Glikoja e Arrës, Thesari i Ëmbël i Kuzhinës Shqiptare

1.5k 0

Glikoja është një nga thesaret e panumërta të kuzhinës shqiptare. Ajo përgatitet nga fruta dhe perime të ndryshme të rritura në vend.

Glikoja e arrës e cila përgatitet nga arrat e plota të njoma jeshile, është një nga më populloret, dhe ndiqet nga glikotë e qershisë së bardhë, patëllxhanit, fikut të egër, kumbullës dhe kajsisë.

Glikoja është një ëmbëlsirë që zakonisht shoqërohet me lëngje dhe pije të lehtë.

Glikoja e arrës përgatitet nga arrat e njoma ose siç njihen ndryshe kaçka të cilat duhen mbledhur në momentin e duhur.

Ato nuk duhet të jenë shumë të buta, por as shumë të forta dhe të kenë kaluar fazën e pjekurisë.

Nëse dëshironi të dini kohën e duhur për mbledhjen e arrave, atëherë përdorni një gjilpërë të cilën mund ta fusni dhe hiqni lehtë nga arra.

Kjo tregon që arra është gati për t’u bërë gliko.

Pasi keni mbledhur arrat (1kg), ndajini në dysh që të bëhen të depërtueshme dhe vendosini në një tenxhere.

Ziejini për 3-3 minuta që shtresa e tyre e jashtme të zbutet dhe të përthithin lëngjet më shpejt.

Më pas arrat mbajini në ujë të ftohtë për disa ditë, duke e ndërruar ujin disa herë për të hequr hidhësinë e tyre.

Më pas qërojini dhe vendosini në një enë të mbushur me ujë dhe limon jeshil. Pas dy orësh, shpëlajini mirë me ujë të ftohtë.

Në këtë mënyrë, arrat do të ruajnë formën e tyre.

Hapi i rradhës është zierja tjetër për 3 deri në 4 minuta dhe shpëlarja me ujë të ftohtë.

Për një kilogram arra nevojitet 1 kg sheqer dhe 700 ml ujë për përgatitjen e shërbetit që duhet përzier me lëngun e lëshuar nga arrat gjatë zierjes.

Në lëngun e glikosë do të shtoni edhe acid citrik dhe lule barbarosa.

Në secilën arrë do të fusni një bajame të qëruar dhe të gjitha së bashku do të zihen sërish.

Pas ftohjes, glikoja futet në kavanozë qelqi që mbyllen mirë.

Glikoja e arrës është një produkt tipik i Përmetit në jug të Shqipërisë.

Megjithatë, të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se kjo gliko është e mirënjohur edhe në juglindje të vendit. Glikoja shërbehet në festa familjare, fejesa, dasma, apo festa ditëlindjesh.

Ajo serviret edhe gjatë vizitave familjare. Glikoja serviret pas ushqimit dhe shoqërohet me një gotë ujë dhe kafe.

Kjo gliko prodhohet për shitje, por edhe për konsum shtëpiak.

Megjithatë, glikoja e arrës është një traditë e rrezikuar duke qenë se brezat e rinj nuk kanë interes në ruajtjen e vazhdimësisë së saj.

Nga ana tjetër, duke qenë se arrat rriten në natyrë, mbledhja e sasive të mëdha për prodhim glikoje është e vështirë.

Numri i njerëzve që prodhojnë gliko në shtëpitë e tyre po pakësohet.

Në vend ka vetëm një kompani të vogël që prodhon sasi të kufizuara glikoje për tregun e zonës dhe atë kombëtar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.