Energjia alternative në bujqësi: e ripërtëritshme, ekonomike

718 0

Përdorimi i energjisë alternative në bujqësi është zgjidhja e vetme e së ardhmes; ul kostot dhe rrit cilësinë e jetesës.

Dikur burim prodhimi i energjisë për shoqërinë, bujqësia, sot është kthyer në harxhuesin më të madh të energjisë në çdo vend të botës, tërësisht e varur prej energjisë së prodhuar nga burimet fosile si nafta dhe gazi natyror. Varësia nga këto produkte të paripërtëritshme, kërkon rehabilitim të menjëhershëm! Zgjidhja e vetme e së ardhmes është përdorimi i formave alternative të energjisë në bujqësi, si mënyra më e mirë për të përmbushur nevojat e popullsisë në rritje, pa dëmtuar ekosistemin. Por si arritëm këtu?

Rritja e kërkesës për produkte bujqësore si pasojë e rritjes së popullsisë dhe globalizimit

Prodhimi bujqësor botëror gjatë viteve të fundit është rritur me shifra kolosale dhe për më tepër produktet bujqësore të ditëve tona nuk i njohin kufijtë gjeografikë. Shumë prej nesh mund të shijojnë sot produkte bujqësore të cilat prindërit apo gjyshërit tanë nuk i njohin. Fundja nuk kanë se si, sepse avokado që konsumojmë sot, apo fruti i pasionit, kivi, ananasi, mango e shumë e shumë prodhime të tjera kanë udhëtuar prej vendeve shumë të largëta për të ardhur tek ne! Sigurisht që kjo dukuri është shoqëruar me rritje të përdorimit të energjisë në prodhim dhe transport.

Varësia e bujqësisë nga burimet fosile të paripërtëritshme të energjisë: nafta dhe gazi

Rritja e sasisë së prodhimit bujqësor, për të përmbushur nevojat e popullsisë në rritje, ashtu si dhe transporti i produkteve bujqësore në distanca të largëta dhe në sasi të mëdha, është bërë i mundur nëpërmjet shfrytëzimit të burimeve fosile të energjisë, vecanërisht naftës dhe gazit natyror. Këto burime natyrore janë forca kryesore që drejton bujqësinë. Mjafton të përmendim se gazi natyror dhe nafta janë lëndët e para prej të cilave prodhohen të gjitha kimikatet që përdoren sot në bujqësi duke filluar nga plehërat kimike, pesticidet, herbicidet e lëndë të tjera të cilat shërbejnë për të rritur pjellorinë e tokëeuml;s. Proçesi i kultivimit është mekanizuar pothuajse tërësisht dhe të gjitha proceset e punimit të tokës, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve kryhen nëpërmjet proceseve të automatizuara që vihen në punë nga burimet energjitike. Por edhe të gjitha mjetet e transportit të përdorura në ditët e sotme për të transportuar produktet bujqësore në distanca të mëdha, në të gjithë botën, funksionojnë kryesisht me naftë apo edhe me gaz. Por varësia nga këto produkte nuk mund të vazhdojë në përjetësi, pasi nëse ndjekim këto ritme shfrytëzimi, shumë shpejt do të nda duhet të drejtohemi diku tjetër.

Ndikimi negativ i praktikave që janë ndjekur në bujqësi në klimë dhe në ekosistem

Rritja e sasisë së produkteve bujqësore si dhe diversifikimi i tregjeve bujqësore në të gjithë botën, ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e jetës së secilit prej nesh, por ka patur dhe efektet e saj negative, pasojat e të cilave po i ndjejmë sot, e nëse nuk marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur, do t’i ndiejmë edhe më shumë në të ardhmen.

Pse?

Arsyet janë të shumta. Burimet fosile të energjisë po ezaurohen dhe për këtë arsye nuk mund të lejojmë që ato të jenë shpresa jonë e vetme në sigurimin e burimit më të rëndësishëm të jetës: Ushqimit. Ndërkohë përdorimi i pesticideve e veçanërisht derdhja e tyre e papërgjegjshme në dete e lumenj ka rritur nivelin e ndotjes dhe ka krijuar katastrofa ekologjike. Uji dhe ajri janë ndotur nga pesticidet dhe helmet kimike në ajër janë shtuar edhe si pasojë e shpyllëzimeve masive që janë kryer në kërkim të hapësirave më të mëdha bujqësore. Shumë specie zogjsh, amfibësh apo kandrash e insektesh janë në zhdukje, çka e dëmton në mënyrë të parikuperueshme ekosistemin.

Bujqësia është një prej fajtorëve kryesorë, që ka ndikuar në ndryshimin e klimës, duke u kthyer njëkohësisht edhe në viktimën kryesore të kësaj dukurie. Ky ndryshim ka ndikuar negativisht mbi produktet bujqësore për shkak të shfaqjeve ekstreme të dukurive të ndryshme natyrore.

Burimet alternative të energjisë: e ardhmja e përdorimit t&eeuml; energjisë në bujqësi

Rrjedhimisht mënyra e vetme për të siguruar vazhdimësi si dhe për të shmangur ndikimin negativ të bujqësisë në klimë dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetët e secilit prej nesh, është gjetja e mënyrave alternative të shfrytëzimit të energjisë, të ndryshme nga energjia e prodhuar nga burimet fosile. Kjo është një sfidë e vështirë, që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet individëve, qeverive e organizatave në të gjithë botën.

Zgjidhja e vetme e së ardhmes është përdorimi i formave alternative të energjisë në bujqësi, si mënyra më e mirë për të përmbushur nevojat e popullsisë në rritje, pa dëmtuar ekosistemin.

Strategjitë dhe planet që do të hartohen në këtë fushë do të ndryshojnë në varësi të karakteristikave specifike të secilit vend dhe problematikave lokale. Është e kuptueshme që kjo varësi nuk mund të shmaget plotësisht, sepse do të ketë gjithmonë procese apo makineri që do ta kenë të pashmangshme përdorimin e burimeve fosile. Strategjia që duhet të implementohet në këtë fushë duhet të synojë gjetjen e burimeve alternative që do ta zvogëlojnë sa më shumë të mundet përdorimin e burimeve të parinovueshme dhe të nxisin zhvillimin e formave të reja, alternative të energjisë.
Fermat duhet të kthehen sërish në prodhuese neto të energjisë. Është e rëndësishme që fermeret të kthehen nga shfrytëzues të mirëfilltë, në prodhues të një pjese të mirë të energjisë që atyre do t’u nevojitet në fermat e tyre. E nëse do të arrijnë të gjejnë mënyrën e duhur për të siguruar energji, ata do të mund të përfitojnë prej këtij zbulimi, e ta marketojnë idenë apo produktin e tyre, duke gjetur një mënyrë novatore për rritjen e të ardhurave.

Investimi në forma të reja të shfrytëzimit të energjisë në bujqësi

Energjia alternative kërkon një investim fillestar të lartë, por ky investim do të ulë ndjeshëm shpenzimet totale të fermave në një periudhë të gjatë kohore. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të hartohen plane apo strategji ndihmëse nga qeveria dhe institucionet financiare, që të kenë si fokus dhënien e granteve apo kredive me interes të ulët, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve në hapat e parë të implementimit të teknologjive të reja ekologjike.

Shteti shqiptar, me synimin për të reduktuar konsumin e burimeve energjetike në vlerën e 5Ktoe, për periudhën 2011-2018, po planifikon të aplikojë skemat e biomasës dhe të prodhimit të biogazit nga impiantet, si dhe të prezantojë skemat efektive të ujitjes në formë shiu.

Si mund të ulni ndjeshëm përdorimin e burimeve të kushtueshme e të fundme fosile?
Si mund të përdorni burime alternative energjitike në fermat tuaja?

Ne kemi disa sugjerime:

  • Zgjidhni të prodhoni vetë energjinë që përdorni në fermën tuaj për ngrohje, me an&eueuml; të paneleve që shfrytëzojnë energjinë diellore.
  • Prodhoni bio-karburant nga vajrat vegjetalë, yndyrnat apo dhjami.
  • Përdorni mbeturinat e aktiviteteve bujqësore për të prodhuar elektricitet dhe ujë të ngrohtë për ngrohje.
  • Instaloni turbina që vihen në veprim nga era. Përpara se të instaloni një turbinë të tillë, duhet të keni parasysh të konsideroni madhësinë e turbinës. Sa më i madh të jetë diametri i turbinës, aq më shumë energji do të prodhojë. Gjithashtu duke qenë se shpejtësia e erës rritet me rritjen e lartësisë, sa më e lartë të jetë turbine juaj, aq më shumë energji do të prodhojë. Po ashtu edhe shpenzimet e mirëmbajtjes rriten me madhësinë e turbinës, prandaj duhet të llogarisni me kujdes sasinë e energjisë që do t’i duhet fermës suaj në mënyrë që shpenzimet të mos tejkalojnë mundësitë tuaja.
  • Edhe pse kjo është një fushë e re e cila shfaq sfida dhe kufizime të ndryshme rregullatore, përdorimi i energjisë së këtij lloji po rritet gjithmonë e më shumë, duke u fokusuar në përmirësimin dhe gjetjen e metodave që synojnë të rrisin efektivitetin.
  • Transportoni produktet tuaja me anë të trenave e anijeve në vend të makinave apo avionëve, për të ulur përdorimin e karburantit, për të ulur kostot dhe njëkohësisht edhe prodhimin e substancave të dëmshme që lëshohen në ajër si pasojë e djegies.
  • Ndërkohë edhe në veprimtaritë tuaja të përditshme, ju mund te kryeni disa veprime mjaft të thjeshta, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në uljen e kostove tuaja si dhe në përdorimin e kujdesshëm të energjisë.
  • Përdorni makineri të reja, të cilat nuk konsumojnë sasi të tepruara karburanti dhe nuk ndotin ajrin nëpërmjet mbetjeve të rrezikshme.
  • Mirëmbani makinat apo pajisjet tuaja. A e dini se gomat e makinave me të cilat punoni tokën nëse janë të shfryra prishin cilësinë e tokës që po punoni? Po ashtu edhe gomat që janë më të fryra sec duhet mund të prishin materialin veshës të gomës, të prishin cilësinë e tokës si dhe të rrisin sasinë e karburantit të konsumuar nga makina? Një universitet në Kaliforni ka zbuluar se gomat e fryra në mënyrë korrekte ulnin deri në 20% konsumin e karburantit në makina, në krahasim me gomat e mbifryra.
  • Përdorni sa më pak pesticide të jetë e mundshme. Në vend të tyre mund të përdorni produkte organike. Kjo do të ndikojë në ulje drastike të kostove të prodhimit dhe do të përmirësojë cilësinë e tokës dhe të prodhimeve.
  • Përdorni ngrohës uji të cilët jnë të veshur nga brenda me një mbulesë termike. Kjo mbulesë do të ulë sasinë e humbur të nxehtësisë dhe më e rëndësishmja do të ulë shumën e faturave energjitike që do të paguani në një vit. Nuk humbet energjia, por nuk humbisni as ju!
  • Përdorni llampa ndriçimi floreshente që përdorin 1/3 e elektricitetit dhe zgjasin 10 herë më gjatë se llampat normale të ndriçimit.
  • Është e rëndësishme të ndërgjegjësohemi dhe të përdorim me kursim dhe në mënyrë të përgjegjshme burimet që na ka falur natyra e të mbetemi gjithmonë në kërkim të formave të novatore të shfrytëzimit të energjisë pa u treguar armiqësor me planetin.

Energjia e bujqësisë, e shfrytëzuar në dimensione të ndryshme, është fundja energjia e jetës!