E ardhmja e Mbetjeve në Shqipëri “ Burim Energjie

414 0

Mbetjet si burim, si energji, si pikë nisje dhe jo më si pikë fundore e një procesi. Nëse ka diçka për të cilën ekspertët e ekonomisë, klimës, mjedisit e bujqësisë bien dakord është se e ardhmja e përket riciklimit, ripërdorimit dhe reduktimit të mbetjeve. E ndodhur mes një legjislacioni ende të paplotë, Shqipëria me një vetëdije jo fort të lartë mbi këtë çështe, me një qëndrim publik mesatarisht indiferent ndaj problemeve të mjedisit është ende në fillesat e trajtimit të menaxhimit të mbejtjeve edhe pse kërkesat nga BE janë të forta dhe ultimative.

BE: Menaxhimi i mbetjeve, shqetësim serioz

Që Shqipëria është prapa me menaxhimin e mbetjeve kjo është dhimbshmërisht një e vërtetë e dukshme. Për këtë keqmenaxhim shqetësimi është bërë ndërkombëtar dhe së paku, kur arrin në këtë nivel shpesh shkund ndërgjegjësimin kombëtar. Në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë 2014 europarlamentarët janë të qartë; “Për sa i përket menaxhimit të mbetjeve, ndryshimet e bëra në tetor 2013 në Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve nuk janë në përputhje me acquis (detyrimet ligjore të BE). Në korrik u krijua organi kombëtar këshillimor për mbetjet. Në tetor, u ngrit komiteti i menaxhimit të mbetjeve për të planifikuar dhe koordinuar zbatimin e politikave në këtë fushë, por kapacitetet e autoriteteve të menaxhimit të mbetjeve mbeten të dobëta. Ndarja e mbetjeve është pothuajse inekzistente dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët. Pjesa më e madhe e mbetjeve vazhdon të hidhet në mënyrë të pasigurt në vendgrumbullime të ligjshme ose të paligjshme, ose digjet. Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të jetë shqetësim serioz për Shqipërinë.”

Brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti, Shqipëria duhet të raportojë në BE përparim konkret në drejtim të menaxhimit të mbejtjeve

Raporti i BE-së del në përfundimin se “Është bërë pak përparim në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Menaxhimi i mbetjeve është veçanërisht i dobët dhe cilësia e ujit dhe ajrit është e ulët. Në tërësi, burimet ngelen të kufizuara dhe nevojiten investime të mëdha. Duhet të krijohet planifikimi strategjik sistematik. Shqipëria duhet të paraqesë nga tremujori i parë i 2015 kontributet/angazhimet e ardhshme për Marrëveshjen e Klimës 2015.”

Pra, brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti, Shqipëria duhet të tregojë se ka përparuar në drejtim të menaxhimit të mbejtjeve. Lëvizjet kanë nisur; një Ligj i ri dhe një Impiant i ri.

Në parlament, ligji për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve

Një ligj i ri për sistemimin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve po diskutohet këto ditë në komisionet parlamentare për të kaluar më pas në seancë plenare për miratim.

Një ligj i ri po diskutohet në parlament për riciklimin e mbetjeve të ngurta dhe trajtimit sipas kërkesave të tregut

Nuk është hera e parë që në Parlament diskutohet një ligj për mbetjet, madje një i tillë është miratuar në vitin 2011. Por çfarë nuk funksionoi? Në Relacionin që shoqëron ligjin e ri theksohet se standardet e vendosura nga ligji i mëparshëm nuk u plotësuan për arsye të papërgjegjshmërisë së aktorëve të përfshirë në proces, dhe ligji i ri vjen me qëllim realizimin e menaxhimit të integruar të mbetjeve si e vetmja zgjidhje për të siguruar riciklimin e mbetjeve.

Ligji parashikon që sistemi do të funksionojë me anë të vendosjes së një shenje dalluese sigurie në të gjitha produktet e hedhura në treg që krijojnë mbetje, të cilat janë subjekt i ligjit. Vlera monetare e depozitës, do t’i shtohet vlerës së produktit dhe konsumatori do të jetë i detyruar ta paguajë produktin në njësitë tregtare me vlerën e depozitës brenda. Më tej konsumatori kur të dorëzojë mbetjen do të rimarrë vlerën e depozitës që kishte paguar. Mbetjet e presuara do t’i nënshtrohen procesit të riciklimit apo trajtimit të tyre sipas kërkesave të tregut.

Kjo është një praktikë e njohur dhe e përdorur jo vetëm në vendet e tjera të BE-së, të cilat kanë një standard jetese dhe menaxhimi mbetjesh disa herë më të lartë se Shqipëria, por edhe në vendin tonë, ku për shumë vite me radhë është aplikuar kthimi i shisheve të qelqit përkundrejt një vlere të caktuar.

Elbasani nga qyteti me ndotjen më të madhe, në qytetin e Impiantit të parë të trajtimit të mbetjeve

Impianti i parë në vend për trajtimin e mbetjeve urbane me vlerë 22 milion euro sapo ka nisur së ndërtuari. I vendosur në vendgrumbullimin e mbetjeve në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, ky impiant nga njëra anë i jep zgjidhje një problemi serioz në vend, mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve, por nga trajtimi teknologjik i tyre do të përfitohet edhe energji e gjelbër. Në fazën e shfrytëzimit është parashikuar të prodhohet rreth 17 250 Mwh energji në vit.

Gjatë inspektimit të punimeve të Impiantit, Kryeministri Edi Rama theksoi se; ‘Ky impiant, i cili do të prodhojë edhe energji dhe do të prodhojë edhe një mbështetje energjetike të drejtpërdrejtë për bujqësinë.’ 
Parashikohet që impianti të hyjë në punë vitin e ardhshëm, por fusha për mbledhjen dhe përpunimin e mbeturinave, për landfill-in do të hyjë në punë në verë të këtij viti.
Projekti vlerësohet të sjellë ndikim edhe në ekonominë lokale. Nga përpunimi i mbetjeve parashikohet të sigurohen rreth 400 tonë skrap dhe plastikë në vit, prej të cilave vlerësohet të gjenerohet një e ardhur vjetore prej 90 mijë euro.

E ardhmja

Komisioni Evropian së fundmi ka ndërmarrë objektiva ambicioze legjislative mbi mbetjet dhe riciklimin, përfshirë përdorimin e ladfill-eve për riciklim dhe vendosmërinë për të reduktuar humbjet ushqimore me 30% deri në 2015.

Bashkimi Evropian po ecën në një kurs të fortë të ekonomisë qarkulluese. Në korrik të vitit të kaluar Komisioni propozoi një sërë objektivash mbi menaxhimin e mbetjeve, 70% riciklim të mbetjeve të zonave të banuara dhe 80% riciklim të mbetjeve të paketimit deri në vitin 2030. Depozimtimi pasiv i mbetjeve të riciklueshme do të ndalohet në vendet e BE-së duke nisur nga viti 2025 (link).

Në Shqipëri, aktualisht, të gjitha mbetjet që gjenerohen në vend përfundojnë në landfill-e, në vendgrumbullime të palicensuara dhe që nuk plotësojnë asnjë lloj kriteri teknik, ose anës rrugëve dhe nëpër lumenj. Përveç kësaj, këto mbetje, të përbërjeve të ndryshme dhe të patrajtuara sipas kritereve teknike, çdo ditë dëmtojnë jo vetëm mjedisin, por edhe shëndetin e njerëzve, pa harruar faktin që grumbullimi i tyre në landfill do kërkojë çdo ditë sipërfaqe toke të zënë dhe të kontaminuar për ta mbushur me mbetje, ndërkohë që përpunimi dhe riciklimi i tyre do të sillte përfitime të mëdha financiare.