E Re Nga Tregu – Qershia Ul Pazarin

684 0

Nëse Tirana do të kishte një bursë dhe qershia do të kuotohej në të, të gjithë investitorët do t’i kishin zënë ethet e humbjes. Vetëm në dy javët e fundit, për shkak të rritjes së furnizmit, çmimi i qershive në treg ka rënë me gati 80% dhe pritet të bjerë në nivele akoma më të ulëta në fund të javës.

Rënia e çmimit i dedikohet një sërë faktorëve, që nga rritja e ofertës tek arritja maksimale e pjekurisë së frutit për të mos anashkaluar dhe tendencën që karakterizon përgjithësisht tregun shqiptar, ku frutet e sezonit si traditë duhet të kapin fillimisht çmime marramendëse.

Në fillim të muajit Maj, çmimi i qershive kapi majat e marrëzisë me 1200 lekë kilogrami. Aq marramendëse, saqë dhe vetë qershisë do t’i bënte përshtypje çmimi stratosferik prej 1200 lekë të rinj, e jo më konsumatorëve.

“Eshtë qershi Berati. Ke parë qershi më të madhe se kjo?” i thotë shitësi hazërxhevap një gruaje në mesomoshë aq e habitur për çmimin e lartë saqë e pyet disa here shitësin. “Hajde nga mesi i muajit, se do të bjerë çmimi”, i thotë duke e parashikuar në një farë mase rënien e çmimit, e cila në mëngjesin e sotëm shitej për 150-250 lekë kilogrami.

Vetëm pak ditë më pas çmimit të çmendur, qershia në treg pësoi një ulje të thellë në treg, sidomos pas efektit kundërshtues të konsumatorëve të cilët refuzuar t’i pajtohen ofertës fillestare të qershive nga tregtarët.

Gjithsesi qershori do t&eeuml; jetë muaji kur dhe qershia pritet të ketë kulmin e saj në furnizim dhe në cilësi, ku përpos asaj të Beratit, tregut do t’i shtohet dhe qershia e Elbasanit, Peshkopisë dhe Korçës, e shoqëruar kjo dhe me rënie akoma më të ndjeshme të çmimeve.

Njësoj si me qershinë, edhe çmimet e shalqinjve, pjeshkëve dhe kajsive kanë kapur majat, me 350 lekë kilogrami për shalqinin. Luleshtrydhet e reja të serave kanë qenë më të qëndrueshme në treg, respektivisht me 300 -350 lekë për kilogram. Shalqinjtë dhe pjeshkët vendase ende nuk e kanë prekur tregun dhe aktualisht tregtohen produktet e importit.

Sot në mëngjes, çmimi i qershisë është regjistruar në disa pika të tregut me 150 lekë kilogrami që është edhe rekordi më i ulët i sezonit. Rol jo të vogël ka luajtur edhe dalja në treg e sasive ende të papjekura të qershive që nuk mund të shiten shtrenjtë.

Tregtarët thonë se çmimet do të bien akoma më shumë, duke qenë se në treg do të ketë më shumë prurje, por për këtë do të duhet të presim muajin e ardhshëm. Kohë kur qershia, të cilën ne e duam kaq shumë të mbërrijë jo vetëm pikun e pjekjes, por edhe pikun e rënies./AgroWeb.org