shishe të vogla vere të prodhuar në vend. Kjo iniciativë u organizua nga Agjensia e Zhvillimit të Sipërmarrjes së Gjeorgjisë (nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm). Buxheti i caktuar ishte 90 mijë dollar amerikanë. Një praktikë më pak e kushtueshme mund të ishte edhe mikpritja e turistëve me valltarë të veshur me kostume tradicionale. A mund të bëhet kjo gjë në Shqipëri? Une jam e bindur që po!

Ide të tjera që mund të vihen në jetë janë: festivali i ushqimit (imagjinoni pak sa interesante do të ishte organizimi i festivalit të byrekut) që mund të reklamohet brenda dhe jashtë vendit. Atraksionet agro-turistike u ofrojnë banorëve të zonave urbane një mundësi të madhe për të qenë më afër natyrës. Një ide tjetër është ajo e organizimit të festave të fshatit (fetare ose jo) që mund të jenë interesante për të gjithë të apasionuarit pas antropologjisë (p.sh. Festivalet e Pueblas në Meksikë u nderuan me çmimin e argjendtë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të World Responsible Tourism Awards në 2014. Kjo pati shumë efekt në rritjen e numrit të turistëve në vitin në vijim).

Ju ftoj të ndani idetë tuaja mbi atë që e bën Shqipërinë të veçantë dhe cilat janë ato ndryshime të vogla që mund të arrihen në sektorin e turizmit dhe që nuk kërkojnë investime thelbësore.

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.