Gjithçka Mbi Mishin Artificial – Çfarë Duhet Të Dini

1.2k 0

Nëse imagjinon një ditë pushimi shqiptare, ajo përfshin të fjeturën deri vonë paradite dhe të shijuarit e një shëtitjeje me makinë në jashtë qytetit për një drekë të mirë organike.

Ku konsiston kjo drekë e shijshme? Sigurisht që po, tek mishi. Mishi është një pjesë integrale e ditës shqiptare dhe më lejoni t’ju them që shqiparët dinë mirë si ta gatuajnë mishin.

Po nëse do t’ju thoja që ndoshta edhe brenda 10 viteve, filetoja e viçit që ju do ta porosisnit normalisht në një fundjavë të këndshme plot diell diku në Sauk, Krujë apo Vlorë, mund të mos vijë më nga lopa, por të jetë rritur artificialisht nga qelizat e saj?

Ngjan si film fantastiko-shkencor? Por, në fakt është realitet.

Mishi i Laboratorit

Duke parashikuar një rritje të popullsisë botërore diku rreth 9,7 miliardë banorë deri në vitin 2050 është koha të mendojmë për plotësimin e nevojave ushqimore, gjithashtu në rritje.

Por nuk është thjesht rritja e numrit të gojëve për t’u ushqyer që përbën problemin më të theksuar; është fakti që rritja e kërkesës për ushqim rrit kërkesën për mish, vezë dhe bulmet. Kjo nënkupton nevojë për më tepër prodhim dhe ujë.

Nga e gjithë sipërfaqja tokësore e banuar në planetin tonë, 30% përdoret si kullota për bagëtinë dhe vetëm 4% për bujqësi, pra për të përmbushur nevojat ushqimore të njeriut.

Mishi i laboratorit është shpikur për të zgjidhur këtë problem. Mishi rritet in vitro në pjatat e petrit nga qelizat e kultivuara shtazore.

Sipas shkencëtarëve të universitetit të Maastricht-it në Holandë, me qelizat e marra nga vetëm një lopë, mund të prodhohen 175 milionë hamburger e madje prodhimi i mishit të laboratorit do të përdorte 99% hapësirë më pak nga çfarë duhet sot për fermat blegtorale.

Në fakt hamburgeri i parë me mish in vitro është shitur në 2013 për afërsisht 300 mijë euro.

Në mënyrë që të bëhej ai hamburger, indet e qelizave staminale të lopës u kultivuan deri në 20 mijë inde muskulorë.

Por, ai hamburger ishte i thatë dhe pa shije. Ama në 2015, pra vetëm dy vite më vonë, situata ka ndryshuar krejtësisht.

Çmimi i mishit të laboratorit është ulur rreth 31.000 herë, duke u bërë 10 euro për kilogram.

Shkencëtarët kanë mësuar si të kultivojnë yndyrën dhe indet lidhore, përbërës, që shija na ka mësuar t’i kemi së bashku me mishin.

Konferenca e parë mbi mishin e laboratorit, prezantuar nga Universiteti i Maastricht-it u zhvillua në tetor të këtij viti.

Aty shkencëtarët parashikuan se mishi i kultivuar në laboratorë do të thyejë rekorde në harkun e 5 viteve.

Ushqim i Printuar në 3D

Mishi i laboratorit është vetëm një nga risitë që po synojnë ta transformojnë industrinë e ushqimit.

Një tjetër lidhet me mundësitë e printimit 3D. Njësoj si Kompania 3Dom përdor mbetjet e kafesë për qëllime të printimit 3D, “The Foodini” printer 3D synon të sjellë teknika të pazakonta në jetën e përditshme.

Kompania me bazë spanjolle Natural Machines ka zhvilluar një printer ushqimi 3D i cili mund të përdoret nëpër kuzhinat e gjithë botës.

Kjo shpikje është planifikuar për prodhim në masë duke filluar nga gjysma e dytë e 2015-ës dhe është faktikisht një fabrikë ushqimi në miniaturë.

Mënyra sesi punon është e tillë që ti e mbush me lëndën e parë të ushqimit (për shembull mish, salcë e bardhë dhe brum makaronash, nëse ke në plan të bësh një lazanjë), shtyp një buton dhe printeri fillon të prodhojë produktin e dëshiruar, të cilin mund ta vendosësh në furrë dhe më pas drejt e në tryezë!

Pluhuri Proteinik

Pluhuri proteinik është një tjetër shpikje e cila preku tregun pak vite më parë, por që ka gjithashtu përdoruesit e saj të devotshëm.

Është në thelb një pije zëvendësuese e ushqimit e cila përmbledh të gjitha kërkesat ushqimore për një person të rritur.

Inxhinieri Informatik Rob Rhinehart, e krijoi atë si një vetë-eksperimet në ushqim. Pluhuri proteinik përbëhet nga proteinat e sojës (për aminoacide cilësore dhe për përmirësim tretjeje), vaj algash (për energji dhe acide yndyrore), izomaltozë (për energji të qëndrueshme), vitamina dhe kripëra minerale.

Pija e pluhurit proteinik supozohet të eliminojë nevojën për ushqim në tërësi, gjë e cila mund të konsiderohet ekstreme për disa.

Të gjitha këto shpikje synojnë të dyja: thjeshtëzimin e jetesës sonë dhe zgjidhjen e çështjeve komplekse të sigurisë ushqimore, urisë, qëndrueshmërisë në prodhim dhe konsum ushqimesh.

Sigurisht, pyetja shtrohet nëse produktet e prodhuara në këto mënyra do të jenë një alternativë e sigurt dhe nëse njerëzit sidomos në vendet si Shqipëria, janë gati të zëvendësojnë ushqimin “real”, me të ashtuquajturin ushqim teknologjik.

Megjithatë, përparimet në industrinë e ushqimit janë mbresëlënëse dhe qartësisht na japin shpresë për një të ardhme më të mirë. A mendon se shqiptarët janë gati të fillojnë t’i printojnë byrekët e tyre me mish laboratori në printer 3D?