Fijet e Arta të Mëndafshit Shqiptar

612 0

Delikatesa shqiptare e krimbit të mëndafshit po përpiqet t’i rikthehet famës së dikurshme. Ndonëse me ritme të ngadalta, kultivimi i krimbit të mëndafshit vijon të ruhet si traditë në disa zona veriore të vendit, veçanërisht në zonën e Nënshkodrës.

Dikur Mëndafshi Shqiptar ishte më i famshmi e më i preferuari për dhuratat fine e të shtrenjta të familjejeve aristokrate në Venedik e Raguzë e më tej në gjithë Europën. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, mendohet se kjo kulturë është sjellë në Shqipëri gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, ndërsa si traditë daton 6 mijë vite më parë në Kinën e Largët.

Megjithëse shumë larg nga buja që kishte në lashtësi, krimbin e mëndafshit në Shqipëri në ditët e sotme disa e kultivojnë për ta eksportuar jashtë vendit megjithëse në sasi të limituar, e disa të tjerë në mënyrë artizanale për të plotësuar kushtet e ekonomisë familjare.

Ende sot gratë e veriut vijojnë të ruajnë fort traditën duke u kujdesur për kultivimin e krimbit të mëndafshit në oborret e shtëpive të tyre, duke e përdorur atë për krijimin e pëlhurave të holla të qëndisura me fije mëndafshi por edhe për eksport.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria po vijon të eksportojë fije mëndafshi megjithëse në sasi më të vogla krahasuar me vitet e mëparshme. Referuar statistikave botërore, sot Shqipëria renditet në vendin e 35-të në botë, në grupin e 100 shteteve që eksportojnë fije mëndafshi.

Vitet e fundit, eksporti i fijeve të mëndafshit nga Shqipëria kalonte shifrën e 21 mijë lëmshave të vegjël (fshikëza që prodhohen nga krimbi gjatë kohës kur ai konsumon gjethet e manit. Çdo fshikëz përmban mbi 28 metra fije mëndafshi). Megjithëse, eksporti i fijeve të mëndafshit shqiptar ka pësuar rënie Shqipëria bashkë me Italinë vijonë të mbeten dy shtetet e vetme të Europës që eksportojnë fije mëndafshi.

Mëndafshi Shqiptar Në Lashtësi

Në Europën e mesjetës, fijet e mëndafshit shqiptar njiheshin me emrin Seta Skutarina. Kjo, pasi Shkodra ka qenë kultivuesja kryesore e fijeve të mëndafshit. Prodhimi i mëndafshit si lëndë e parë, ka zënë një vend të rëndësishëm në kuadrin e përgjithshëm të prodhimit në shekujt XIV-XV.

Asokohe kultivimi i krimbit të mëndafshit njihej edhe në zonat të tjera të Shqipërisë si në Tiranë, Elbasan apo Korçë.

Në zonat veriore të vendit, për shkak të tokës së përshtatshme nisën të mbilleshin pemët frutore të manit të bardhë, në të cilin lehtësisht mund të kultivohej krimbi i mëndafshit. Gjatë asaj periudhe të hershme, kultivimi i krimbave të mëndafshit ishte në lulëzim.

Duke qenë se trevat shqiptare ndodheshin në rrugët e krahinat midis lindjes dhe perëndimit, këto treva u shndërruan në urë kalimi për kulturën e prodhimit dhe punimit të mëndafshit.

Procesi Magjik i Prodhimit të Fijeve nga Krimbi i Mëndafshit

I gjithë cikli natyror, nga rritja e krimbit të mëndafshit deri tek prodhimi i fijeve të tij është një proces magjik. Krimbi i mëndafshit jeton më pak se një muaj. Cikli i zhvillimit të tij është i shpejtë dhe kujdesi në kultivimin e tij duhet të jetë maksimal.

I gjithë procesi i rritjes së krimbit të mëndafshit zhvillohet përmes ushqyerjes me gjethe mani. Pasi kalon fazën e larvës, ai nis të konsumojë gjethe mani në sasi më të mëdha ndërsa krijon një fazë jetese, sipas të cilës ai ushqehet intensivisht ndërsa 1 deri në 5 ditë të këtij cikli, ai bie në gjumë.

Në fazën e fundit, atëherë kur krimbi arrin në madhësinë e një gishti ai nis të konsumojë 3 deri në 4 kilogramë gjethe mani dhe 80 % të gjithë ushqimit të jetës së tij, e shpenzon në ditët e fundit.

Në këtë periudhë ai bëhet i tejdukshëm dhe fillon të lëshojë fijen e mëndafshit në formë tete, krijon disa pika mbështetëse dhe vetë mbështillet në fshikëz.

Vetë vjen duke u zvogëluar dhe end fijen për dy-tri ditë. Pasi e ka endur, kalon në një fazë kalimtare, në të cilën i shndërrohen të gjitha organet dhe kthehet në një flutur./AgroWeb.org