Gjellë e Shpejtë Verore Me Bizele Dhe Kërpudha

1k 0

Gatimi është padyshim një veprim që duhet kryer me dashuri.

Falë kësaj ‘erëze’ jo dhe aq sekrete, çdo amvisë mund të krijojë receta të larmishme, plot shije e vlera.

Në rastin e bizeleve, amvisat shkojnë përtej gjellës tradicionale me bizele dhe karrota dhe i përfshijnë kokrrat e gjelbërta plot vlera në shumë receta të larmishme e interesante.

Bizelet shkojnë shumë mirë me kërpudhat për shembull.

Kombinimi i tyre ofron një gjellë plot vitamina dhe shëndet.

Kërpudhat janë shumë të pasura me vitaminat e kompleksit B, riboflavinë, niacinë dhe acidin pantotenik.

Bizelet nga ana tjetër janë një burim i mirë i vitaminës K, manganit, vitaminës C, fosforit dhe folatit.

Gjellë e Shpejtë Verore Me Bizele Dhe Kërpudha

Kombinimi i bizeleve dhe kërpudhave në një gjellë të vetme  ofron një larmi vitaminash dhe mineralesh që plotësojnë shumë prej nevojave bazë të organizmit tonë.

Përbërësit:

2 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë gjelle gjalpë pa kripë

Treçerek filxhan çaji qepë të grira hollë

2 thelbinj  hudhër

450 gramë bizele të ngrira ose të freskëta

1 filxhan çaji kërpudha të prera në feta

Gjysmë filxhan çaji lëng perimesh ose mishi

Gjysmë luge çaji erëza mikse

Kripë sipas dëshirës

Gjysmë luge çaji piper të zi pluhur.

Përgatitja:

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe ngrohni vajin e ullirit dhe gjalpin.

Kur ato të kenë arritur nxehtësinë e duhur, kaurdisni qepën dhe hudhrën duke pasur kujdes që të mos të digjen.

Shtoni kërpudhat dhe vazhdoni t’i kaurdisni derisa ato të lëshojnë lëng dhe të marrin ngjyrë kafe të lehtë por dhe të çlirojnë aromën karakteristike.

Shtoni lëngun e perimeve apo të mishit, erëzat, kripën, piperin dhe bizelet.

Mbulojeni kapakun dhe lërini përbërësit të ziejnë për 5 minuta ose më shumë derisa të zbuten bizelet plotësisht.

Gjellën e shpejtë servireni menjëherë ose mbajeni në zjarr tepër të ngadaltë deri sa të jeni gati për servirje./AgroWeb.org