Hajde lakër fushe te Fitnetja!

513 0

“Hajde zoje merre pa merak, është lakër fushe e rritme pa plehna kimike. Shif ca të dush, spinoqin, sallatën, qepët e njoma… sot në mjes i kam kput”, dëgjohet zëri i shitëses teksa afron klientët e saj. Fitnete Karaj nuk është e panjohur për ne dhe për amvisat që pazarin e bëjnë te sheshi para ish-markatës te Pazari i Ri. Ajo është nga Peza, nga fshati Grec ekzaktësisht, ku ka edhe tokat të cilat i punon bashkë me të shoqin Islamin. “Kemi 17 dynym tokë. Kryesisht e mjellim me misër e jonxh për bagtinë por një parcelë e mjellim gjithmonë me zarzavatet e stinës. Tashi është vakti i spinoqit, sallatës, patates, qepve e hurdhave të njoma, lakrës e preshit. Zarzavatet nuk i spërkas me phehna kimikë, e në vend të tyre i ushqej me baglat e lopëve. Për shpirt e kisha mjell të gjithën me zarzavete po shpenzim i modh, të prishet malli dhe ty të rroftë munimi dhe lekët e harxhume”, na tregon Fitnetja.

Ajo dhe i shoqi ashtu si shumica e fshatarëve ka punuar në kooperative dhe ia di mirë kujdesin që do secila prej zarzavateve. “Të mjellësh prodhime bio është shumë e vështirë. Një smundje t’i bi, të djeg gjithë mundin, kjo është arsyja që shumica i hudh plehna kimike për t’i parandalu. Dhe dikur në kooperativë, superfosfati i Laçit për bujqsinë tonë punote. Kto ministra e kryetarë thonë bio, bio, po s’janë munu ndonjë herë me nimu prodhusin e vogël. Ne mahena me thonj se na myti importi”, na thotë Fitnetja. Sipas saj duhet që shteti të ndërmarrë politika për favorizimin e fermave biologjike ndërsa t’i garantojë qytetarëve të saj ushqim të shëndetshëm.

Fitnetja ka vite që shet në Pazarin e Ri, e tashmë e ka kristalizuar klientelën e saj. Ajo na tregon se shumica e njerëzve duan produkte të mbjella në shtëpi dhe jo mall importi. “Ja, veç kto mollë janë maqedonse, të gjitha i kam të baçes time. Unë kam dhe tre nipër e mbesa nga dy çunat e, me thonë të drejtën, të dhimsen me ju dhonë domote që vijnë era peshk apo speca gjys metri të gjatë. Pranej vazhdoj me mjell prodhime pa gjilpona që i pjekin para kohe e plehna kimikë, që kur të hash nji gjo ta hash tamom. Zarzavati haet tamom kur ka vaktin e vet”, tregon ajo. Këtë e vërtetojmë lehtësisht, pasi në krah të saj prodhimet e importit stivosur në mënyrë të rregullt joshin jo vetëm nga paketimi por dhe nga çmimet konkurruese dhe Fitnetja e kap në ajër situatën. “Mos i shif ashtu gjith zili se janë mall koti, vetëm t’bukur. Po të kisha ne unë tendë s’i kisha lon në arka po i kisha rregullu si ato. Na e ka premtu Erioni, çuni jonë, se do na ftilloj të gjithve te projekti i ri i Pazarit, ne me thonë të drejtën ai e vlerso prodhimin tonë se ka thonë; toka si Tirona s’ka. Ishalla po e ma premtimin se n’fillim t’gjithë kshu thonë kto, bojnë si t’mirë po masnej i dalin puplat.”

Bashkia e Tiranës për promovimin e prodhimeve bio organizoi për disa javë rresht panaire në fshatrat përreth kryeqytetit.“Kam shumë respekt për të gjithë ata që sjellin mall importi, por këtu në Tiranë u themi, faleminderit shumë sepse tonat i kemi më të mira dhe paratë do i mbajmë e do i investojmë brenda qytetit të Tiranës dhe brenda bashkisë së madhe të Tiranës”, deklaroi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Gruaja 52 vjeçare që ka punuar 20 vjet në fermën e Pezës, thotë se bashkë me të shoqin po mundohen t’i japin një drejtim tjetër tokave të tyre, duke mbjellë agrume e ullinj. “Dun më pak punë, klima është e favorshme, dhe shija e mandarinave, (ja merre i kokërr provoje) është e shkëlqyshme”, vijon ajo. Sa për ullinjtë këtë vit s’kanë pas shumë prodhim dhe vaj kanë bo pak sa për vete e për t’shit tek të afërmit.” Sigurisht që biseda me të shkëputet shpesh si pasojë e klientëve që duan të blejnë produktet e stinës. Kur i marrim erë arkave të mbushura me pak asortimente, sepse Fitnetja këput aq sa mendon t’i shesë brenda ditës për t’i ruajtur freskinë, rikthehemi të aroma e mirë e natyrale që lënë pas. Dita e 52 vjeçares nis në 4.30 të mëngjesit. Ajo bashkë me të shoqin dalin e mbushin arkat me prodhimet e sapokëputura nga toka e tyre. Djali vjen i ndihmon herë pas here, e kur fusin në makinë peshoren e produktet, nisen drejt Tiranës. Në orën 6.30-7.00 nis pazari. Të parët që vijnë janë furnitorët e disa lokale, të cilat kanë bërë porosinë te Fitnetja një ditë më parë, pastaj dalin amvisat.

Rreth orës 16.30, bashkë me të shoqin Fitnetja niset në shtëpi. Sigurisht 12 orë në ditë punë pa ndërprerje e në këmbë gjithë ditën është e lodhshme, por alternativë pune për ta s’ka, ndaj kjo është zgjidhja e vetme. “Do vazhdoj të shes deri sa të kem takat, se me atë pension bujqsie që do mor unë e burri për asgjo s’do na dali”, përfundon ajo. Balta e rrëmuja që janë shkaktuar si pasojë e rikonstruksionit të Pazarit të Ri, nuk ka mundur të largojë blerësit që janë të shumtë në numër. Një treg i ri do të ndërtohet te ky vend, e një aneks të posaçëm duhet të kenë prodhimet e fshatarëve, ato që i rrisin vetë me shumë mundim, zarzavatet e shijshme biologjike. Por në deklaratat e kryebashkiakut, përtej premtimeve që ka marrë edhe Fitnetja, nuk thuhet shprehimisht një gjë e tillë. “Ky pazar dhe ky investim do të bëhen shtysë e mëtejshme e zhvillimit të Tiranës. Kjo do të jetë zona më e madhe e biznesit që kemi bërë deri tani. Unë jam ai i fiqve, dhe sot jam dy here i lumtur që në vendin ku kam punuar si fëmijë të fillojmë këtë projekt të ri për njerëzit që s’kanë prekur punë me dorë. Kjo do të vazhdojë si lojë humori, por për njerëz duarartë do të jetë një projekt”, ka thënë Veliaj. 

Gjithësesi janë me dhjetra fshatarë prodhues si Fitnetja që presin të kenë një hapësirë të tyre në Tregun e Ri te Pazari i Ri, ndërsa qytetarët presin që prodhimet Bio t’i blejnë jo në tokë, por të tregtuara në mënyrën e duhur.

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.