Fasulet në piedestal – 2016 Viti Ndërkombëtar i Bishtajoreve

743 0

Dhe teksa lexojmë titullin, shumë prej nesh mendojnë; I paskemi nënvlerësuar fasulet e thjerzat për gjithë këto vite! Dhe ky është pikërisht viti që na jep ne, shqiptarëve dhe të gjithë botës mundësinë për t’i dhënë fasuleve atë që i takon fasuleve.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka shpallur vitin 2016, Vitin Ndërkombëtar të Legumeve. Në familjen e njohur si Familja e Leguminozeve apo bishtajoreve, bëjnë pjesë fasulet, thjerzat, bizelet, bathët, soja, qiqrat apo edhe kikirikët.

Në Piramidën e Ushqimit legumet kanë aq vlera ushqimore sa futen në dy grupime; në grupin e mishit dhe bishtajoreve, për nga vlerat e proteinave, si edhe në grupin e perimeve.
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) është institucioni që do të kujdeset për të lehtësuar zbatimin e Vitit të Legumeve, në bashkëpunim me qeveritë, organizatat partnere, organizatat joqeveritare dhe të gjithë aktorët e tjerë që lidhen me këtë çështje.

Arben Kipi, përfaqësues i FAO-s në Shqipëri thotë për AgroWeb se në Shqipëri këtë vit, në bashkëpunim me zyrën qendrore të FAO-s do të zbatohet projekti për nxitjen e Fermave Familjare. “Si pjesë e këtij projekti, produktet leguminoze do të jenë një prioritet. Në zona si Korça, Dibra e të tjera, parashikojmë të nxisim prodhimin e këtyre produkteve, si pjesë e rëndësishme edhe e Vitit Ndërkombëtar të Legumeve”, thotë Kipi.

Profesor Adrian Doko, ekspert i bujqësisë dhe veçanërisht i legumeve zbulon për AgroWeb një fakt interesant edhe pse jo shumë pozitiv. “Deri përpara 10 vjetësh, Shqipëria jo vetëm siguronte prodhim për konsumin vendas por edhe eksportonte. Tashmë, eksporti është në vlera minimale” thotë ai. I pyetur për arsyet e kësaj renie, Adrian Doko vlerëson si shkak kryesor hyrjen e legumeve kineze dhe turke në Shqipëri dhe në Evropë, me çmime të ulta dhe ulja e kërkesës ka ulur edhe prodhimin.

Në fakt, Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë për eksportet e fasules. Në vitin 2014 vlera monetare e eksporteve kapi shifrën e 20.207 Dollarëve amerikanë, ndërkohë që fqinji ynë Maqedonia për të njëjtën periudhë ka ekportuar më shumë se dyfishin duke kapur vlerën e 49.893 Dollarëve. Niveli më i lartë i lartë i eksporteve i takon periudhës 1996-1997 ku shënohet dhe vlera më e lartë, respektivisht 804.460 Dollarë në vitin 1996 dhe 1.131.983 në vitin 1997.

Lidhur me prodhimtarinë e legumeve në Shqipëri, Zoti Doko thotë se “zonat me prodhimtari më të lartë të fasules janë zonat e Zadrimës, Shijakut, Lushnjes e Fierit. Koçkullat apo qiqrat janë karakteristikë e Beratit, ndërsa Korça shquhet për pllaqitë e mirënjohura. Mbillet pak sojë, kryesisht në Laç, bathë në Gërmenj të Lushnjes. bizelet kur janë të freskëta janë të vendit, të konservuarat (pra jashtë sezonit) janë të gjitha të importit. Përsa i përket thjerzave ato importohen nga jashtë.”

Mesatarisht shqiptarët konsumojnë 5-6 kilogram fasule për frymë në vit, duke i kapërcyer të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për nga niveli i konsumit. Por gjithsesi prodhimi ynë prej 15 kv/ha vazhdon të mbetet i ulët.

Mesatarisht shqiptarët konsumojnë 5-6 kilogram fasule për frymë në vit, duke i kapërcyer të gjitha vendet e Bashkimit Evropian

Qëllimi i Vitit Ndërkombëtar të Legumeve

Qëllim kryesor është rritja e ndërgjegjësimit të publikut për përfitimet ushqyese të legumeve si pjesë e prodhimit të ushqimit të qendrueshëm që ka si synim sigurinë e ushqimit dhe të mirë-ushqyerjen. Objektivat specifike të Vitit Ndërkombëtar janë:

• Rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me rolin e rëndësishëm të legumeve në prodhimin e qëndrueshëm të ushqimit, vetitë e tyre për shëndetin dhe kontributin në sigurinë e ushqimit dhe vlerat ushqimore;
• Promovimi i vlerave dhe përdorimit të legumeve në të gjithë sistemin e ushqimit, përfitimet për një tokë më pjellore dhe në uljen e riskut ndaj ndryshimeve klimatike si edhe në betejën kundër kequshqyerjes.
• Inkurajimi i lidhjeve në të gjithë hallkat e prodhimit për një nxitje të prodhimtarisë së legumeve në të gjithë botën, për të thelluar kërkimet në këtë fushë, për të shfrytëzuar varietetet e këtyre produkteve dhe për të adresuar siç duhet sfidat në tregtinë e legumeve.

Vlerat shëndetësore të Legumeve

Bishtajoret, të njohura edhe si legume duhet të përfshihen shumë në ushqimin tonë të përditshëm pasi janë shumë të pasura me vlera ushqyese. Në fakt, legumet shpesh quhen “mishi i të varfërve”, megjithëse në të vërtetë ato kanë shumë më tepër vlera shëndetësore sesa çdo lloj mishi. Duke qenë shumë të pasura me proteina dhe një nga burimet më të mira të fibrave, legumet janë ushqim kryesor në të gjithë botën. Mbi të gjitha ka shumë varietete legumesh, të cilat klasifikohen në bizele, bathë dhe thjerza.

Disa varietete të legumeve si për shembull soja, janë të pasura me përbërës anti-inflamatore. Këto përbërës ulin nivelin e kolesterolit, forcojnë sistemin imunitar dhe mbrojnë trupin ndaj kancerit. Për ata që janë vegjetarianë apo veganë, legumet janë zëvendësuesi më i mirë i proteinave. Ndryshe nga mishi, legumet kanë nivel të ulët kolesteroli, ndaj edhe janë më të shëndetshme.

Legumet kanë qenë pjesë e të ushqyerit të njerëzimit që prej Periudhës së Neolitit, duke qenë një nga produktet e para të kultivuara. Evidencat tregojnë se legumet janë konsumuar 9,500 apo 13 mijë vjet më parë. Ndaj në 2016 vlen të vendosim në piedestal fasulet, thjerzat e legumet e t’i japim meritat për kontributin e tyre në shëndet, mirëushqyerje dhe në mbrojtje të mjedisit./AgroWeb.org/