Kanë sfiduar edhe kushtet e rënda atmosferike për të ngritur zërin për të drejtat e tyre.

Fermerët e Myzeqesë e kanë zhvilluar sot protestën e tyre në Tiranë, ku kanë kërkuar subvencione nga qeveria.

Pavarësisht kushteve të këqija atmosferike, për shkak të rreshjeve të shiut, me pankarta në duar para Ministrisë së Bujqësisë, fermerët bëjnë thirrje që të rimbursohen për investimet e tyre.

“Nuk kemi marrë asnjë lekë subvencion. Ne kërkojmë që të ulet çmimi i naftës pasi e marrim me1700-1800. Një tjetër pikë është që të ngrihet një laborator për nritjen e cilësisë së produktit. I kërkojmë AKU që të bëjë detyrën e saj dhe ministrisë së Bujqësisë.

Nuk e merr njeri përsipër që të sigurojë serat. Kemi aplikuar për këto fonde, por s’kemi marrë asnjë”, tha një prej protestuesve për BalkanWeb, të cilit i referohet AgroWeb.org.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas BalkanWeb, mësohet se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë ka dalë nga zyra e tij dhe ka takuar nga afër protestuesit, ndërkohë që mori kontakte me përfaqësues të shoqatës së fermerëve.

Ai tha se ministria nuk ishte në dijeni të kushteve që kërkonin fermerët.

Prodhimi Nuk Po Shitet

Ata shprehen se prodhimi nuk u shitet dhe detyrohen ta hedhin.

“Kemi marrë kredi, banka do lekë, ku ti gjejmë. Kemi 5 vite në këtë situatë. Nuk ka treg. Në Tiranë është me 100 lekë kurse ne e shesim me 1 lekë. Kërkojmë nga qeveria të na japë subvencionet. Nuk ka dhënë asnjë subvencion. Më thanë që duhet të merrja 500 mijë lekë shtatorin e vitit të kaluar dhe nuk i kam marrë. Kam 3 dynym sera dhe nuk po nxjerr dot lekët për bukën time,” tha një prej fermerëve.

“Prodhimi nuk është shitur, ka mbetur në sera. Kam bërë 3 vite rresht dokumentet dhe nuk më kanë dhënë asgjë,” shtoi një tjetër fermer.

“Nuk kemi shpresa nga ky shtet po na gënjen. Në këtë moment që ky popull është keq të na japë një subvencionim që t’i mbjellim sërish vitin tjetër” shprehen fermerët për mediat./AgroWeb.org