Energjia Diellore “ Sekreti i Kursimit

752 0

Më e shpejtë se plumbi dhe më përvëluese se çaji i nxehtë? Është energjia diellore: një burim i energjisë së rinovueshme shumë miqësor me tokën që me shumë gjasa do të jetë miqësor edhe me xhepin tonë. Energjia diellore mund të jetë një zgjidhje ndaj krizës energjetike dhe çmimeve të larta të energjisë që paguajnë konsumatorët shqiptarë, të cilat janë ndër më të lartat në rajon. Por ne e kemi një rrugëdalje. Ne kemi diellin, shumë diell madje. Mesatarisht në një vit, ne jemi të bekuar me afërsisht 2400 orë diell, me një mesatare prej 240-300 ditë me diell, kështu që duket e qartë që shqiptarët duhet të ndjekin rrugën e diellit, ashtu siç në fakt po bën dhe pjesa më e madhe e botës.

Numri i pronarëve të shtëpive dhe bizneset të cilët kanë zgjedhur vendosjen e paneleve diellore në vend të burimeve e tjera të energjisë në Shqipëri është vazhdimisht në rritje. Vetëm në vitin 2014, importi i paneleve diellore, sipas INSTAT, kapi shifrën e 379.000.000 Lekëve, me një rritje prej 129% krahasuar me një vit më parë. Edhe pse përdorimi i tyre mbetet i ulët në raport me potencialin e madh që kanë, duke pasur këtu parasysh dhe numrin e madh të ditëve me diell, interesi gjithsesi është në rritje.

E nëse nuk iu është mbushur ende mendja, trashësia e portofolit në fund të muajit do t’ju bëjë ta rimendoni. Panelet diellore kanë një mirëmbajtje minimale dhe konsiderohen nga ekspertët si një prej produkteve më të qendrueshme, që mundësojnë kthimin e investimit. Për ta shpjeguar më qartë: në fund të muajit është e sigurtë që do të keni më shumë lekë të kursyera, sepse e para dielli është falas dhe së dyti do t’i shtoni vlerën shtëpisë tuaj. Edhe në rast se do të doni ta shisni, blerësit e rinj do të jenë më të predispozuar për të blerë një shtëpi me panele diellore pasi kursejnë energji.

Rritja e qëndrueshme në blerjen e paneleve diellore është dhe për shkak të disa politikave që qeveria shqiptare po ndërmerr edhe si pjesë e axhendës së saj të BE-së, në lidhje me energjinë e rinovueshme dhe energjinë diellore në veçanti. Projektligji i ri në lidhje me energjinë e rinovueshme, i cili është hartuar me ndihmën e ekspertëve të huaj, thekson se hotelet, restorantet dhe ndërtesa e tjera të shërbimit kanë detyrimin për të filluar instalimin e paneleve diellore dhe deri në 2016 do të jetë një detyrim për të gjitha lejet e ndërtimit për pallate banimi. Por ligjit do t’i duhet kohë që të zbatohet, kjo sepse afatet janë shtyrë për shkak të vonesave në hartimin e kornizës ligjore, po edhe pse për shqiptarët është pak e vështirë të kapërcehet fakti që duhet ta bëjnë një gjë të detyruar nga “forca e ligjit”. Ekspertët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se Shqipëria përbën një rast të veçantë ku duhet ndërhyrë me urgjencë, pasi 10-13% e totalit të burimeve të energjisë primare, duke përfshirë dhe importet, sigurohen nga biomasa, veçanërisht nga druri.

Në këtë pikë Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë në përcaktimin e kushteve të tyre për Shqipërinë në lidhje me energjinë e rinovueshme. Deri në vitin 2020, afërsisht 38% të energjisë, konsumatorët shqiptarë do të duhet ta sigurojnë nga energjia e rinovueshme. Ky është një kusht i vendosur nga BE, i cili do t’iu sigurojë qytetarëve shqiptarë kosto më të ulët të energjisë dhe një mjedis më të pastër dhe pa ndotje. Përmes fondeve IPARD Like,  BE ka investuar në disa projekte për energjinë e rinovueshme. Energjia e rinovueshme krijohet nga era, energjia diellore apo nga mwnyra të tjera, miqësore ndaj ambjentit. Gjithashtu me ndryshimet në ligjin për "energjinë e rinovueshme", e cila është miratuar nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, synohet që të tërhiqen më shumë investitorë në këtë fushë. Shqipëria është vendi i dytë në Evropë, pas Norvegjisë që ka pothuajse 100% të energjisë së rinovueshme elektrike në sajë të shfrytëzimit të burimeve hidrike përmes hidrocentraleve dhe që është e bekuar në të paturit diell gjatë gjithë vitit rreth.

Potencial i pashfrytëzuar
Pozita e Shqipërisë, e cila ka një klimë mesdhetare, krijon kushte të favorshme për një zhvillim të qëndrueshëm të energjisë diellore. Intensiteti i lartë i rrezatimit diellor, kohëzgjatja e saj relativisht e gjatë, temperatura dhe lagështia e ajrit janë pikërisht elementet që kontribuojnë për këtë qëllim. Klima mesdhetare me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë dhe të thatë mundëson Shqipërinë të ketë potenciale të larta në përdorimin e energjisë diellore sesa mesatarja e vendeve evropiane.

Siç mund të shihet nga kjo hartë, Shqipëria ka një energji të konsiderueshme, që vjen nëpërmjet rrezatimit diellor. Kjo sasi ndryshon nga 1200 kWh / m2 në pjesën verilindore të vendit (zonës që ka sasinë më të ulët të rrezatimit diellor) deri në 1600 kWh / m2 në zonën e Myzeqesë, e cila është zona që ka një sasi të konsiderueshme të energjisë diellore. Mesatarja e rrezatimit diellor ditor mund të ndryshojë nga një minimum prej 3.2 kWh / m2 në verilindje (ditë në Kukës) deri në një maksimum prej 4.6 kWh / m2 në jug-perëndim (ditë në Fier). Prandaj, Shqipëria ka një mesatare rrezatimit diellor ditor prej 4.1 kWh / m2, e cila mund të konsiderohet si një regjim shumë i mirë i energjisë diellore. Ne e kemi diellin, tani është koha që ta përdorin atë me mençuri duke ndjekur trendin global e të sigurtë të aplikimit të energjisë diellore, si një mënyrë e shkëlqyer për të kursyer energjjinë aq të kushtueshme.