Instituti i Shëndetit Publik Ngre Alarmin Për Gripin e Syrit Në Shqipëri

724 0

Instituti i Shëndetit Publik ka ngritur alarmin për përhapjen pothuajse epidemike të virusit të gripit të syrit në vendin tonë. Sipas një paralajmërimi të publikuar në faqen e këtij institucioni në Facebook, ISHP thotë se virusi i gripit të syve është i formës agresive dhe manifestohet me simptoma dy javë pas prekjes.

ISHP ka paralajmëruar qytetarët që të tregojnë kujdes me higjenën sepse ky virus transmetohet përmes kontaktit të syve me duar të palara por edhe me anë të ajrit, peshqirëve, këllëfit të jastëkut dhe duarve.

Pishinat dhe plazhet janë ambientet që ofrojnë një terren më të përshtatshëm për përhapjen e këtij virusi, thotë ISHP.

Ndërkohë, okulistët konfirmojnë një numër në rritje të personave të prekur nga ky infeksion.

Ka pasur një numër rekord që ne nuk e kemi hasur asnjë vit tjetër. Ndoshta nuk kemi 100% një statistikë të saktë por numri ka qenë tepër i lartë në krahasim me vitet e tjera, pra ketë vit ka thyer cdo rekord”-tha okulisti Rubin Topi në një intervistë për Report TV.

Simptomat e Gripit të Syve

Virusi që shkakton gripin e syve shkakton një sërë simptomash dhe komplikacionesh.

Kur sytë preken nga ky grip ato fryhen dhe skuqen.

Njeriu e ka të vështirë të shikojë qartë ndërkohë që virusi mund të vështirësojë hapjen e syve.

Okulistët shpjegojnë se kur virusi është i pranishëm, sytë janë ndjeshëm të skuqur ndërkohë që në mëngjes njeriu mund të përballet me sekrecione në formën e sklepave.

Në shumicën e rasteve, kapakët e syve janë të ngjitur nga sklepat dhe nuk hapen dot natyrshëm.

Njeriut i duhet të përdorë dorën për të hapur syrin dhe për të parë, thonë ekspertët.

Komplikacionet mund të rëndohen duke kulmuar edhe me humbjen e shikimit.

Mjekët kanë paralajmëruar  që të sëmurët nga ky virus të mos frekuentojnë detin dhe pishinën sepse ky infeksion mund të përhapet edhe nëpërmjet ujit. /AgroWeb.org