Kartona të bukur por pa lëng boronice brenda

338 0

Çfarë ndodh nëse në market gjen lëngje frutash të paketuara bukur dhe në kartona plot ngjyra, që duket sikur lëngu brenda është i cilësisë më të lartë, por që në të vërtetë është thjesht një produkt industrial plot me substanca laboratorike pa asnjë lidhje me frutat natyrale.

Kjo është bota e mashtrimit të ushqimeve, ku të qenit të mprehtë nuk mjafton, por duhet të mbash sytë hapur dhe të kontrollosh etiketat në çdo rast.

Nëse mendon se po blen lëng boronicash të paketuar, atëhere shiko me kujdes se sa është përqindja e këtij fruti në etiketën e ambalazhit. Në 90% të rasteve nga tregu vendas, sasia e boronicave apo e frutave të tjerë është nga 10-15%, madje edhe kjo falë koncentrateve kimike dhe aspak natyrale.

Pjesa tjetër? Ujë me shumë sheqer të pasuruar me ngjyrosës artificialë.

Në tregun shqiptar aktualisht tregtohet vetëm një produkt i ambalazhuar në shishe qelqi që tregon me kujdes se sa fruta të çdo lloji përmban lëngu i ofruar. Dhe vetëm një prodhues nga një mori e tërë prodhuesish është shumë pak.

Ndaj këshilla kryesore është të konsumosh frutat e vërteta natyrale, ndërsa lëngjet e tyre t’i shtrydhësh vetë që të garantosh vërtetësinë, cilësinë dhe sigurinë maksimale për vete dhe për familjen tënde.

AgroWeb.org po sjell një nga lëngjet e frutave më të kërkuar në treg për të kuptuar se çfarë surprizash jo të mira mund të gjeni në paketimet industriale të tyre.

Boronicat

Frutat e pyllit dhe boronicat në veçanti janë kthyer në një produkt tepër të mikluar nga konsumatori, rrjedhimisht të lehtë për të rënë pre e falsifikimeve. Shumë ushqime në botë kanë në paketimin e tyre foto të kokrrave magjike, duke sugjeruar se në përgatitjen e këtyre produkteve janë përdorur boronicat.

Por e vërteta është krejt ndryshe. Disa qendra ndërkombëtare për mbrojtjen e konsumatorit, kanë raportuar se boronicat e reklamuara në këto produkte në të vërtetë janë vetem sheqerna, niseshte, shurup misri, vajra të hidrogjenizuara, shije artificiale, ngjyrues artificialë blu Nr 2 dhe të kuqe nr 40.

Këto elementë përdoren nga firma të famshme shumë të njohura në treg siç është Kellogs. Ndaj nëse shikoni drithëra, bukë, ëmbëlsira që premtojnë se janë me shije boronice, lexoni me kujdes listën e përbërësve nëse përmban me të vërtetë boronicë, apo ngjyruesit artificialë të lartpërmendur./AgroWeb.org