Kroacia – Alarm ndërkombëtar ndaj Kikirikëve nga Kina

294 0

Lajm i keq nga Kroacia. AgroWeb.org raporton se vendi i afërt me Shqipërinë, përmes autoriteteve të saj të Kontrollit të Cilësisë të Ushqimit ka urdhëruar largimin dhe sekuestrimin e menjëhershëm nga tregjet e saj të një sasie të papërcaktuar të kikirikëve kinezë.

Ngarkesat me kikirikë nga Kina kanë udhëtuar për në Kroaci nëpërmjet Egjiptit dhe pas ekzaminimeve të hollësishme, autoritetet kroate kanë gjetur nivele të rrezikshme të aflatoksinës në një sasi prej 9,2 mikrogramë për kilogram. Kliko këtu për njoftimin zyrtar.

Niveli i rrezikut që njoftohet nga Autoritetet e Kontrollit të Ushqimit Kroate cilësohet si ‘SERIOZ’ dhe alarmi u dha ditën e djeshme, data 6 Dhjetor 2016.

Për fat të keq për vendet e rajonit, AgroWeb.org tregon se ngarkesat me kikirikët kinezë me nivele të aflatoksinës kishin depërtuar në tregun kroat. Kikirikët nga Kina të infektuar nga alfatoksina janë të pjekur në guaskë dhe me afat skadimi fundvitin 2017. E vetmja mënyrë për të qenë të sigurt është që të pyesni shitësit në pikat e shitjes për të kontrolluar thasët me kikirikë nëse kanë mbishkrime kineze.

Aq i lartë është rreziku i kikirikëve kinezë të infektuar me aflatoksinë, sa që për herë të parë në muajt e fundit, Kroacia jo vetëm njoftoi urgjentisht Qendrën e Përbashkët të Komisionit Evropian dhe vendet e Bashkimit Evropian, por edhe rrjetin INFOSAN, nën administrimin e Organizatës Botërore të Ushqimit FAO dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Rrjeti i autoriteteve ndërkombëtare të sigurisë INFOSAN është rrjeti botëror i autoriteteve kombëtare të sigurisë së ushqimit. Sipas AgroWeb.org, roli i INFOSAN është të promovojë shkëmbimin e shpejtë të informacionit gjatë ngjarjeve që kanë të bëjnë me sigurinë e ushqimit dhe për të ndihmuar vendet të forcojnë kapacitetet e tyre për të menaxhuar emergjencat sigurisë së ushqimit.

Aflatoksina gjendet tek një sërë ushqimesh, veçanërisht frutat e thata, fiqtë, piperi i zi, fistikët, kikirikët dhe misri konsiderohen si ushqime me rrezikshmëri të lartë për sa i përket ndotjes me aflatoksinë.

Ekspozimi i lartë ndaj aflatoksinës mund të shkaktojë helmim akut, madje dhe vdekjeprurës, jo vetëm tek kafshët, por edhe tek njerëzit. Mëlçia është organi i parë që preket nga helmi, por nivele të lartë të aflatoksinës janë zbuluar edhe tek mushkëritë, veshkat, truri dhe zemra e njerëzve që kanë vdekur nga helmimi akut.

Kanceri i mëlçisë është një nga sëmundjet më të ndeshura në vendet e botës, ku ndotja e ushqimeve me aflatoksinë mendohet të jetë e lartë, megjithatë kjo nuk është e provuar shkencërisht. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, helmimi toksik akut është i rrallë në vendet vërtet të zhvilluara, autoritetet e të cilave janë tepër të kujdesshme për monitorimin dhe kontrollin e ushqimeve që merr konsumatori.

E tërë situata zhvillohet në një kohë vendimtare për konsumin e kikirikëve, i cili është në kulm të lartë për shkak të festave të fundvitit, sidomos për vendet dhe konsumatorët e Ballkanit. Afërsia e territorit të prekur kroat me pikat doganore të kalimit të mallrave në Shqipëri dhe Kosovë vetëm kontribuon për t’i bërë gjërat edhe më keq.

Kina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i kikirikëve. BE-ja merr një nga pjesët më të mëdha të këtyre eksporteve. Është e domosdoshme që Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit shqiptar të përhapë njoftimin e Komisionit Evropian në Pikat e Kontrollit Kufitar shqiptar për të monitoruar me kujdes sasinë e aflatoksinës në importet e produkteve ushqimore nga Kina për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve shqiptarë./AgroWeb.org