Europa në Alarm edhe prej Mishit të Pulave nga Brazili

328 0

Kohë të vështira për prodhimet e mishit brazilian të eksportuara në Europë dhe në botë. Pas problemeve me skandalin e mishit të viçit dhe të lopës, edhe produktet e shpendëve dhe sidomos ato të pulave po shkaktojnë një tjetër stuhi në tregjet europiane.

Ditën e sotme, datë 29 Mars 2017, Sistemi i Alarmit i Bashkimit Europian për Kontrollin e Sigurisë së Produkteve njofton urgjentisht të gjitha vendet anëtare për Rrezik Serioz me eksportet braziliane të mishit të ngrirë të pulave.

Sllovakia dhe autoritetet e saj të kontrollit të sigurisë raportuan sot për sekuestrimin dhe bllokimin e një sasie të konsiderueshme mishi pule, specifikisht gjokse pule me origjinë nga Brazili pasi rezultuan me norma të larta të rrezikshme të infeksionit të Salmonelës. Kliko këtu për njoftimin zyrtar.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org rezulton se sasia e gjokseve të pulave braziliane me Salmonelë ka hyrë në Europë nëpërmjet portit hollandez të Rotterdamit në datë 22 Mars 2017, në të njëjtën kohë kur plasi skandali i bllokimit të fabrikave braziliane që eksportonin mish viçi të kalbur dhe mish pule të bashkuar me elementë të rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve.

Dje në datë 28 Mars dhe sot 29 Mars 2017 Italia dhe autoritetet e saj të kontrollit të sigurisë ushqimore kanë sinjalizuar 4 ngarkesa të ndryshme me mish shpendësh specifikisht gjokse gjeldeti dhe fileto gjeldeti të cilave nuk i është autorizuar importi në portet italiane. Klikoni për njoftimin zyrtar këtu.

Të katërta ngarkesat rezultojnë me Salmonelë dhe AgroWeb.org njofton se Italia ka urdhëruar që ngarkesat të mos zbarkohen në port, por të rikthehen në anije duke i mbyllur rrugën produkteve braziliane në tregun e saj.

Faktet e mësipërme zhvlerësojnë totalisht pretendimet e Autoritetit Shqiptar të Kontrollit Ushqimor që në disa komunikime kontradiktore ka deklaruar me ngulm se nuk ka asnjë njoftim alarmi për produktet e mishit brazilian nga RASFF, Sistemi i Alarmit i Bashkimit Europian për Kontrollin e Sigurisë së Produkteve.

AKU ka deklaruar përgjatë ditëve të fundit që po realizon analiza të sasive të mishit të shpendëve dhe të derrit nga Brazili dhe po monitoron situatën.

Por situata po ecën shumë më shpejt se ritmi i kontrollit të AKU. AgroWeb.org ka realizuar gjatë javës së fundit kërkime në treg për origjinën e mishit të viçit, mishit të derrit dhe mishit të pulave dhe askush nga operatorët e pikave të shitjes së këtyre produkteve në tregun shqiptar nuk është në gjendje të identifikojë se nga vijnë sasitë e mallit që konsumojnë shqiptarët.

Vetëm pak ditë më parë Policia Federale Braziliane ka deklaruar se mishi i kalbur i viçit në shumë raste është trajtuar me acide dhe me produkte agresive kimike për të dhënë ngjyrimin e duhur artificial mishit të kalbur. Policia deklaron se në disa raste produktet e përdorura ishin kancerogjene.

Në rastet e prodhuesve të shpendëve, AgroWeb.org raporton se kompanitë prodhuese përdornin patate, ujë apo dhe karton përzier me mishin e pulës me qëllim që të rrisnin përfitimet në peshë, por tani problemet janë shumë më serioze.

Të gjitha vendet europiane janë në alarm nga ngarkesat e mishit të pulave dhe gjeldetit të prekur me Salmonella Enteritidis, patogjenë të aftë për të përhapur epideminë e salmonelës në shkallë masive. Simptomat e salmonelës përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku, të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Ndonjëherë mund të ndodhë që të shfaqet dhe temperatura. /AgroWeb.org

Për të lexuar më shumë mbi Skandalin e Mishit Brazilian klikoni këtu