Dy në tre të rinj shqiptarë, të papunë. Firmosen projekte për punësimin e 205 të rinjve brenda 2015

193 0

Firmosen marrevëshjet me 7 shoqata që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e bujqësisë dhe turizmit në qytete të ndryshme, në të gjithë Shqipërinë me synim rritjen e punësimit dhe fuqizimin e të rinjve në shoqëri.

Dy në tre të rinj shqiptarë janë të papunë. Shqipëria, një vend ku gjysma e popullsisë është në moshë të re, ofron pak mundësi për këtë grupmoshë që vuan shkallën më të lartë të papunësisë, raporton Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Në ndihmë të të rinjve shqiptarë, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe organizata Assist Impact nënshkruan ditën e Martë, në 1 tetor 2014, shtatë marrëveshje për grante/projekte që synojnë rritjen e mundësive të punësimit dhe fuqizimin e rolit aktiv të të rinjve në shoqëri. Këto projekte synojnë të krijojnë mundësi reale punësimi për 205 të rinj dhe gjithashtu të ofrojnë trajnime profesionale për 420 të tjerë deri në Korrik 2015. Marrëveshjet e nënshkruara mes USAID dhe Assist Impact me 7 Organizata Jo Qeveritare nga e gjithë Shqipëria, janë të fokusuara kryesisht në punën me të rinj që jetojnë jashtë Tiranës dhe në zonat rurale. Creative Business Solutions (CBS) dhe LEEA do të krijojnë mundësi punësimi për 60 të rinj, në fushën e bujqësisë.

"Eshtë shumë e rëndësishme që rinia të mbështetet në politika e grante. Ky i sotmi është një shembull i shkëlqyer që duhet shumëfishuar. Përmes këtyre projekteve do të punësohen 205 të rinj dhe do të trajnohen 420 të tjerë. Nëse shohim kërkesat që duhet të përmbushë një kandidat për punë, do të vëmë re se pjesa dërrmuese e tyre kërkon arsim profesional", tha Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, znj. Bardhylka Kospiri.

Ministria e Mirëqenies dhe Çështjeve Sociale pohon se gjendja e punësimit dhe e mundësive të të rinjve në zonat rurale është e rëndë. Zëvendës Ambasadori amerikan Henry Jardine, duke përmendur shifrat e publikuara nga INSTAT se nga 5 familje te varfra, 4 jetojnë në zonat rurale, theksoi rëndësinë e shpërndarjes së këtyre granteve në zonat rurale, si një kontribut me impakt të rëndësishëm për të rinjtë që jetojnë në këto zona (video link).

Creative Business Solutions (CBS), një organizatë konsulence biznesi, do të fokusohet në punësimin e të rinjve në sektorin bujqësor. Kjo organizatë do të punojë në 13 zona rurale, nga Malësia e Madhe në Gjirokastër, për të trajnuar dhe punësuar të rinj si specialistë në prodhim produktesh blegtorale, frutash e perimesh, bimësh mjekësore e erëzash si dhe në ruajtjen në mjedise ftohëse dhe sera.
Agjencia e Zhvillimit Rajonal (AZhR) Korçë do të punojë me bizneset dhe me të rinjtë në zonën e Korçës, për të krijuar kapacitetet e kërkuara nga bizneset vendase.

USAID dhe Assist Impact nëshkruajnë marrëveshje për projekte që synojnë punësimin e 205 të rinjve deri në korrik 2015.

Albania Rafting Group (ARG) do të trajnojë të rinj për të punuar si guida, do të zhvillojë trejnim të specializuar për ndihmën e shpejtë për guidat në sportin e rafting-ut, si dhe do të punojë me menaxherët e shtëpive mikpritëse (Guest House) dhe për materialet informative.

Shoqata për Integrimin dhe Zhvillimin Komunitar (ShIZhK) do të trajnojë dhe do të ndihmojë punësimin e të rinjve në video-produksion (në Bulqizë), dhe në profesione si hidraulik, elektricist dhe punime artizanale (në Laç).

Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEAA) do të punojë në sektorin e blegtorisë në Lushnjë, Shkodër, Korçë dhe Kukës, ku ajo ka identifikuar nevojën për specialistë lidhur me ndërzimin artificial, me kontrollin e mastitit dhe me kujdesin ndaj thundrave, te gjedhi dhe te të imëtat.

Rrjeti Alumni i Studentëve Shqiptarë (ASAN) do të zhvillojë trajnime, do të kërkojë mundësi për praktikë profesionale (internship) dhe do të punësojë studentë ose të sapodiplomuar në vende të ndryshme pune në Shkodër, Vlorë dhe Tiranë.

Epoka e Re Fier do të nxitë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike, duke krijuar Grupe Këshillimi të Rinjsh, në Patos dhe Fier, të cilat do të lidhen e do të komunikojnë me strukturat e qeverisjes për çështje të interesave të veçanta për të rinjtë.

Pjesëmarrës në eventin e nënshkrimit të granteve ishin i Ngarkuari me Punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Henry Jardine, Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, Zëvendësministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Jani Babi dhe përfaqësues të organizatave fituese.