Këmbanat e Shkretimit të Tokës Shqiptare

1.3k 0

Kur mendojmë për shkretëtirën, menjëherë mendja na shkon tek toka e çarë e zhuritur për një pikë ujë. Ky vegim na çon aq larg në distancë gjeografike, aq sa jo vetëm nuk përbën as edhe një lloj interesi por dhe se do na duhej një dozë e shfrenuar fantazie për ta imagjinuar afër pragut tonë. Por ja që e paskemi gabim. Shkretëtirëzimi sot ka prekur jo vetëm Afrikën e largët, por edhe Evropën; fqinjët tanë grekë dhe italianë dinë diçka më shumë në lidhje me këtë, sepse edhe atyre po u thahet toka nën këmbë. Një fenomen, i cili ka nisur dalëngadalë të na prekë edhe ne. Afro 17% e të gjithë tokës së Shqipërisë është e degraduar, pra e tharë e shkretëtirëzuar. Sipas të dhënave të Institutit të Tokës, gjatë periudhës 1990-2002, si pasojë e prerjeve janë zhdukur 70 000 ha pyje, të cilave iu shtohen dhe 280 000 ha të tjerë të shpyllëzimit të bëra në dy-tri dekadat e fundit.

Po, shkretëtira po na vjen tek pragu i derës. Ekspertët thonë se fenomeni i degradimit të tokës në Shqipëri është i favorizuar edhe për faktin e mbizotërimit të terrenit malor dhe të braktisjes së tokave në zonat e thella malore. Afro 70% e kësaj zone ka tendencë ndaj shpyllëzimit, ndërkohë që 21% e pyjeve në Shqipëri janë në një shkallë të avancuar degradimi. Çka do të thotë se fshtatrat, qytetet dhe shtëpitë e këtyre zonave do të zhduken dalëngadalë, duke qenë se shkretëtirëzimi parashikon fundin e pyjeve, kopshteve, dhe burimeve natyrore si dhe zhdukjen e bagëtisë, fermave dhe në fund të jetës sonë. Çka do të thotë vdekje e tokës, të cilën fatkeqësisht nuk e kthejmë dot në jetë, pasi na është çarë nën këmbë. Nëse kemi një lumë të ndotur, përshembull ne mund ta pastrojmë atë, përmes impianteve të pastrimit të ujërave të zeza. Por ndryshe nga lumenjtë, toka po u shkatërrua nuk ka më kthim mbrapsh. Nëse ekosistemet degradojnë në atë pikë, saqë nuk janë në gjendje të sigurojnë tokën, ne e humbasim atë përgjithnjë ndaj erozionit të erës dhe ujit.

Lumi i zhdukur i Tomorricës, si pasojë e shkretëtirëzimit

Dhe nuk është pak, por një e pesta e popullsisë së botës e cila është e ndikuar nga shkretëtirëzimi i tokës, i cili ka kapluar 40% të sipërfaqes së tokës, të banuar prej 2 miliard banorësh. Këmbanat e alarmit që dëgjojmë sot në “Ditën Botërore të Luftës ndaj Shkretëtirëzimit” kanë nisur të bien afro 20 vite më parë, kur një grup shkencëtarësh u bashkuan për të paralajmëruar botën për rrezikun që po i kanosej, se bota po thahej.
Çdo vit më 17 Qershor “Dita Botërore e Luftës ndaj Shkretëtirëzimit” shënon një nga momentet më serioze në lidhje me ambjentin, duke parë efektet tejet negative që ka në burimet ushqimore, në shëndetin e njerëzve dhe mënyrën tonë të t&eueuml; jetuarit. Edhe për këtë arsye që tema e këtij viti, është e fokusuar tek siguria ushqimore dhe mbrojtja e tokës.

Dita Botërore e Shkretëtirëzimit është një rast unik për t’iu kujtuar të gjithëve se ky problem mund të trajtohet në mënyrë efektive dhe se zgjidhjet janë të mundshme, por kërkon një përgjegjësi më të madhe pasi në fund të fundit po flasin për tokën që kemi nën këmbë.

Me slloganin “Askush nuk të jep një drekë falas. Investoni në tokën e shëndetshme”, këtë vit thirrja bëhet për:

  • Ndryshim të praktikave të përdorimit të tokës përmes bujqësisë inovative dhe përshtatjen ndaj ndryshimive klimatike, veçanërisht në pjesët e thata dhe të brishta të botës, ku mungesa e ushqimit po bëhet gjithnjë e më problematike
  • Akses ndaj teknologjisë dhe të drejtës së tokës për fermerët e vegjël, që të ruajnë ambjentin por dhe të sigurojnë nevojat ushqimore, në mënyrë të veçantë në zonat e varfra
  • Gjetja e ekuilibrit në përdorimin e tokës mes konsumit dhe ruajtjes së parametrave ekologjike, duke u mbështetur në praktikat më të mira
  • Më shumë investime në praktikat e tokës së qëndrueshme në mënyrë që sistemet e qëndrueshme të ushqimit të kthehen në një praktikë normale
  • Veprime më efikase ndaj shkretëtirëzimit, ekektet e të cilave ndaj sigurisë, paqes dhe stabilitetit janë të padukshme, por një realitet për vendet që vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe e ujit të pishëm

Shqipëria është një vend i bekuar me burime të pasura ujore, por e vërteta është dhe se jemi dhe ndër vendet Mesdhetare me nivel të lartë të intensitetit të erozionit. Çdo vit në Shqipëri janë gërryer rreth 54 milion ton materiale të ngurta, ndërsa mesatarja arrin shtresa korrozioni (2-3 mm) në vit, për këtë arsye, brenda një viti është gërryer një shtresë, që merr 350 për 420 vite për t’u formuar. Këto të dhëna janë shqetësuese, sepse tregojnë rrezikun e madh që na kanoset nga erozioni dhe degradimi i tokës.

Për fatin tonë të mirë, Shqipëria nuk është një tokë e tharë me diell përvëlues, por e pasur me ujë, por ajo mund të thahet, nëse vazhdojmë ta konsumojmë pa investuar në të. Sepse në të vërtetë askush nuk të jep një drekë falas, as toka. Do të duhet t’i japim diçka mbrapsht.