Epidemiologu: Shqipëria e Kaloi Ciklin e Koronavirusit por Duhet Kujdes

317 0

Epidemiologu, Ilir Alimehmeti në një nga mediat e vendit deklaroi se Shqipëria e ka kaluar tashmë ciklin e koronavirus dhe ndaj numri i të prekurve ka rënë në mënyrë të ndjeshme.

“Sa është i përhapur vërtetë virusi nuk mund ta themi dot vetëm përmes tamponit, tamponi është vetëm një fotografi e momentit.

Mund të themi që për momentin ky virus e ka bërë ciklin e vet, pasi që në fillim mendohej se do të ishte rreth 10 javë, pra rreth 70 ditë. Ne sot jemi në ditën e 100-të dhe mund të themi qartësisht se këtë cikël e kemi plotësuar”, tha mjeku.

Ndikimi i Rritjes së Temperaturave

Alimehmeti theksoi më tej se me rritjen e temperaturave, në vendin tonë do të ulet ndjeshëm mundësia për t’u infektuar nga koronavirus, por kjo nuk do të thotë se do të zhduket plotësisht.

“Fuqia e virusit ulet në temperaturë të lartë. Nuk e zhdukin komplet por e minimizojnë mundësinë ngjitëse të tij në temperatura të larta.

Shfaq një sezonalitet, por ndryshe nga gripi, koronavirus në verë nuk zhduket komplet. Temperatura do na ndihmojë shumë por nuk do ta zhdukë. Ky virus jeton shumë pak në ambient me diell”, u shpreh epidemiologu.

Virusi Do Të Kthehet Në Vjeshtë

Më tej, ai theksoi se virusi do të ketë një rikthim në vjeshtë. Lidhur me teoritë se virusi është krijuar në laborator, ai tha se, nuk ka asnjë provë dhe asnjë studim të vetëm që e mbështet këtë ide, pasi të gjitha studimet tregojnë se është krijuar nga natyra.

“Së pari nuk ka asnjë provë dhe asnjë studim të vetëm që ky virus është krijuar në laborator. Ky virus është krijuar në mënyra natyrore dhe nga kafshët është transmetuar tek njeriu. Për sa do të kemi ne jetë viruse dhe bakter të reja do të ketë gjithmonë”, tha Alimehmeti./Marrë nga ATSH