Evropa kërkon mini-shalqinjtë shqiptarë- Ballkani të mëdhenjtë

157 0

Shqipëria është ndër kampionët botërore të konsumit për frymë të shalqinjve me 146.93 kg për person. Dhe jo vetëm kaq. Shalqinjtë shqiptarë janë ndër më të kërkuarit në Ballkan por edhe në vendet e BE-së.

Sipas të dhënave, vetëm nga Divjaka çdo ditë, rreth 600 ton shalqinj nisen nga pikat e grumbullimit drejt vendeve ballkanike dhe të Europës.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, vetëm për muajin qershor eksporti i shalqinjve arrin në 10 mijë ton. Ndërsa në një vit kjo shifër eksporti arrin gati 30 mijë ton.

Fermerët thonë se eksporti i shalqirit është rritur dhe janë të kënaqur me prodhimin dhe tregun. Por, edhe pse të kënaqur me shitjet deri tani, ata kërkojnë siguri për të ardhmen.

Deri më tani rrjeti i prodhimit të shalqinjve ka qenë kryesisht i fokusuar në përmbushjen e kërkesave të tregut vendas, duke kaluar nga fermeri, në treg dhe në dyqane më të vogla të fruta perimeve. Pengesë për shumë nga fermerët është përmbushja e kritereve dhe çertifikimi i produktit që do të hapte dyert drejt një tregu më të madh evropian e ndërkombëtar.

Tregje të ndryshme kanë kërkesa me karakteristika të ndryshme. Madhësia duket se është një prej tyre.

Për Kosovën dhe Hungarinë përshembull sa më i madh fruti aq më i mire është. Këto dy tregje preferojnë shalqinjtë që shkojnë më shumë se 10 kg. Tregu vendas preferon shalqi mesatarë, ndërkohë që në BE pëlqehet trendi i “shalqinjve personalë” të peshës 3.5-5.5 kg. Kjo kryesisht për shkak të familjeve të vogla evropiane dhe konsumit të ekuilibruar të frutave.

Ekspertët thonë se një mundësi premtuese e tregut në tregjet e brendshme dhe ato të eksportit janë shalqinjtë në sezonin e hershëm, që do të rrisin eksportet dhe kultivimi i varieteteve të kërkuara nga vendet e BE-së sic janë mini-shalqinjtë dhe shalqinjtë pa fara.

Gjermania, Franca, vendet Balltike, madje dhe Britania e Madhe janë disa nga vendet që shijojnë më shumë një shalqi shqiptar. Duke qenë se është afër me disa vende të Evropës veriore. Shqipëria po e kapitalizon produktin e saj duke pasur kështu avantazh ndaj furnizuesve të tjerë si Greqia apo Spanja.

Në pjesën më të madhe eksportet tona shkojnë në vendet e Ballkanit, kryesisht në Kosovë dhe Serbi, por me sigurimin e çertifikatave të sigurisë Global Gap, fermat do të mund të eksportojmë më shumë dhe në BE. 

Tregu rajonal i Ballkanit aktualisht dominohet nga eksportet shqiptare të shalqirit.

Vende të tjera ku Shqipëria ka qenë e suksesshme në eksport përfshijnë Malin e Zi, Moldavinë, Rumaninë, Bullgarinë, dhe Kroacinë. Shqipëria është prodhuesi i katërt më i madh me shalqi pas Rumanisë, Hungarisë dhe Ukrainës.

Por ajo që është e sigurtë është se si vendet e Bashkimit Evropian ashtu dhe ato të Ballkanit i kërkojnë shalqinjte tanë, aq të pasur në shije sa edhe të ëmbël në fitime për fermerë shqiptarë. Suksesi qëndron te mbjellja e varieteteve të ndryshme, në varësi të kërkesës së tregut të këtyre vendeve./AgroWeb.org