Fermeri që Përfitoi Subvencionim nga Buxheti i Shtetit për Fermën e tij në Fshatin Zagori

481 0

Pëllumbi nga Zagoria, është një prej mijëra fermerëve që kanë përfituar këtë vit mbështetje me subvencione nga buxheti i shtetit pas aplikimit në portalin e-Albania.

Kryeministri Rama ka publikuar shembullin e Pëllumbit i cili pas aplikimit në skemën e subvencionit, është shpallur fitues. Ai aktualisht ka 1500 krerë dele.

Rama thotë se në vitin 2020, masa e përfitimit është më e madhja për krerë, krahasuar me vitet e mëparshme. “Po kështu, edhe numri i përfituesve dhe fondi i përdorur pritet të jetë më i madhi në gjithë periudhën (2012-2020).

Vijon procesi i disbursimit të fondeve. Skema e mbështetjes për Blegtorinë do të shtrihet edhe në tre vitet e ardhshme”, tha Rama.

Nga ana e tij, blegtori Pëllumb Koko u shpreh se ka aplikuar në muajin prill dhe ka dalë fitues i skemës së subvencionimeve.

“Ndodhemi në fushën e Çajupit në zonën e Zagorisë. Kemi 1500 krerë dele, një mijë krerë i kemi të matrikulluara. Në prill kam aplikuar përmes internetit për skemën e subvencionimeve dhe kam dalë fitues. Nxis blegtorë të tjerë për t’u marrë me blegtori, sepse Shqipëria i ka të gjitha kushtet. Është një zanat shumë i vështirë, por është më fitimprurësi”, -tha Koko./ATSH