Kolëza, një barishte unike mes të gjelbërave

625 0

Kolëza është një nga bimët barishtore më të preferuara të Mesdheut. Ajo përdoret gjërësisht në kuzhinën Italiane dhe atë Franceze. Së fundmi ka nisur të kultivohet edhe në Shqipëri. Kolëza shqiptare rritet nga fermerë të çertifikuar për produkte organike. Ajo është e ngjashme me brokolin dhe ka tufa të vogla me gjethe të mëdha. Në aspektin botanik, kolëza i përket familjes Cruciferus dhe i ngjan lakrës kineze dhe rrepës. Emri shkencor i kolëzës është Brassica rapa.

Kolëza rritet deri në 38 centimetra. Ajo çel në tufa të vogla njësoj si brokoli. Të gjitha pjesët e saj duke përfshirë gjethet, lulëzat dhe bishtin janë të ngrënshme.

Ekspozimi për një kohë të gjatë në diell dhe temperaturat e larta ndonjëherë e shtyjnë kolëzën të çelë lule. Gjethet e mëdha të kolëzës janë të hidhura dhe djegëse, me një shije që i ngjan mustardës. Shija e tyre zbutet kur gjethet piqen ose kavërdisen. Më poshtë në këtë artikull të përgatitur nga AgroWeb.org do të lexoni për vlerat e kolëzës.

Vlerat shëndetësore të kolëzës

• Kolëza është pjesë e zarzavateve me pak kalori. Në 100 gramë gjethe të freskëta gjenden 22 kalori. Nga ana tjetër, kjo bimë përmban vitamina jetësore siç janë folati dhe vitamina K. Me 100 gramë gjethe të freskëta plotësohet 186% e dozës së rekomanduar të vitaminës K-1. Vitamina K luan një rol potencial në forcimin e kockave dhe mbrojtjen e tyre.

• Duke qenë se është pjesë e familjes Brassica të barishteve, kolëza është e pasur me antioksidantë siç janë flavonoidët, indoles, sulforafan, karoten, luteinë dhe zeaksanthinë. Ato parandalojnë rritjen e qelizave të dëmshme.

• Kolëza përmban më shumë acid folik sesa rrepa ose barishte të ngjashme. Acidi folik luan një rol jetësor në sintezën e ADN-së dhe ndarjen e qelizave. Nëse acidi folik konsumohet përpara periudhës së nisjes së shtatzanisë, atëherë ndihmon në parandalimin e defekteve tek foshnjat.

• Kolëza e freskët përmban nivele të mira të vitaminës C. Në 100 gramë me gjethe të freskëta gjendet 20.2 mg vitaminë C ose 31% e dozës së rekomanduar ditore. Vitamina C është një antioksidant natyral që mbron kundër radikaleve të lira, infeksioneve dhe virozave.

• Ashtu si edhe kale apo barishte të tjera të ngjashme, kolëza është një burim i shkëlqyer i vitaminës A që është një ushqyes i nevojshëm për shëndetin e lëkurës dhe shikim të mirë.

• Kolëza e freskët është një burim i shkëlqyer i kompleksit të vitaminave B siç janë pyridoksina, thiamina, riboflavina dhe minerale si kalciumi, hekuri, magnezi, kaliumi, zinku, seleniumi apo mangani.

• Konsumi i rregullt i kolëzës ndihmon në parandalimin e artritit, osteoporozën, pamjaftueshmërinë e hekurit dhe aneminë. Besohet që kolëza ka rol mbrojtës edhe kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit të zorrës së trashë apo prostatës.

Receta e supës me kolëzë, kopër dhe limon jeshil:

Përbërësit:

2 filxhanë me qepë të grirë
2 thelpinj hudhër
2.6 litra ujë
4 filxhanë  me kolëzë të prerë
6 filxhanë r me lulelakër të prerë
1 lugë gjelle me kripë deti
3 lugë gjelle me kopër të tharë ose 6 lugë gjelle me kopër të njomë
¾ e filxhanit (185 mL) me lëng të freskët limoni jeshil.
1 lugë gjelle (5 mL) me vaj ulliri organik ose vaj peshku me shije limoni
1½ e filxhanit (375 mL) me arra të plota organike
½ e filxhanit (125 mL) fara kërpi (ose shtoni sasinë e arrave nëse nuk keni fara kërpi)

Udhëzimet:

1. Në një tenxhere të madhe, zieni qepët dhe hudhrat në 100 ml ujë për 5 minuta

2. Kur qepët të jenë gati, hidhni ujin e mbetur, kolëzën, lulelakrën, kripën dhe koprën. Lërini të ziejnë në zjarr të ngadaltë për 15 minuta.

3. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe përdorni një mikser për të bërë pure, duke shtuar lëngun e freskët të limonit jeshil, farat e kërpit dhe arrat deri sa e gjithë masa të jetë kremoze.

4. Hidheni lëngun në pjatë dhe plotësojeni me vaj ulliri organik. Masa në fjalë është për 12 racione./AgroWeb.org