Fermeri Nga Kuçova Sjell Serën E Re Moderne Për Rritjen e Domateve

548 0

Ilia nga Kuçova është një tjetër shembull frymëzues, i cili falë punës së tij dhe me mbështetjen e programit IPARD, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural ka ngritur një serë moderne për prodhimin e domates që i garanton sigurinë dhe cilësinë e produktit.

“Aty ku Ilia, pas kthimit nga emigracioni ka ndërtuar jetesën e tij përmes bujqësisë që vit pas viti i siguron të ardhura në rritje, atij dhe fermerëve të organizuar në një rrjet bashkëpunimi e fitimi”, shprehet Kryeministri Rama i cili ka ndarë pamja nga sera e tij në Kozare, Kuçovë.

“Me mbështetjen e programit IPARD, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, Ilia ka ngritur një serë moderne për prodhimin e domates që i garanton sigurinë dhe cilësinë e produktit”, tha Rama.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca gjatë bashkëbisedimit me Ilian tha se ai është një fermer tipik që prej vitit 2002 i cili rrit prodhimet e tij dhe në fushë të hapur dhe në sera.

“Ti je përfitues i programit IPARD me vlerë 4.9 milionë lekë për ndërtimin e kësaj sere diellore. Kjo shumë është pjesë e kontributit të AZHBR-së për një investim që ka shkuar diku tek 10 milionë lekë të reja sera”, u shpreh Krifca.

“Në këtë serë kam mbjellë një lloj domate e cila i përshtatet mjaft mirë temperaturave të larta. Kjo serë është me hapje mekanike, kam vendosur dhe rrjet për mbrojtjen e insekteve”, u shpreh Ilia.

Ilia tha se pa mbështetjen e programit IPARD dhe gjithashtu të qeverisë dhe BERZH ky investim do donte shumë vite.

“Nëse unë nuk do merrja këtë mbështetje do doja ndoshta 4 ose 5 vjet e deri në 10 vjet që të bëja këtë investim që kam sot. Kam marr kredi për këtë investim por dhe kredia është e mbështetur po nga qeveria nga BERZH, pra fondi i garancisë dhe kjo është një ndihmë shume e madhe”, tha Ilia gjatë bashkëbisedimit me drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

“Unë këtu punoj bashkë me vëllain dhe jemi ortak në këtë punë. Dëshira ime është ta zgjeroj sipërfaqen e serës të përmirësoj dhe të shtoj teknologjinë në serat aktuale që kam”, tha Ilia.

“Me çfarë kam parë unë gjithë këtë kohë që kam shëtitur gjithë Shqipërinë, ata që bashkohen dhe krijojnë secili në të mirën e vet dmth japin më të mirën e vet në funksion të punës japin më shumë rendiment dhe kanë më shumë të ardhura”, tha Krifca./Burimi:ATSh