Fama dhe shkëlqimi i Miellit të Qiqrrave

340 0

Mielli i qiqrrave është një produkt natyral pa gluten, një lajm që do të entuziazmojë ata konsumatorë që po ndjekin stilin e të ngrënit të ushqimeve pa gluten. Ky miell është i pasur me proteina, hekur dhe fibër. Në fakt, mielli është produkt i qiqrrave të pjekura ose të gjalla të bluara.

Përveç vlerave shëndetësore, mielli i qiqrrave është një ushqim i zhdërvjellët dhe ka një shije të veçantë që e bën të përshtatshëm për një sërë gatimesh dhe ëmbëlsirash. Ky miell përdoret në të gjithë botën, ndaj është koha që edhe konsumatori shqiptar të prezantohet me të.

Përdorimet më të famshme të miellit të qiqrrave janë traditë në vendet aziatike. Në këto vende, me këtë miell prodhohen krepa të shijshëm që kombinohen me shumë perime të ndryshme dhe fruta duke nisur nga domatet tek thjerrëzat.

Në Francë, krepat me miell qiqrrash mbajnë emrin soça, ndërsa në Itali quhen farinata. Në Lindjen e Mesme, ky miell përdoret për përgatitjen e një ushqimi të njohur si falafel ose të humusit të thjeshtë.

Miellin e qiqrrave e gjejmë kudo përreth. Tani që të ngrënit të shëndetshëm dhe qëndrimi larg produkteve me gluten po merr një vëmendje të madhe, duhet të zbulojmë të mirat që vijnë nga mielli i qiqrrave.

Ajo që duhet të dini është që miellin e qiqrrave mund ta përdorni për të zëvendësuar çdo lloj mielli tjetër që përdorni në kuzhinë. Ky miell ka një shije arrore dhe është plot me proteina. Kombinohet mjaft mirë në supa, pjekje të ndryshme dhe salca. Mielli i qiqrrave është një alternativë e mirë nëse jeni duke ndjekur një mënyrë ngrënie me ushqime pa gluten apo pa produkte gruri.

Në një filxhan me miell qiqrrash, gjenden 356 kalori, 21 gramë protein, 6 gramë yndyrna të plota dhe 53 gramë me karbohidrate të plotë. Ky miell ka më pak kalori dhe karbohidrate se çdo miell tjetër i plotë apo edhe mielli i bardhë, e megjithatë është një burim shumë herë më i mirë i proteinave.

Mielli i qiqrrave ka dy herë më shumë proteina se sa mielli me grurë të plotë dhe gjashtë herë më shumë proteina se sa mielli i bardhë i zakonshëm.

Ky miell është një burim i shkëlqyer folati, duke qenë se përmban shtatë herë më shumë folat se mielli i bardhë i zakonshëm.

Mielli i qiqrrave madje ka më shumë folat edhe se sa mielli i bardhë i pasuruar shumëpërdorimësh. Ai përmban vitaminë B6, magnez dhe kalium./AgroWeb.org