Të bësh furca përfituese apo qoka çantë-mbushëse në Shqipëri, gradualisht merr trajtën e trendy-t në ditët e sotme. Jemi bërë aq skeptikë, saqë nëse dikush shkruan fjalë të mira për dikë, prapa-thashethemet do të jenë se ka marrë një goxha pjesë.
Pavarësisht këtyre, nëse ka shembuj pune, e frytesh, unë mendoj se duhet nxjerrë në vëmendje, që gjithkush të njohë si jetohet e përfitohet, nëpërmjet një rruge ligjore djerse.
Mandarinat e Xarrës tashmë janë shndërruar në krenari, jo vetëm për zonën ku mbillen e vishen me përkujdesje, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ato janë leksion i shfrytëzimit të pasurive tona natyrore dhe shembull i përshtatjes së kushteve me ekonominë vendase.
E morëm informacionin e detajuar për famën e mandarinave të kësaj zone, nga administratori i “Kote Farm”, Dhimitër Kote, i cili ka qenë edhe një prej inisiatorëve të organizimit për prodhimin e shpërndarjen e mandarinave, brenda vendit dhe për eksport. Ish-kryetari i komunës Xarrë për 4 mandate, Kote na shpjegon mes shifrave inkurajuese, vijimin e ritmit me të cilin është punuar.
Duke e nisur mbjelljen e mandarinës klementinë, që në vitin 2002, bashkë me 2 vëllezërit e tij, ai e ka rritur kohë pas kohe biznesin e tij, duke e zgjeruar atë edhe me kontributet e bashkëfshatarëve të tij. “Sot kemi 25 mijë pemë, të cilat prodhojnë 1300 ton prodhim, e ku janë të punësuar 60 punëtorë”- na rrëfen Kote për AgroWeb.org, me pozitivitet dhe pa kurfarë megallomania.
Pasi kanë zgjeruar Fermën e tyre, duke siguruar një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh, ai shpjegon se përveç pronës së përfituar me ligjn 7501, ka blerë edhe tokë nga bashkëfshatarët, si edhe ka marrë toka me qera nga shteti, për të shtuar mundësinë e prodhimit të mandarinave.
Por në Xarrë nuk punohet në mënyrë individuale, siç ndodh tipikisht me biznesmenët shqiptarë. Duke funksionuar si qendër grumbullimi e shpërndarjeje, Xarra ka vënë në funksion të mandarinës “së saj”, rreth 800 hektarë tokë, ku janë mbjellë 450 mijë pemë. Prodhimi arrin deri në 16 mijë ton prej tyre. Ndërkohë që kujdesen për mandarinën, Xarra siguron punë periodike edhe për rreth 400 punëtorë, që vijnë edhe nga qytete të tjera si Berati, Fieri, Lushnja, Librazhdi etj, të cilët arrijnë të përfitojnë 1500-2000 lekë të reja në ditë. “8 mijë ton nga prodhimi ynë shkon për furnizimin e tregut të brendshëm, 8 mijë ton për në Kosovë dhe rreth 1 mijë ton në Maqedoni. Këtë vit tentuam edhe Poloninë dhe besoj se shumë shpejt, ky shtet do të tërheqë deri në 4500 ton prej nesh”- na jep informacionet e fundit biznesmeni Dhimitër Kote.
Edhe pse mund të duket si shumë e bukur për të qenë e vërtetë, Xarra është realitet në dritë të diellit. Fshatarët e tjerë të zonës që kultivojnë mandarinë, e shesin atë në pikat e grumbullimit, me çmim për të cilin kanë rënë unanimisht dakord, marrin faturë të rregullt dhe transportojnë mallin në destinacion, për t’u likujduar në kthim nëpërmjet bankës. Gjithçka e formalizuar, brenda korrektesës ligjore dhe pa patur nevojë për “driblime” detyrimesh e manovra të ngjashme. E vetmja kërkesë që kanë këta njerëz që shijojnë ç’ka natyra i ka falur, është vijimësia e projekteve nga BE-ja, lidhur me mjetet e punës. “Kemi aplikuar në projektin e Bashkimit Europian IPARD dhe përfituam 11 mjete të tilla me vlerë 600 mijë euro.
Gjysmën e tyre e pëfituam si ndihmë nga ky projekt, ndërsa gjysmën, prej kredisë së butë të shtetit. Do të donim që projekti të vazhdojë, sepse ne jemi bujqësi intensive dhe me rendiment në rritje”- shprehet Kote për AgroWeb.org.
Pasi shfrytëzojnë prodhimet e pemëve të mandarinës, deri në fund të vitit, banorët e Xarrës, gjatë stinëve kur nuk prodhohet, kujdesen për krasitjen, plehërimin, ujitjen e tyre, për t’u përgatitur për më tepër prodhim vitin pasues, pasi mandarina, jep kapacitet në rritje prodhimi, pasi kalojnë 5 vjet.
“Ne aktualisht marrim vetëm 30 përqind të prodhimit real të pemëve të mbjella. Është edhe 70 përqind e produktit që do të prodhohet në vazhdimësi. Aktualisht konkurojmë me cilësi, rendiment dhe çmim Greqinë e Spanjën, e kam bindjen se do të shtojmë prezencën në tregjet ndërkombëtare, me kalimin e viteve”- na rrëfen në emër të të gjithë fshatarëve të Xarrës, ambicjen e tij, Dhimitër Kote./AgroWeb.org
*Gert Selenica është Kryeredaktor në Departamentin e Informacionit në TVSH dhe punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org